LAJMI I FUNDIT:

Vrasësi i ish-drejtorit të Policisë së Vlorës mund të jetë nga Kosova

Vrasësi i ish-drejtorit të Policisë së Vlorës mund të jetë nga Kosova

Vrasja e Artan Cukut, kishte kohë që ishte planifikuar dhe për këtë, personi që ka dashur të vdekur ish-drejtorin e Policisë së Vlorës, duket se ka angazhuar një vrasës me pagesë.

Në një video të publikuar nga policia e Tiranës, duket qartë autori i krimit, i cili i veshur sportiv dhe me dorëza, vrapon ngadalë teksa largohet nga zona e krimit.

Vrasësi i kishte kushtuar shumë rëndësi këtij ekzekutimi, pasi jo vetëm do të eliminonte një ish-funksionar të lartë policie, por dhe kishte studiuar me detaje, çdo lëvizje të tij, madje ishte përshtatur në veshje, si një vrapues i zakonshëm i zonës së liqenit.


Videoja është filmuar nga kamerat e sigurisë së pallatit ku duket mjaft qartë autori i cili largohet me një vrap të lehtë nga vendi i ngjarjes.

Policia ka kërkuar ndihmën e qytetarëve që të identifikojnë autorin e vrasjes së Cukut.

Ajo ka vënë në dispozicion numrin e celularit 0694110299 ku mund të kontaktojë çdo qytetar i cili ka parë autorin. Më herët policia ka ofruar një shpërblim prej 3 mln lekësh për çdo person i cili do të jap informacione të vlefshme mbi vrasjen e ish-kreut të Policisë.

Autori është me dorashka, shall, kapele, atlete dhe tuta sportive siç mund ta shihen dhe në video. Ai është i gjatë rreth 1.70 dhe në bazë të dëshmisë së gruas së Cukut dhe administratorit të pallatit, autori kishte një theks verior, shkruan Shqiptarja.

Dyshimet flasin se personi që ka qëlluar ish-funksionarin e lartë të Policisë së Shtetit, mund të ketë qenë një vrasës me pagesë nga Kosova. Vrasësi është parë nga administrator i pallatit, pak para momentit të vrasjes teksa qëndronte i ulur tek shkallët e pallatit. I pyetur nga administratori, autori është përgjigjur se po priste dikë për t’i dhënë çelësat e shtëpisë.

Mirëpo pas kësaj biseda, sapo administrator ka shkuar në shtëpi, ai u ka thënë policisë se ka dëgjuar të shtëna me armë, dhe teksa zbritur poshtë ka konstatuar trupin e Artan Cukut të shtrirë në hollin e pallatit.