LAJMI I FUNDIT:

Ostreni: Jemi kundër shkrirjes së “Aleancës për Shqiptarët” në një parti

Ostreni: Jemi kundër shkrirjes së “Aleancës për Shqiptarët” në një parti

“Aleanca për Shqiptarët” ishte një koalicion që u krijua për pjesëmarrje në zgjedhjet e vitit 2016, dhe si e tillë do të mbetet. Kështu deklaroi kryetari i partisë UNITETI për televizionin Shenja, Gëzim Ostreni, i cili hodhi poshtë zërat për një shkrirje të mundshme të të gjitha partive të këtij koalicioni në një parti të vetme, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Ostreni më tej sqaroi se partia që drejton ai nuk e ka për qëllim shkrirjen, pasi siç tha ai, kanë vërejtur diferenca në programet politike të partive të cilat e kushtëzojnë një veprim të tillë.

“Vlerësimi i partisë në kohë ishte që të arrihet marrëveshje për një program identik të përbashkët, i cili nuk do të imponojë divergjenca, atë e arritëm. Kur kaluan zgjedhjet, kaluan disa në divergjenca, dhe tash duke bërë analizën konstatojmë se nuk duhet të ketë shkrirje, ose të themi bashkim të partive në një parti”, tha kryetari i UNITET-it, Gëzim Ostreni.


Ostreni ka thënë se përfundimisht pluralizmi politik duhet të funksionojë në bazë të programeve dhe nuk mund të shkrihen dy parti ose tre parti, të cilat kanë programe të ndryshme afatgjate./Telegrafi/