LAJMI I FUNDIT:

Rreth 70 prodhues vendor promovojnë produktet në Panairin e Dimrit

Rreth 70 prodhues vendor promovojnë produktet në Panairin e Dimrit

Zyra e Bashkimit Evropian dhe Komuna e Prishtinës organizuan panairin dimëror në sheshin “Skenderbeu” për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe bizneset e sapoformuara për promovimin e produkteve të tyre.

Rreth 70 prodhues po marrin pjesë në këtë panair të cilët kanë gjetur përkrahjen nga projekti i Komisioni Evropian dhe i implementuar nga ARDA.

Luigi Brusa nga Komisioni Evropian tha se ky panair po bëhet tradicional sepse çdoherë po organizohet në fundvit. Ai tha se është me rëndësi se bizneseve po iu jepet mundësia e promovimit të produkteve për zhvillimin e tyre.


“Është me rëndësi të ceket se në organizime të tilla bizneset e vogla, ekonomitë shtëpiake në Kosovë e kanë mundësinë të promovojnë produktet e tyre në mënyrë që të kenë shitje më të mëdha dhe organizime më të duhura. Është fantastike vet fakti që kemi një mori kaq të ndryshme të bizneseve të cilat po ekspozojnë këtu produktet e tyre cilësore”, theksoi Brusa.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami theksoi se ndërmarrjet e vogla dhe të mesme janë prodhues të produkteve cilësore. Ajo tha se edhe mbështetja e Qeverisë nuk ka munguar për këta prodhues.

“Gjatë këtij viti së bashku por edhe në mënyrë të veçmas kemi organizuar shumë panaire, gjë e cila është shumë pozitive, sepse po tregon që shumë ndërmarrje tona vendore po prodhojnë produkte kualitative. Këto produkte kanë nevojë për promovim dhe kanë nevojë për hapësira tregtare gjë të cilën ne po mundohemi që së bashku ta krijojmë përmes organizimit të panaireve”, tha Bajrami.

Kryetari i komunës së Klinës, Sokol Bashota, i cili është edhe kryesues i Bordit të ARDA-së, tha se mbështetja e bizneseve të vogla është njëra ndër objektivat e ARDA-s. Në kuadër të saj, ai tha se janë ndarë grante në vlerë 1 milion euro duke i mbështetur mbi 100 biznese të vogla dhe të mesme.

“Mbështetja e ndërmarrësisë së vogël dhe të mesme e veçanërisht e bizneseve që me punën e tyre bëjnë që të zvogëlohen produktet e importit, andaj, është njëri nga objektivat më të rëndësishme të ARDA-së që nga themelimit i saj. Në funksion të kësaj ARDA këtë vit ka lansuar një skemë grantesh në vlerë prej 1 milion euro që ka pikërisht këto qëllime. Nga kjo do të përfitojnë mbi 100 biznese të vogla dhe të mesme “, tha Bashota.

Edicioni i katërt i panairit zgjat tri ditë me produkte të bulmetit, verërave, mjaltë, produkte të veshjeve artizanale dhe të tjerë, ku që të gjitha janë prodhime vendore. /Telegrafi/