LAJMI I FUNDIT:

Komisioni disiplinor i FFK-së, me dënime të ashpra

Komisioni disiplinor i FFK-së, me dënime të ashpra

Futbollisti i Gjilanit, Gëzim Rusi, është dënuar me 5 ndeshje moslojë në të gjitha garat, për shkak të goditjes me grusht që i dha futbollistit të ri të Lirisë, Albin Memaj.

Ky i fundit ka qëndruar për disa ditë në spitalin e Gjilanit, pasi lëndoi syrin nga ajo goditje.

Dënimin e ka shqiptuar Komisioni Disiplinor i Federatës së futbollit të Kosovës, pas ngjarjeve të xhirove të mëparshme të Vala Superligës.


Dënimeve nuk i kanë shpëtuar as portieri i Besës, Granit Kolshi dhe mbrojtësi i Lirisë, Fisnik Ramadanaj, të cilët janë pezulluar me nga 3 ndeshje.

Dënime, por me të holla, Komisioni Disiplinor ka shqiptuar për trajnerët dhe ndihmës-trajnerët e skuadrave të Superligës.

Kryetrajneri i Trepçës, Ajet Shosholli dhe ndihmësi i tij, Fidaim Haxhiu, janë gjobitur me nga 300 euro.

Njëjtë e kanë pësuar edhe ndihmës-trajneri i Feronikelit, Ramiz Dervishi dhe trajneri i portierëve te Liria, Bekim Bakaj.

Nga FFK-ja janë ndëshkuar edhe zyrtarët e ekipeve të Besës e Trepçë, ndërsa për shkak të lëshimeve në organizim, Trepçës ’89, Drenicës dhe Trepçës, i është dhënë vërejtja e fundit.