LAJMI I FUNDIT:

Ministri malazez në Kuvend, deputetët kosovarë flasin kundër demarkacionit

Ministri malazez në Kuvend, deputetët kosovarë flasin kundër demarkacionit

Komisioni për Integrime Evropiane i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i kryesuar nga Valdete Bajrami, zëvendëskryetare, ka pritur sot në takim ministrin e Çështjeve Evropiane të Malit të Zi, Aleksandar Andrija Pejoviq, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në vendin tonë, ka njoftuar Kuvendi.

Anëtarët e komisionit dhe ministri malazez i integrimeve, kanë diskutuar për raportet e shkëlqyera fqinjësore që Kosova dhe Mali i Zi kanë ndërtuar midis tyre përgjatë viteve, ndërsa kanë shtruar nevojën që këto marrëdhënie të avancohen dhe zgjerohen më tej në fusha të tjera, thuhet në njoftim.

Anëtarët e komisionit kanë vlerësuar se çështjet e hapura midis dy shteteve nuk do të ndikojnë negativisht në marrëdhëniet aktuale, përkundrazi, është shprehur qëndrimi që sa më shpejtë të gjendjet një zgjidhje e pranueshme.


Ministri malazez, Aleksandar Andrija Pejoviq, pasi ka elaboruar rrugëtimin e shtetit të tij në procesin e integrimit evropian dhe në NATO, ka vu theksin te rritja e bashkëpunimit midis shteteve të rajonit, në funksion të forcimit të paqes dhe stabilitetit, por edhe si obligim që del nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit.

Ai ka thënë se Kosova dhe Mali i Zi kanë marrëdhënie të shkëlqyeshme bashkëpunimi dhe njëkohësisht ndajnë qëllime të përbashkëta, mbi bazën e të cilave është filluar me hapa konkretë të bashkëpunimit.

Pasi e ka uruar ministrin malazez për suksesin e Malit të Zi në procesin e integrimit evropian dhe veçanërisht për anëtarësimin në NATO, drejtuesja e takimit, deputetja Valdete Bajrami, ka vlerësuar se të dyja vendet kanë çfarë të mësojnë nga njëri-tjetri në shumë aspekte, konform synimeve të përbashkëta euro-atlantike.

Në këtë takim, Bajrami ka shprehur qëndrimin e partive opozitare lidhur me Marrëveshjen e Demarkacionit midis Kosovës dhe Malit të Zi, duke vlerësuar se versioni aktual i kësaj marrëveshjeje nuk është i pranueshëm për opozitën. Ajo ka potencuar se nevojitet rishikim i marrëveshjes, mbi bazën e të cilit do të ecej përpara në demarkimin e kufirit midis dy vendeve, duke kultivuar më tej bashkëpunimin që Podgorica dhe Prishtina zyrtare kanë midis tyre.

Nënkryetari i Kuvendit, njëherësh anëtar i këtij komisioni, Xhavit Haliti, ka vlerësuar arritjet e Kosovës në procesin e saj të integrimit, ndërsa ka shtuar se perspektiva e Malit të Zi në këtë proces mund të jetë një mësim i mirë. Lidhur me demarkacionin, nënkryetari Haliti ka thënë ekziston një situatë mospajtimi brenda institucioneve të Kosovës, por ka vlerësuar se pozita po bën përpjekje që kjo çështje të ecë përpara.

Duke folur për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, Haliti ka thënë se Kosova i është gëzuar këtij procesi, i cili, sipas tij, garanton siguri për këto shtete dhe rajonin në përgjithësi.

Duke folur në këtë temë, deputetja Vjosa Osmani e ka konsideruar atë një lajm të shkëlqyer për gjithë regjionin, i cili, siç ka thënë ajo, u ka dhënë përgjigje meritore të gjithë atyre që kanë pretenduar ta orientojnë rajonin në drejtime të tjera.

Në takim, ka diskutuar edhe nënkryetari tjetër i Kuvendit, Sllobodan Petroviq.