LAJMI I FUNDIT:

Cilësia e ajrit është prioritetet i Ministrisë së Mjedisit

Cilësia e ajrit është prioritetet i Ministrisë së Mjedisit

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë me vëmendje është duke ndjekur gjendjen e ajrit në Kosovë, gjatë ditëve të fundit, dhe përkitazi me situatën është shtuar edhe gatishmëria e MMPH-së, për marrjen e masave dhe për përmirësimin e gjendjes.

Në kuadër të këtyre veprimeve tash disa ditë raportohet në baza ditore për cilësinë e ajrit për regjionin e Prishtinës, që konsiderohet si një ndër zonat me ndotjen më të lartë, dhe është shtuar informimi i qytetarëve përmes mediave dhe formave tjera të informimit.

“Gjendja aktuale e cilësisë së ajrit, vjen si pasojë e një varg faktorëve duke përfshirë kushtet meteorologjike, emetimet e shtuara nga transporti, emetimet nga sektori i energjisë dhe nga industria. Sipas informatave nga raportimet online, cilësia e ajrit është e ngjashme e në disa raste edhe më e rënduar në të gjitha qendrat e regjionit të Ballkanit dhe më gjerë:, thekson njoftimi i Ministrisë së Mjedisit.


Sektori i ajrit dhe përmirësimi i cilësisë së tij është një ndër sektorët me prioritet për MMPH. “Përkundër kufizimeve buxhetore në sektorin e mjedisit, për vitin 2017, MMPH ka ngritur buxhetin për mirëmbajtjen e stacioneve monitoruese nga 60 mijë euro sa ishin në vitin 2016 në 150 mijë euro. Po ashtu janë planifikuar edhe 40 mijë euro për projektin e instalimit të softwerin qendror për informimin në kohë reale të publikut për cilësinë e ajrit”.

MMPH po ashtu ka hartuar edhe projekte tjera që përfshijnë inventarizimin e emisioneve në ajër dhe monitorimin e emisioneve në ajër nga impiantet me djegie të mëdha. Një i tillë është ai me JICA, në vlerë prej 4 milion dollarë që pritet të fillojë së implementuari gjatë vitit 2017. “Ky projekt do të ndihmojë edhe në modelimin e shpërndarjes së ndotësve në ajër që do jetë një bazë e mirë për marrjen e masave për reduktimin e emisioneve në ajër”.

Po vazhdon ngritja e kapaciteteve teknike dhe humane në sektorin e ajrit, ku gjatë vitit 2016 është shtuar numri i të punësuarve në këtë sektor dhe po ashtu në kuadër të riorganizimit të MMPH, Instituti Hidrometeorologjik do të ketë një sektor të veçantë për ajrin.

“Është duke u punuar edhe në përmirësimin e politikave në sektorin e ajrit. Është duke u bërë amandamentimi i Ligjit për mbrojtjen e ajrit nga ndotja dhe është miratuar udhëzimi administrativ për burimet e lëvizshme të emisioneve, që aktualisht është në fazën testuese. Është punuar edhe në hartimin e Strategjisë për Cilësinë e ajrit, në hartimin e Planit të Veprimit për cilësinë e ajrit dhe në Planin e Veprimit për reduktimin e emisioneve në ajër”.
Po ashtu, vazhdon angazhimi për zbatimin e Ligjit për Lejet e Integruara Mjedisore, përmes së cilit operatorët ekonomik obligohen që të zbatojnë detyrimet e tyre në raport me mjedisin përfshirë edhe emisionet në ajër, dhe zotimet për përmirësimin e teknologjisë së prodhimit, me qëllim të reduktimit të ndotjes së ajrit.

“MMPH, u bënë apel edhe qytetarëve që gjatë këtyre ditëve, të jenë më të kujdesshëm sidomos në përdorimin e automjeteve për transport, në përdorimin e lëndëve djegëse dhe në forma të tjera të kontribuojnë në përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe mbrojtjen e tij nga ndotja”. /Telegrafi/