LAJMI I FUNDIT:

Meta letër Nishanit: Mblidh Këshillin e Sigurisë Kombëtare

Meta letër Nishanit: Mblidh Këshillin e Sigurisë Kombëtare

Kreu i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta i ka dërguar një letër Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, në lidhje me Klement Balilin.

Si anëtar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Meta thotë se duhet të mblidhet sa më parë ky Këshill “me qëllim analizimin e të gjitha veprimeve apo mosveprimeve të institucioneve shqiptare të ngarkuara me ligj për ndjekjen e procedurave për çështje të tilla”, shkruan gazeta Shekulli.

Letra e plotë e kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta dërguar presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishani:


Duke ju falënderuar për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e deritanishëm në ushtrimin e kompetencave dhe funksioneve kushtetuese, në cilësinë e anëtarit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, më lejoni që t’ju parashtroj kërkesën si vijon: Ashtu siç edhe mund të jeni bërë me dije, nga media e shkruar dhe elektronike apo burime të tjera informacioni, Klement Balili, një person me probleme serioze me ligjin, pavarësisht akteve procedural apo akuzave, të përcjella apo të paraqitura nga organet kompetente shqiptare apo ndërkombëtare, ende nuk është ndaluar për t’iu nënshtruar drejtësisë.

Partnerët tanë të SHBA, por edhe të tjerë ndërkombëtare, kanë përcjellë shqetësime dhe rezerva për mosndalimin e tij si dhe moskryerjen e veprimeve të shpejta dhe efikase, nga organet kompetente shqiptare, sipas përcaktimeve të akteve ndërkombëtare dhe legjislacionit në fuqi.

Për shkak të seriozitetit që paraqet çështja në fjalë dhe shqetësimit që ekziston për mosveprimin e institucioneve shqiptare, paraqes kërkesën: Në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Ju të thërrisni në një kohë sa më të shpejtë një mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, me qëllim analizimin e të gjitha veprimeve apo mosveprimeve të institucioneve shqiptare të ngarkuara me ligj për ndjekjen e procedurave për çështje të tilla.

Thirrja e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare për çështje, do të dëshmojë seriozitetin e institucioneve dhe organeve të shtetit shqiptar për adresimin e përgjegjësive konkrete si dhe angazhimin që ato kanë në trajtimin e rasteve të tilla, me impakt në sigurinë kombëtare.

Me besim të plotë në marrjen në konsideratë të kësaj kërkese, Ju falënderoj për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin.