LAJMI I FUNDIT:

Në Birmani po kryhen krime ndaj myslimanëve

Në Birmani po kryhen krime ndaj myslimanëve

Një zyrtare e lartë e Kombeve të Bashkuara tha se ushtria në Birmani po bën “krime kundër njerëzimit” ndaj pakicës myslimane të vendit.

Raportuesja e posaçme e OKB-së për të drejtat e njeriut në Birmani, Yanghee Lee, i bëri këto komente në një intervistë për BBC-në.

Asaj nuk i është dhënë qasje e lirë në zonat e konfliktit në Birmani, por pasi ka folur me refugjatët në Bangladesh tha se bëhet fjalë për vrasje, rrëmbime dhe përdhunime dhe se situata është më e keqe seç ka pritur.


“Do të thosha krime kundër njerëzimit nga ushtria e Birmanisë, rojet kufitare, policia apo forcat e sigurisë”, tha Lee.

Ish-ikona e demokracisë në Birmani, Aung San Suu Kyi, fituese e Çmimit Nobel për Paqe, është në pushtet pothuajse një vit, por nuk pranoi të flasë për media.

Një zëdhënës i partisë së saj tha se akuzat janë “të ekzagjeruara” dhe “çështje e brendshme, jo ndërkombëtare”.

Mbi 70,000 myslimanë të Birmanisë kanë ikur në Bangladesh në muajt e fundit, pasi një sulm i militantëve në tetor ka nxitur ndjekje dhe shtypje nga ushtria.