Njeriu që e turpëroi ambasadorin dhe sigurimin e famshëm sekret britanik ishte një mashtrues par exscellence nga Prishtina i cili ishte shpërngulur për të jetuar në Ankara. Ai hyri në histori si spiuni më i suksesshëm gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Cicero, shërbëtori personal i ambasadorit britanik në Ankara, është karakterizuar si personi që krijoi operacionin më të suksesshëm të spiunimit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Cicero, që ishte emri i koduar i Ilaz Baznës, një shqiptar i lindur në vitin 1904 në Prishtinë, ka furnizuar gjermanët me një mori sekretesh. Sikur gjermanët t’i kishin marrë seriozisht dokumentet e furnizuara, ‘Operacioni OVERLORD’ (përgatitja për Ditën e Zbarkimit në Normandi) do të rezultonte ndryshe. Me siguri ndryshe do të ishte edhe rrjedha dhe përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.
Pas përfundimit të luftës kjo ngjarje pati një jehonë të madhe, por nuk përfundoi me turpërime të mëdha diplomatike për Britaninë dhe nuk u shqiptuan sanksione apo dënime të rënda për askënd. Ngjarja u shpalos në tregimin e atasheut ushtarak, Ludwig Moyzisch-it, i cili nga ambasada gjermane u mor me dokumentet sekrete. Moyzisch, menjëherë pas luftës botoi librin “Operation Cicero”. E, menjëherë pas këtij libri u lajmërua vetë Cicero (Ilaz Bazna) dhe botoi variantin e tregimit te vet në librin: “I was Cicero” (Unë kam qenë Ciceroni). Nuk vonoi shumë dhe u xhirua edhe filmi me këtë tematikë që pati jehonë të madhe. Filmi “Five Fingers” (Pesë Gishta) u gjirua më 1952 ku rolin e Ciceros (Ilaz Baznës), e luajti aktori shumë i njohur, James Mason.
Deri para pak kohesh kjo ngjarje u fol e u përfol duke u bazuar në këto dy botime dhe në filmin që pati shikueshmëri të madhe. Por, një pyetje që bëhej shpesh, ishte: sa janë të vërteta këto tregime dhe cila ishte prapaskena e kësaj ngjarje? Asnjëherë nuk është ditur qëndrimi zyrtar britanik pasi që çështjet e sigurisë në Britani të Madhe nuk komentohen zyrtarisht.
Tashti, pas bërjes publike të shumë dokumenteve, kjo punë gati tërësisht është bërë e qartë. Dosjeve të Operacionit Cicero iu është hequr embargoja shumëvjeçare. Janë hapur një mori dosjesh nga MI5, MI6, Arkivi Nacional, Ministria e Brendshme dhe ajo e Jashtme Britanike. Brenda këtyre dosjeve që u mbajtën sekrete për shumë kohë, ekzistojnë edhe dosjet gjermane që janë arkivuar për këtë rast në Berlin. Aty gjenden edhe shënimet e përkthyera në gjermanisht që kanë të bëjnë me rastin në fjalë.
Ilaz Bazna kishte punuar nga tetori i vitit 1943 deri në mars të vitit 1944 si shërbëtor personal i Sir Knatchbull-Huggessen-it, ambasador i Britanisë së Madhe në Republikën e Turqisë. Duke e shfrytëzuar nivelin e ulët të sigurimit në Ambasadë, Bazna ka qenë në gjendje t’i fotografojë dokumentet, nga më sekretet, të cilat pastaj ia shiste Ambasadës gjermane në Ankara. Gjermanët, në komunikimin zyrtar, e regjistruan Baznën me emrin Cicero pasi që dokumentet që sillte ai flisnin shumë. Me këtë emër u quajt edhe i tërë operacioni.
Hapjet e dokumenteve të reja flasin për detajet e operacionit të cilat sot mund të cilësohen si të pabesueshme. I pabesueshëm është fakti se si Ambasada britanike kishte funksionuar me një siguri të nivelit të ulët sa që ishin krijuar raste të cilat i kishte shfrytëzuar shërbëtori i zhdërvjelltë i ambasadorit. Dokumentet flasin se operacioni që ndodhi gjatë disa muajve, u ndriçua në tërësi vetëm pas përfundimit të luftës.
Autoritetet e sigurimit shtetëror britanik e mësuan emrin e operacionit (Operacioni Cicero) dhe themeluan identitetin e Cicerosë gati tri vite pas ngjarjes. Britanikët i kuptuan detajet e rrjedhës së kësaj ngjarje që u mblodhën vetëm pas vitit 1945 pas marrjes në pyetje të disa zyrtarëve gjermanë që ishin të përfshirë në këtë operacion. Shërbimi Sekret Britanik (MI5) përpiloi një raport pasi që mori në pyetje Ludwig Moyzisch-in, Maria Molkenteller-in dhe Walter Schellenberg-un, i cili ishte epror përgjegjës i Sigurimit Policor të SS dhe komandantit të Armatës VI gjermane. Informata tjera të dobishme ishin mbledhur edhe nga marrja në pyetje e përgjegjësit të SS, Ostuf Schuddekopf, i cili në Ambasadën gjermane kishte shërbyer si udhëheqës i Sektorit për Britaninë e Madhe.
Përgjigjet që i kishte dhënë Schuddekopf-i konsiderohen më të besueshmet pasi që ky ishte njeriu më përgjegjës për Operacionin Cicero. Nga të gjitha këto intervista, dhe nga fakte tjera, është përpiluar një raport zyrtar nga ku del një ngjarje që fare pak është e ngjashme me atë që lexohet në librin e Moyzisch-it, në atë të Baznës, si dhe në ngjarjen e filmit që është punuar nga skenari hollivudian.
Dokumentet, po ashtu, bëjnë me dije se në janar të vitit 1944 shërbimi sekret britanik kishte rënë në gjurmë të spiunimit dhe kishte bërë disa kurthe për zënien e spiunit, por e tërë kjo ishte bërë pa lejen dhe pa dijeninë e Sekretarit të Jashtëm Britanik. Kurthet rezultuan të pasuksesshme për spiunin e zhdërvjelltë, Baznën.
Me 17 janar 1944, britanikët, nga burimet e tyre sekrete, morën informata se ambasadori gjerman, von Papen, po merrte dokumente të rëndësishme nga burimet britanike. Një lajm i tillë i tronditi rëndë përgjegjësit e sigurimit dhe udhëheqjen e lartë qeveritare në Londër. Për këtë u informua kryeministri Winston Churchill, i cili menjëherë e lajmëroi presidentin e SHBA-ve, Franklin Roosevelt-in, për seriozitetin e kësaj çështjeje.
Churchill urdhëroi të ndërmirren masa dhe Foreign Office, pa u vonuar, dërgoi në Ankara Sir John Dashwood-in, për të hulumtuar rastin. Operacioni kundërzbulues ishte i karakterit aq të ngushtë sa që nuk ishte informuar as Ministria e Luftës, siç e kërkonte ligji. Dashwood kishte përpiluar një urdhëresë të falsifikuar kinse operacioni ishte autorizuar nga Sekretari Shtetëror Anthony Eden. Ishte falsifikuar edhe nënshkrimi i sekretarit shtetëror i cili për këtë veprim kishte mësuar disa vite më vonë. Dokumentet flasin për detaje tjera të cilat edhe në filmat më spektakolar të ditëve të sotshme janë të paimagjinuara.
E mira e tërë kësaj pune ishte se nazistët gjermanë, duke mos i besuar spiunit të tyre Cicero, nuk i kishin shfrytëzuar këto dokumente me informata që kishin vlerë të jashtëzakonshme. Ambasadori gjerman në Turqi, Von Papen, me siguri ka kruar kokën duke e mallkuar veten dhe përgjegjësit në Berlin që nuk iu besuan këtyre dokumenteve me vlerë aq të madhe jo vetëm për ta, por edhe për rrjedhën e tërë Luftës së Dytë Botërore. Ka qenë vetëm një detaj në të cilin kanë besuar gjermanët dhe i cili i ka gëzuar. Nga dokumentet është pa qartë se aleatët nuk kishin ndonjë plan për të zbarkuar në Ballkan dhe ky fakt për llogarinë e gjermanëve ka qenë një ndihmë e madhe.
Viktima e parë, dhe e vetme siç duket, ka qenë ambasadori Sir Knatchbull-Hugessen, të cilit i ishte dëmtuar dukshëm reputacioni që e gëzonte si një diplomat superior dhe si aristokrat në zë. Ai, gjatë tërë jetës ishte munduar ta arsyetonte veten për neglizhencën e tij në Ankara. Mbajtja e dokumenteve në embargo, me siguri se i ka ndihmuar shumë ambasadorit në publik, por jo në qarqet e ngushta zyrtare të cilat kanë qenë në dijeni me përmbajtjen e raportit ekzistues që kishte karakter të shfrytëzimit të ngushtë të brendshëm.
Sir Knatchbull-Hugessen, në shtator të vitit 1944 ishte transferuar nga Ankaraja në Bruksel. Në Raportin Dashwood ishte konstatuar se Knatchbull-Huggessen, me neglizhencën e tij kishte krijuar faktorin kontribuues të thyerjes së sigurisë në Ambasadë. Qeveria britanike e mori vesh këtë skandal në fund të vitit 1945, kurse publiku i gjerë u njoftua pas pesë viteve, më 1950, kur Moyzisch botoi librin e tij. Pas daljes në dritë të këtij libri, në Parlamentin britanik, më 18 tetor 1950, deputeti W.S. Shephard i kishte bërë pyetje Sekretarit të Jashtëm në lidhje me skandalin. Sekretari Ernest ishte përgjigjur: “Shërbëtori personal i ambasadorit ka pasur sukses në fotografimin e një numri të dokumenteve tejet sekrete në Ambasadën tonë, dhe këto dokumente, të filmuara, ua ka shitur gjermanëve. Ai nuk do të kishte mundësi ta bënte këtë sikur ambasadori ynë t’ju kishte përmbajtur rregullave të cilat përcaktojnë menaxhimin dhe kujdesin për dokumentet sekrete”.
Në vazhdën e aktivitetit për shfajësim, më 1964, Knatchbull-Hugessen i ka dërguar Foreign Office-it një memorandum ku mes tjerash shkruan për variantin e tij të ngjarjes ku merr përgjegjësi për skandalin, por duke kërkuar nga zyrtarët që memorandumi të mos publikohej.
Aktiviteti për shfajësimin e ambasadorit vazhdoi edhe pas vdekjes së tij. Sir Charles Mott-Radclyffe, një mik i ngushtë i Knutchbull-Haggessen-it, dhe deputet në Parlamentin britanik, me 2 prill të vitit 1971 i shkruan Sekretarit të Shtetit, Sir Denis Greenhill-it, duke kërkuar që të ndërmerret ndonjë hap zyrtar që do ta paraqiste të pastër ish-ambasadorin britanik në Ankara. Përgjigja ishte: ”Sido që ishte situata, e vërteta është se armiku nuk ka patur sukses vetëm pasi që nuk kishte besim”.
Me fjalë tjera, neglizhenca e Knatchbull-Haggessen-it ishte aq e madhe sa që nuk kishte vend për t’ia falur gabimin që do t’ia kthente reputacionin që gëzonte më parë. Nga dokumentet shihet se Operacioni Cicero është një dështim i turpshëm i sigurimit në një pikë të diplomacisë britanike, për të cilin britanikët do të preferonin të mos flasin. Njeriu që turpëroi jo vetëm ambasadorin, por edhe sigurimin e famshëm sekret britanik nuk ishte askush tjetër pos një mashtrues par exscellence nga Prishtina i cili ishte shpërngulur në Ankara duke e ditur se ky qytet i ofron hapësirë dhe raste të mëdha për veprimtarinë e tij.
Në nivel të detyrës nuk ishin as nazistët gjerman, pasi që nuk besuan se dokumentet ishin të vërteta. Ilaz Bazna ishte i vetmi që kreu punën e spiunit ashtu siç duhet. Por, Bazna, si mashtrues që ishte, edhe ai përfundoi i mashtruar në këtë lojë. Bazna mori para të mëdha nga gjermanët. Shuma e parave që mori ishte 300 mijë funta të cilat sot me siguri do të kishin vlerën e disa dhjetëra milionëve. Por, nuk pati mundësi t’i shfrytëzonte pasi që ishin të falsifikuara. Këtë fakt ai e mori vesh kur pas luftës filloi ta ndërtonte një hotel. Banka a Anglisë, ku i kishte dërguar funtat për ndërrim të valutës, e njoftoi se ato ishin letra të thjeshta dhe të pavlerë. Disa herë e kishte kontaktuar Qeverinë gjermane duke kërkuar kompensim për mashtrimin që ia kishin bërë nazistët por nuk mori kurrë përgjigje.
Pastaj Bazna u shpërngul në Stamboll ku punoi si mësues privat i muzikës dhe si shitës i veturave të përdorura. Në kërkim të jetës më të mirë, në vitin 1960 u shpërngul në Mynih të Gjermanisë ku punonte si recepsionist dhe roje nate në një hotel të zakonshëm.
Një njeri që pati në duar fatin e historisë së tërë Luftës së Dytë Botërore, përfundoi si i parëndësishëm. Ilaz Bazna – CICERO vdiq në dhjetor të vitit 1970. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje