LAJMI I FUNDIT:

Oda apo Facebook-u?

Oda apo Facebook-u?

Qysh ka thënë dikush, shumë kohë përpara Ramizit, qëllimi i arsyeton mjetet. Te ne as në oda e as në Facebook nuk ka dilema rreth kësaj. Dilemat janë të tjera dhe janë krejtësisht teorike; janë dilema shkencore; pra, qoftë nga shkencat e natyrës apo edhe ato shoqërore. Veç në politikë dhe në histori nuk ka dilema. Politika ecë përpara e historia menjëherë pas sajë. Populli rresht pas tyre. Historia e asiston politikën, e populli e bënë historinë. E ku me shkue populli, kur opozita destruktive na la pa viza, prandaj edhe sillet në rreth. Çka me ba tjetër?

E, kush është më i fortë: Oda apo Facebook-u? Forca dhe fuqia, më së miri dëshmohet në luftëra. Kjo luftë, gjithsesi historike, u zhvillua si të gjitha luftërat e lavdishme, pikërisht në Drenicë. Duke u nisur nga paragjykimi se Drenica po e sundon Kosovën, armiku vendosi të e pushtojë pikërisht Drenasin, atë pjesën e lënë anash të Drenicës.

Armiku si armiku, gjithnjë kërkon të kapet te mosmarrëveshjet dhe xhelozitë e brendshme. Krejt pak u desh që Facebook-u kësaj radhe të e mundte odën, ku kishin dalë i madh e i vogël nga forcat partiotike të Drenicës. Nuk është gabim në të shkruar! Pikërisht forcat partiotike, e jo patriotike, sepse atje patriotizmi ende lidhet me partinë. Pra, partiotike, dhe kur jemi te partia më e madhe në këtë botën tonë të vogël, duhet theksuar se ajo me mençuri e zgjodhi dilemën, pra e zgjodhi odën. E vlerësoi saktë se oda është forcë që sjell fuqinë, se Facebook-u ende është veç argëtim. Sa për me luajt… p’e dini ma!
E kur në Facebook u gëzuan se po fiton demokracia në Drenas, atëherë dikush e hodhi dilemën e madhe shkencore, e cila edhe e përcaktoi fatin e fushatës(luftës).


Ajo që e mori vëmendjen në këtë fushatë te ne ishte dilema shkencore: Forca apo Fuqia? E shpjegoi qysh është më së miri djali i babës së vet, me formulë të thjesht nga libri i Fizikës për klasë të… nuk e mbajta mend cilës! Sido që të jetë, dukej bindëse për ne që nuk e kuptojmë kushedi sa fizikën. Duket se Ramizi kishte të drejtë, shkenctarisht. Por, as kjo nuk i mjaftoi Facebook-ut.

E, politikisht, pyesin banorët e Facebook-ut? Ç’është e dëshmuar tashmë se nëse nuk e kupton Fizikën nuk e kupton as politikën. Sidomos atë pjesën për fuqinë dhe forcën politike. E keni parasysh atë definicionin për shtetin ku thuhej se shteti, është aparat i dhunës në duart e klasës sunduese? Kush o klasa sunduese te ne, po e dimë, por tash çka është dhuna? Dhuna është forcë apo fuqi? Veç Ramizi e tfillon. Po, fuqia? Është dhunë apo para në duart e klasës sunduese?

Nejse! Ka edhe dilema të tjera me të cilat mund të merret Ramizi, po edhe kolegët e tjerë nga komunat. Për shembull, është e paqartë edhe dilema: i ditur apo i mençur. Ndodhë që i dituri shkon në shkollë rregullisht dhe merr diplomën, ndërsa të mençurit i vjen diploma në shtëpi. Ia sjell shoferi. Jo veç diploma, por edhe titujt e tjerë. Sepse, që ta dini ju, njeriu mund të di shumëçka por të mos jetë aspak i mençur. Nuk di me e përdorë dijen për interesa të veta? Hajt, më thoni se cili i ditur u bë milioner?

A nuk janë me mijëra ekspert të ekonomisë, doktor shkencash, madje me disa doktoratë nga universitete prestigjioze, të ditur si askush tjetër, të thyejnë kokën me citate nga kokat e ndritura të ekonomisë dhe jetojnë nga paga? Asnjë nga ata nuk ka bërë biznes.

Në anën tjetër, ka nga ata që tërë kohën, në shkollë, ishin me dysha, në të gjitha nivelet dhe pastaj falë mençurisë i radhitën zerot pas dyshit dhe u bënë milioner. Ishin të mençur pra, nuk e lodhnin kokën me teori.

Por, e lamë rrëfimin përgjysmë. Një gjë e gjëzë e hedhur në mënyrë dinake nga Ramizi, e përçau keq elektoratin “anti-Drenicë” në Facebook. Do ti, për ndonjë arsye të panjohur krejt Kosova u bë kureshtare se kush po fiton në Drenas, edhe pse shumica prej tyre vështirë se e bënë dallimin në mes të këtij qyteti dhe Skenderajt. Edhe Drenasi është Drenicë, thanë ata, edhe pse ka mendime se aq është lënë padore, sa gjysma e anekdotave, sidomos atyre për asfaltin dhe punësimet nuk përshtaten edhe për ata. Me një fjalë, Drenica asnjëherë nuk është përmendur më shumë se në këto zgjedhje lokale, edhe pse vetëm Drenasi po mbante zgjedhjet për kryetar të komunës.

Pas kësaj fitoreje, mbase edhe Skenderaj i trimëruar nga pafuqia e Facebook-ut për të bërë ndryshime, mund të shpallë zgjedhjet e lira, për të shprehur parti-otizmin e vet, por mundet edhe me e lënë lirisht deri në zgjedhjet e radhës pas disamuajshe, sepse edhe ashtu nuk po hetohet mungesa e kryetarit. Ai është atje, ndërkaq populli e di që liria e ka kuptimin e disiplinës dhe rreshtimit pas fuqisë. Fuqia është forca e cila e shtynë popullin me u bindë, me i krye obligimet e veta, ose me besua.

Pra, qysh edhe e keni marrë vesh nga lajmet qendrore në RTK, shtëpinë (mediave) publike të partisë, në Drenicë fitoi, askush tjetër përpos Drenica. Të tjerët nuk kishin gjasa! Ndoshta sepse të gjithë kandidatët ishin nga Drenasi. Kësaj fitoreje iu gëzua krejt Drenica sepse nëpër oda u përhap një frikë e madhe se dikush i jashtëm mundet me e marrë pushtetin atje. Jo, drejtpërdrejtë natyrisht, por në bashkëpunim me armikun e brendshëm. Fitoi Ramizi dhe Drenica shpëtoi, edhe kësaj radhe.

Paramendojeni sikur të kishte fituar një gjakovarë, apo llapjan, në Drenicë! Pastaj, të thyhej akulli dhe pushteti qendror të caktonte kryetarët e komunave vet. Për shembull, a mund të paramendoni se si do të dukej sikur në Podujevë të dërgonte një kryetar nga Skenderaj, e në Mitrovicë një nga Malisheva? Apo në Prishtinë të fitonte dikush nga Klina? Me këqyr kush ku po i merr tenderët, edhe prej aty me e bë edhe kryetarin…

Le krejt, më së miri, secili në vend të vet. Guri peshon në vend të vet, ka thënë dikush në një status në Facebook.

Për fund, e çka me pritë prej atyre që nuk e kuptojnë dallimin në mes të forcës dhe fuqisë? Kur jemi te Drenica, sipas disa analistëve të jashtëm, është e qartë se dallimi në mes forcës dhe fuqisë është se forca është në Drenas e fuqia në Skenderaj! Nuk është?

Në përmasa kosovare gjërat ende janë më pak të qarta. Në dukje të parë, mund të thuhet se forca është opozita, e fuqia është në pushtet….! Është? Na duhet ndihmë, që nocionet të sqarohen edhe në nivel qendror. Mos e përjashto si mundësi, Ramiz!