LAJMI I FUNDIT:

Papunësia në Itali në 11.9%

Papunësia në Itali në 11.9%

Norma e papunësisë në Itali gjatë Janarit mbetet në nivele të pandryshuara në krahasim me dhjetorin, në 11.9 për qind, tregojnë të dhënat e fundit të institutit të statistikave në vend.

Numri i të personave në kërkim të punës ndërkohë është rritur me vetëm 2000 persona. Në krahasim me janarin e vitit 2016 ndërkohë, rritja fiksohet në 126 mijë persona.

Lajmi më i mirë duket se është shifra e papunësisë te të rinjtë, që ka zbritur në 37.9 për qind gjatë janarit, nga 39.2 për qind që ishte gjatë muajit paraardhës. Numri i të punësuarve gjatë Janarit fiksohet në 30 mijë në krahasim me muajin dhjetor, dhe në 236 mijë në krahasim me Janarin e vitit të kaluar.


Të punësuarit gjatë muajit të parë të vitit janë kryesisht meshkuj mbi 50 vjeç. Papunësia e lartë është një ndër problemet kryesore të ekonomisë së tretë më të madhe të Eurozonës dhe progresi gjatë viteve të fundit ka qenë mjaft i ngadaltë.

Papunësia te të rinjtë nga ana tjetër tregon mjaft mirë gjendjen që po kalon ekonomia italiane. Edhe në Eurozonë, norma e papunësisë mbetet e pandryshuar në krahasim me dhjetorin, në 9.6 për qind. në bashkimin europian ndërkohë, ka një rënie tyre lehtë në 8.1, nga 8.2 për qind që ishte gjatë dhjetorit. /Telegrafi/