LAJMI I FUNDIT:

Basha: Dy muaj nga qëndresa më historike

Basha: Dy muaj nga qëndresa më historike

“Sonte kur akrepat të takojnë njëri tjetrin për të shënuar mesnatën shënojmë dy muaj të qëndresës më historike dhe të lëvizjes më të madhe kombëtare për dinjitetin e qytetarëve, për zgjedhje të lira, për demokraci të vërtetë pa të cilën nuk mund të ketë as ekonomi të vërtetë, as punësim të vërtetë, as shërbime të vërteta”.

Kështu është shprehur kryetari i PD-së Lulzim Basha, dje pasdite në sheshin e lirisë.

“Sot dua t’ju them gjithsecilit prej jush, qindra mijëra të tjerëve që kanë qënë dhe do vazhdojnë të vijnë këtu në këtë tempull të lirisë deri në fitoren e kësaj beteje, se për Lulzim Bashën nuk ka forcë mbi dhe, forcë mbi tokë që ta bëjë të shkelë me këmbë vullnetin tuaj, sakrificën tuaj, ëndrrën tuaj për një republikë të re që vjen përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, ka thënë Basha.


Duke iu drejtuar protestuesve, Basha theksoi se ditët dhe orët e qëndresës tuaj janë dhurata më e çmuar që i bëni Shqipërisë së sotme dhe brezave që vijnë.

“Kjo ju nderon si qytetarë, ju nderon si prindër, ju nderon si të rinj e të reja, ju nderon dhe na nderon si demokratë, si patriot të vendosur për t’i shërbyer Shqipërisë dhe shqiptarëve”, tha Basha.

Ai ka folur edhe për vazhdimin e partneritetit me ndërkombëtarët, duke thënë se nuk duhet dhe as nuk do të humbasim durimin me miqtë tanë.

“Ne jemi partia që ka lindur me sloganin “ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa” dhe do ta bëjmë si gjithë Europa. Por do ta bëjmë vetëm duke vazhduar me vendosmëri dhe qëndresë të pamposhtur, me besim të madh tek njëri tjetri dhe tek ëndrra jonë e republikës së re përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme duke denoncuar dhe duke mos i lënë asnjë frymëmarrje krimit të bërë njësh me pushtetin dhe pushtetit të inkriminuar që kërkon të asgjësojë të ardhmen e këtij vendi, pasi ka asgjësuar të sotmen, institucionet, ekonominë, demokracinë, drejtësinë. Pasi ka bërë viktima qindra e mijëra shqiptarë, që duan vendin e tyre duke i detyruar të marrin nga sytë këmbët. Këto janë të vërteta që nuk fshihen dot nga propaganda”, është shprehur Basha. /Telegrafi/