LAJMI I FUNDIT:

FED mban normën e pandryshuar

FED mban normën e pandryshuar

Rezerva Federale e mbajti normën bazë të interesit të pandryshuar në segmentin 0.5-0.75%, në takimin e parë të politikave monetare që kur Donald Trump mori detyrën.

Megjithatë, banka dha një perspektivë optimiste për ekonominë e Shteteve të Bashkuara, duke rritur pritshmëritë për tkurrje të ciklit monetar këtë vit. Rezerva Federale deklaroi se tregu i punës po fuqizohet, me normën e papunësisë në 4.7% dhe inflacioni e besimi mbi ekonominë po rriten.

Politikëbërësit e bankës nuk thanë se kur do të ndërmarrin lëvizjen e radhës dhe po presin për të dhëna nga ndikimi që do të kenë politikat e Trump. Tregjet financiarë nuk patën reagime të mëdha pas vendimit, pasi investitorët e prisnin ndërhyrjen e bankës në muajin qershor.
Rezerva Federale rriti normën bazë të interesit në dhjetorin e kaluar për të dytën herë në një dekadë dhe parashikon 3 ndërhyrje këtë vit.


Kryetarja e bordit të FED, Janet Yellen ka thënë se, ndërsa ekonomia ndodhet në punësim të plotë, banka rrezikon të tejkalojë objektivin e nivelit të çmimeve nëse ndërhyn në mënyrë të ngadaltë.

Politikëbërësit bënë të ditur se presin ende që inflacioni të arrijë 2%-shin objektiv në terma afat-mesëm. Nga ana tjetër, politikat fiskale nën administratën e re, duken të paqarta.

Premtimet e Presidentit për shpenzime në infrastrukturë, ulje të taksave, heqje të akteve rregullatore dhe rinegocim të marrëveshjeve tregtare mund të rrisin shpejtë inflacionin, gjë që do të kërkojë ndërhyrje më të shpejtë nga banka. /Telegrafi/