LAJMI I FUNDIT:

Tetova akoma pa transport urban

Tetova akoma pa transport urban

Gati se dhjetë vite qytetit të Tetovës i mungon transporti publik, shkruan gazeta KOHA. Gjatë tërë kësaj kohe, pas falimentimit të ndërmarrjes autotransportuese “Polet”, transporti publik është i paorganizuar dhe i njëjti zhvillohet me furgonë dhe disa kompani të tjera private. Kjo ka bërë që gati se dy vite më parë të sillet një vendim në Këshillin e komunës që të themelohet Ndërmarrja për Transport Publik, por e njëjta ende nuk është funksionale dhe ka ngelur vetëm në letër.

Nga Komuna e Tetovës thonë se ende nuk kanë përgjigje lidhur me kërkesën në Qeveri për furnizim me autobus që të funksionalizohet transporti publik. “Pas sjelljes së vendimit për themelimin e Ndërmarrjes për Transport Publik, kemi kërkuar dhe ende nuk kemi marrë përgjigje nga Ministria për Transport dhe Lidhje, që me shembullin e qytetit të Shkupit të cilit iu dhuruan të gjithë autobusët për rinovimin e mjeteve për transport publik, të ndajë tetë autobus komunës së dytë më të madhe në Maqedoni, respektivisht Komunës së Tetovës”, tha për KOHA, Armend Fazliu, shef i Zyrës për komunikim, protokoll dhe marrëdhënieve me publikun.

Por, krahas mos marrjes së përgjigjes nga ana e Qeverisë dhe Ministrisë së Transportit për këtë kërkesë, komuna është duke shqyrtuar mundësinë që vet të gjejë mënyra për të bërë reale dhe funksionale ndërmarrjen për transport publik.


Ndryshe, Komuna e Tetovës, tashmë shqyrton variantet për zgjidhjen e problemit të Transportit Urban, problem ky i kamotshëm në këtë komunë, pasi që komuna është duke pritur përgjigje nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve për furnizimin me autobus dhe nuk ka asnjë përgjigje kthyese, pritet që të gjejë mënyra të tjera për të vënë në praktikë funksionalizimin e Ndërmarrjes Publike Transportuese.