LAJMI I FUNDIT:

FMN vlerëson Spanjën

FMN vlerëson Spanjën

Fondi Monetar Ndërkombëtar projekton një rritje të ekonomisë spanjolle në 2.3% gjatë vitit të ardhshëm, nga 3.2% rritje gjatë vitit aktual. Në raportin e fundit, institucioni vlerëson se, duhen reforma të mëtejshme për të adresuar problemin e papunësisë alarmante dhe borxhit të lartë publik.

Projeksionet janë lehtë mbi pritshmëritë e muajit Tetor, kur institucioni projektonte një rritje ekonomike në 3.1% për vitin aktual, dhe 2.2% për vitin e ardhshëm. Fondi Monetar Ndërkombëtar ka vonuar publikimin e këtij raporti në pritje të krijimit të një qeverie.

Vendi vuajti mungesën e ekzekutivit prej thuajse një viti, pas një krize të tejzgjatur politike. Pavarësisht kësaj krize, ekonomia spanjolle ka dhënë shenja pozitive dhe mbetet një ndër ekonomitë me rritjen më të shpejtë në Eurozonë.


Papunësia nënvizohet si problemi dhe sfida numër një për vendin. Institucioni rekomandon masa për të nxitur krijimin e vendeve të punës. Edhe konsolidimi fiskal vlerësohet si prioritet në mënyrë që të ulet disi norma e lartë e borxhit publik në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto. /Telegrafi/