LAJMI I FUNDIT:

Mustafa: Po punojmë që të sigurojmë votat për Demarkacion

Mustafa: Po punojmë që të sigurojmë votat për Demarkacion

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se nuk ka ndonjë datë të caktuar se kur do të procedohet ligji për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, mirëpo ka thënë se po punohet që një gjë e tillë të ndodh sa më shpejt.

I pyetur nga gazetarët, Mustafa është shprehur se aktualisht është duke u punuar që të sigurohen votat e nevojshme për kalimin e këtij ligji në mënyrë që të procedohet para deputetëve.

Ndërsa, ai ka thënë se miratimi i ligjit për Demarkacionin me Malin e Zi është i nevojshëm jo vetëm për liberalizimin e vizave, por edhe sovranitetin e vendit.


“Mund t’iu them se nuk e kemi ndonjë datë të veçantë por po punojmë që të sigurojmë që në momentin kur të shkojmë në kuvend të kemi votat, është një vendim tepër i rëndësishëm jo vetëm për liberalizimin e vizave por edhe për shënimin e vijës kufitare që nënkupton sovranitetit shtetëror të Republikës së Kosovës dhe unë mendoj se duhet të arrijmë që të bëjmë votat e nevojshme të kapërcejmë këtë, të kalojmë këtë fazë dhe të merremi pastaj me çështje tjera jetike të vendit”, tha Mustafa.

Ligji për demarkacion me Malin e Zi ishte proceduar në Kuvendin e Kosovës muaj më parë, mirëpo për shkak të mungesës së shumicës së votave nga deputetët për ta votuar atë, është hequr nga rendi i ditës.