LAJMI I FUNDIT:

Shqiptarët sulmohen gjatë “emigrimit ilegal” në Greqi, ndërron jetë një shtetas

Shqiptarët sulmohen gjatë “emigrimit ilegal” në Greqi, ndërron jetë një shtetas

Tre shtetas shqiptarë që po përpiqeshin të kalonin kufirin për në Greqi, raportohet nga policia se janë goditur me mjete të forta nga disa persona, e më pas iu janë marrë sendet personale.

Ngjarja ka ndodhur në fshatin Braçanj, ndërsa viktima të sulmit kanë rënë shtetasit M.V., 40 vjeç nga Nizhavec i Pogradecit, Zarif Alliu, 44 vjeç nga Vërdova e Pogradecit si dhe D.SH., 40 vjeç.

Dy shtetasit e parë janë transportuar menjëherë për në Spitalin Rajonal të Korçës, ku edhe kanë marrë ndihmën e parë mjekësore, por si pasojë e plagëve të marra, Zarif Alliu nuk ka mundur të mbijetojë, duke ndërruar jetë, raporton TCH.


Ndërkohë, në Komisariatin e Devollit shtetasi D.SH. po merret në pyetje mbi këtë ngjarje.

Policia po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.