LAJMI I FUNDIT:

Krejt u bo m…, krejt u pështjell…, krejt ka shku në PS!

Krejt u bo m…, krejt u pështjell…, krejt ka shku në PS!

Të gjithë njerëzit janë të njëjtë; të gjithë personat e dashur janë zëvendësuar me mashtrues identikë. Asgjë nuk dihet saktë, gjithçka duket e njohur. Mediet sociale e krijuan centralizmin më të madh në histori dhe e izoluan njerëzimin në Hotelin “Fregolli”…!

Në vitin 1958, gjatë Luftës së Ftohtë, lideri sovjetik Nikita Khrushchev, tha diçka që amerikanëve nuk u pëlqeu fare: “Do t’ju varrosim”! Kjo fjali merrej si kërcënim me sulme nukleare, por në fakt përkthimi ishte literal. Khrushchevi kishte dashur të thoshte: “Do të jetojmë që t’ju shohim të varrosur (nga klasa punëtore)”! Nuk ishte fjalim miqësor, po jo edhe aq kërcënues sa t’i bëjë amerikanët të marrin masa “drastike”: pushtimin e hapësirës!

Më 1962, presidenti amerikan John F. Kennedy, thotë: “Kemi zgjedhur të shkojmë në Hënë”! Nga shumëkush kjo u pa si kundërpërgjigje ndaj “varrimit” nga sovjetikët, pra se do të shkojnë shumë lartë e assesi nën dhé. Amerikanët shkuan në Hënë dhe hapësirës nuk iu ndanë. Me të presidenti Ronald Reagan – përmes Iniciativës për Mbrojtje Strategjike, që nga kritikët cinikë u quajt Lufta e Yjeve – e kollaptoi dhe e varrosi komunizmin në Evropë.


Po ta dinte fuqinë e fjalëve, se me to nis e mbaron lufta, Khrushchev ndoshta do të kujdesej edhe për “humbjet në përkthim”!

LOGOS!

“Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte pranë Perëndisë, dhe Fjala ishte Perëndi” (Dhiata e Re, Gjoni, 1:1-1). Ky ndoshta do të ishte vargu më i domethënës, sikur të zbërthente fuqinë që duhet ta ketë fjala, si manifestim i arsyes dhe si bazë e rendit krijues.

“Fjala”, në këtë varg – sipas studiuesve të krishterë – nënkupton profetin kryesor të krishterimit, Jezuin. Për kritikët – sidomos ata jo të krishterë – kjo paraqet një nga gënjeshtrat më të mëdha në histori, që imponon besimin e “rrejshëm” te Triniteti. “Përkujto kur engjëjt i thanë: ‘Oj Mejreme, All-llahu të përgëzon me fjalën e vet’” (Kur’ani, Suretu Ali-Imran 3:45), është “kundërpërgjigja” që “sqaron” përmes “Fjalës”. Për besimtarët myslimanë, “Fjala” këtu nënkupton veç “lindjen e një fëmije si rezultat i fjalës së Zotit”! E, sipas studiuesve “laikë”, tek Dhiata e Re kemi të bëjmë me keqinterpretim të fjalës greke “Logos”. Meqë kjo pjesë e Ungjillit të Gjonit flet për Gjon Pagëzorin, që shpall ardhjen e Jezuit, atëherë “En archeé eén ho logos” do të thotë: “Në fillim u dha lajmi…”!

“Lajmi” pra u dha. Në fillim! Përmes “Fjalës”! Dhe, gjithçka lidhej me hyjnoren, me frymën… “Fjala” ishte thelbi i të gjitha kuptimeve. Por, mënyra se si u interpretua në dy librat më të shitur në historinë e njerëzimit, në Bibël e në Kur’an, kjo ende po i mban njerëzit të ndarë e edhe në luftëra të tmerrshme. Shkrimtari dhe profesori James Chapman, ka thënë se Dhiata e Re (Bibla), vetëm në 50 vitet e fundit është shitur në 3.9 miliardë kopje! “Fjala” pra është biznes – mall që shitet, por edhe armë që vret!

HOVNO!

Këtë biznes, në një mënyrë e dëshmon sondazhi i kryer kohëve të fundit, nga Pew Research Center, që tregon se shumica e amerikanëve nga mediet kërkojnë që në lajme të shpërfaqin vetëm faktet, pa interpretimet shtesë që “shiten”. Ky përfundim vjen pas keqkuptimeve të shumta në fushatën presidenciale të vitit 2016 në SHBA, ku lajmet nuk janë verifikuar, ndërsa me lajme të rreme shumë faqe në internet fituan besueshmëri – e madje u kanë konkurruar medieve serioze tradicionale. Këtë më së miri e ilustron Paul Horner, që jeton nga gënjeshtrat që i përhap në rrjetin social Facebook. “Njerëzit janë budallenj. Ata nuk ndalen së ndjekuri gjithfarësoj lajmesh. Askush nuk kontrollon, asgjë”, thotë ai.

Epikurianët në Greqinë antike kanë thënë se ngjarja në vetvete nuk do të thotë asgjë, sepse kuptimin në një ngjarje e jep interpretimi individual. Por, ky interpretim ka degraduar keq, prandaj profesori i regjisë dhe psikiatri Agim Selimi, thotë: “Sot jetojmë në një shoqëri tërësisht të kontaminuar, ku çdo interpretim është mosbesues, iracional, e që s’ka lidhje me realitetin”!

Pra, lajmi s’ka më vlerë, fjala s’ka më peshë. Dominon veç (keq)interpretimi!

“Je to všechno na hovno”, janë fjalët me të cilat përfundon “Audienca” e Havelit, që në shqip i bie disi si: “Mut u bo puna”! Regjisori Fatos Berisha, këtë fjali e përktheu “më shqip”: “Krejt ka shku n’pidh t’samës”! Sepse, si mund të jetë ndryshe kur një intelektual si Vanjeku (alter ego e disidentit Vaclav Havel), një burrë i sakrificave dhe idealit, i fjalëve me vlerë, dërgohet me punë në një birrari ku shef do ta ketë një injorant si Slladeku!?

Anglezët kanë përgjigje për këtë tragjikomedi absurdi – që pasqyron edhe marritë e shoqërive të sotme – përmes përkthimit të kësaj fjalie të fundit, me këtë kuptim: “Gjithçka u pështjell”!

NIKOMEN

Në Peru njihej dikur gjuha e “pështjellimit”. Ata merrnin një lak të trashë, e në të lidhnin tojat me ngjyra dhe me gjatësi të ndryshme. Në ato toja lidheshin nyjat. Sa më afër lakut të trashë ishte nyja, aq më e rëndësishme ishte çështja. Pastaj “flisnin” edhe ngjyrat. Toja e zezë do të thoshte vdekje, e bardha do të thoshte argjend ose paqe, e kuqja nënkuptonte luftën, e verdha – floririn, e gjelbra – bukën ose drithërat.

Ky shpjegim për këtë formë komunikimi, sado i shkurtër, do të kërkonte shumë toja e shumë nyja për t’u “shkruar”. Por, me to përçohej kryesorja: lajmi – shkurt e pa interpretime! Filipidi kaloi 40 kilometra – në vrap pa u ndalë – për në Athinë, për ta thënë gjënë kryesore për ato momente: lajmin e fitores ndaj persianëve në Maratonë. Ai e tha veç një fjalë: “Nikomen” (Fituam), dhe vdiq! Në Luftën e Vitit 1812, mes Britanisë së Madhe dhe SHBA-ve – që përfundon më 24 dhjetor 1814 – nuk qëlloi një Marathonomak që lajmin do ta çonte deri në Amerikën e Veriut. Në mungesë të tij, luftimet vazhduan edhe dy muaj, e me to edhe shkatërrimet dhe vdekjet…

Në Peru rëndësi kishte të mbështilleshin saktë nyjat e lajmit! Sepse, po të pështilleshin ato, e edhe ngjyrat, mund të ndodhte diçka e (pa)parashikuar. Kështu p.sh., më 13 korrik 1870, mbreti Wilhelimi i I-rë i Prusisë takon ambasadorin francez, kontin Vincent Benedetti. Në këtë takim miqësor, ambasadori kërkonte garanci nga mbreti prusian që të mos e mbështeste princin nga Shtëpia Hohenzollern, në kandidaturën e tij për fronin spanjoll. Për takimin u njoftua kryeministri Otto von Bismarck. Por, Bismarcku që kishte plane të mëdha për Prusinë, e pështolli qëllimisht përmbajtjen e telegramit që ua dërgoi medieve dhe ambasadave. Lajmi që u përhap i bënte edhe ata, e edhe francezët, të ndihen të fyer. Brenda një jave, Franca shpall luftën të cilën e fiton Prusia! Lajmi u keqinterpretua. Ambicia për dominimin gjerman në Evropë u arrit fal pështjellimit!

Rast i ngjashëm ka ndodhur në Kuvendin e Junikut, në maj 1912. Për të bindur Riza Beg Kryeziun që t’i bashkohej kryengritjes anti-turke, Hasan Prishtina ia përcolli një lajm të rrejshëm se pushteti i Sulltanit po synon me e burgosë në Gjakovë. Dhe, Riza tha kështu diçka: “Mu a? Kurrë! Unë me juve – kundër tyre”! Ai e mbajti fjalën!

LLOZI!

Fjala, siç shihet, dikur kishte peshë. Njerëzit kapeshin për fjale. Ndaj, duhej të ishe i kujdesshëm se çfarë flisje, sepse pasojat mund të ishin të mëdha. Kështu, për një fjalë fyese që ia thanë një gruaje tek kalonte nëpër Isniqin goxha të njohur për sharje – e që u bë lajm “i madh” e i “zbukuruar” me interpretime në Deçan – kërcet lufta mes Gashjanëve deçanas e Shaljanëve isniqas. Mbi 100 veta vriten e plagosen më 1842.

I tillë ishte mentaliteti në kohën kur nuk mund të shpallje, për pikë qejfi, njerëzit për pisa, tradhtarë, kriminelë, hajna, budallenj, spiunë, kurvarë, pedera… Fatmirësisht, njerëzit sot janë më pak gjaknxehtë. Megjithatë, ato tipare të këqija – për realitetin dhe perceptimet e ditëve të sotme – i kanë bërë shqiptarët të jenë më të matur, të mbijetojnë si komb e të kujtojnë të kaluarën, e besa edhe gojëdhënat, llafet e odave dhe kodet e pleqnarëve që më mirë se gjithçka tjetër shpërfaqin “misticizmin” e këtij populli: inteligjencën që është e shihet pak e hiq!

Pleqnarët ishin intelektualët e dikurshëm. Tobias Stone, në një shkrim për The Huffington Post thotë se intelektualët nuk luftojnë fëlliqtë, janë më pak të dhunshëm, ndaj përfundojnë në kampe, në burgje dhe në varre. Megjithatë, ata janë njerëzit që gjithmonë kanë lënë fjalë të mëdha.

Fjalët e tyre janë mundur, si gjithmonë, nga të fortët e kohës. Por, siç thonë pasuesit e taoizmit: uji që është shumë i butë – që u përshtatet të gjitha formave e u nënshtrohet edhe forcave më të vogla – është i pathyeshëm. Ndërsa, shkëmbi rrënohet me kohën. Edhe matematikani i njohur i lashtësisë, Arkimedi, mendonte se lëvizja, pra gjithçka, varet nga forca. “Ma jepni një vend ku ta vë llozin, dhe unë do ta lëviz botën”, citohet të ketë thënë ai. Mirëpo, filozofi gjerman, Friedrich Nietzsche, e shpjegoi ndryshe fuqinë e kësaj bote: “Gjithçka që më duhet është një copë letre e bardhë, dhe diçka për të shkruar mbi të. Pas kësaj, unë mund ta kthej botën përmbys”!

Prandaj, fjalët e pleqnarëve përcillen gjeneratë pas gjenerate. Ato kishin dhe kanë fuqi. Ndërkaq, simbolizojnë kohën kur dikur ka qenë një rend se ku kush ulet, se cili mund të flasë e të shtrojë pyetje, e kush veç të dëgjojë!

BRIANI…

Në Greqinë antike ka qenë i njohur Debati i Sokratit, si formë e dialogut për të shtruar pyetje dhe për t’u përgjigjur, për të nxitur kështu mendimin kritik. Në vitin 2015 realizohet filmi “Truth” (E vërteta), bazuar në punën e gazetares Mary Mapes në emisionin prestigjioz “60 Minutes” të CBS-it. Në këtë film që zgjat dy orë, 30 herë përmendet fjala “Pyetje”. Aty thuhet: “Shtrimi i pyetjeve u ndihmon gazetarëve të arrijnë deri tek e vërteta”! Apo: “Të shtrosh pyetje ka rëndësi. Kur ndalesh së shtruari pyetjet, atëherë populli amerikan humb”!

Por, pyetjet sot po reduktohen. Tash ka më shumë konkludime. Trapazani po mbetet zbrazët, e kushdo mund të zë vend në ballë të oxhakut. Shumëkush ka guxim të flasë, në çdo moment, të “zbërthejë” probleme, të “di” të vërtetën, të jetë “pleqnar” që “pleqëron” që në rini… Por, “guximi i tepruar shkon gjer në krim” (Albania 6, 1905), ka thënë Faik Konica.

Te një prej komedive më të njohura në botë, filmi “Life of Brian” nga Monty Python, “profetët potencialë” janë në shesh, flasin gjithçka, por fiton ai që mbledh më së shumti dëgjues e më vonë ndjekës. “Do të ketë ngatërresa të mëdha se ku tamam janë sendet… dhe askush nuk do ta dijë se ku vendosen ato gjërat e vogla… e gjatë gjithë kësaj kohe, shoku do ta humbasë çekiçin e shokut, e të rinjtë nuk do ta dinë se ku janë gjërat që i kishin etërit, që i kishin vendosur etërit e tyre pak para orës 8:00”, thoshte njëri nga këta “profetë”. Por, fitoi Briani, që rastësisht u gjet në “sheshin e debatit” e që flet veç për të shpëtuar. Ai e modifikon Maksimën e Artë, duke thënë: “Mos gjykoni të tjerët, sepse mund të gjykoheni vet”! Dhe, aksidentalisht u perceptua si i dërguar nga Lartë!

Shumëkush sot po pranon role profetike, në “Cirkun e Monty Pythonit”, përderisa po debatohet për çdo problem tokësor e hapësinor! Gjithçka vjen nga lart, nga zotëruesit e valëve në eter. Por, shoqëria, sidomos ajo shqiptare, me vite po lëngon nga problemet e njëjta që nuk po gjejnë zgjidhje. Sepse, fjalët thuhen vend e pa vend e ndërrohen lehtë – si frekuencat dhe amplitudat e valës!

CAPGRAS FREGOLLI!

Ndaj, gjithçka sot është iluzion. E vërteta ngatërrohet me të pavërtetën, si në filmin “Anomalisa” me skenar dhe regji nga Charlie Kaufman. Në të, Michael Stone – një folës motivues, ekspert i shërbimeve me klientët – vuan nga sëmundja moderne e krizës së identitetit. Ai është person me anomali, si çdo tjetër person i “veçantë”, por ka një problem më të madh: është prekur nga çrregullimi deluziv, Fregolli (që “çuditërisht” është hoteli ku zhvillohet ngjarja). Stone beson se të gjithë njerëzit janë të njëjtë, por që ndryshojnë paraqitjen, se maskohen për “role” të ndryshme. Ndërkaq, neuropsikiatri Robert Sapolsky, për epokën digjitale të medieve sociale, përmend sindromën Capgras – çrregullim që të bën të mendosh se personat e dashur janë zëvendësuar me mashtrues identikë – pasi sot asgjë nuk njihet saktë, por gjithçka duket se është e njohur.

Gjithçka pra u pështjell! Fjala e lajmi nuk kanë më vlerë. “Profecia” e shkrimtarit të njohur rus, Leo Tolsoy, po bëhet e vërtetë: “Të gjitha gazetat dhe aktiviteti gazetaresk është një bordel intelektual nga ku nuk ka zmbrapsje”!

Sot, në botën e hapur, të mundësive të mëdha të të shprehurit, kurrë nuk ka pasë centralizim më të madh rreth lajmeve. Gjithë kjo po ndodh shkaku i medieve sociale. Algoritmet e Facebookut ofrojnë atë që ju e doni, versionin tuaj të së vërtetës, ndërsa kërkimet në Google (që nuk janë të njëjta për dy persona), nuk japin informatat faktike që sfidojnë apo zgjerojnë pikëpamjet tua. Ndaj, profesoresha dhe gazetarja Emily Bell, thotë: “Mediet sociale e gëlltitën gazetarinë”. Sepse, kurrë më shumë se sot fati i shumicës nuk është kontrolluar nga pakica.

Kryeredaktorja e prestigjiozes Guardian, Katharine Viner, duke analizuar këto anomali të shoqërisë moderne, thotë se mediet sociale na kanë futur në kohën ku secili ka faktet e tij, porse pasojat shkojnë përtej gazetarisë. Ajo analizon një skandal të një prej mediumeve më të mëdha në botë, Daily Mail, që vitin e kaluar kishte shkruar se kryeministri i Britanisë së Madhe, David Cameron, si student ka bërë “akt të turpshëm me kokën e derrit”, duke futur në të “një pjesë të anatomisë private”. Ky artikull u bë temë qendrore e “debateve” në mediet sociale. Bashkautorja e artikullit, Isabel Oakeshott, ndonëse pranon se nuk ka fakte për të vërtetuar fjalët që kishte dëgjuar nga “burimi”, arsyetohet pa turp: “U takon të tjerëve të vendosin nëse duhet t’i japin besueshmëri”!

“Kur fakti fillon të ngjajë me çdo gjë që ju mendoni se është e vërtetë, është vështirë për secilin të tregojë dallimin mes fakteve që janë të vërteta dhe ‘fakteve’ që nuk janë”, thotë kryeredaktorja e Guardianit. “Jemi zënë në një seri të betejave konfuze, mes forcave kundërshtare: në mes të vërtetës dhe gënjeshtrës; faktit dhe thashethemeve; mirësisë dhe mizorisë; mes pakicës dhe shumicës; mes të konektuarve dhe të tjetërsuarve; mes platformës së hapur – ashtu siç e kanë parashikuar arkitektët e internetit – dhe zonave të mbyllura të Facebookut dhe rrjeteve të tjera sociale; në mes të një publiku të informuar dhe një turme të drejtuar gabimisht”.

ROSEBUD

Në vitin 1960, emisioni “60 Minutes” nisi të transmetohej në kanalin CBS. Për herë të parë në historinë e medieve televizive, ky emision bëri që lajmet në TV – nga statusi i vlerës dhe seriozitetit të mediumit – të jenë profitabile! Gazetarja Mary Mapes, më 2004 lanson aty storjen për keqtrajtimet në burgun Abu Ghraib të Irakut. Të njëjtin vit, bashkë me personin me të cilin mburrej CBS-i, Dan Rather, merret me të kaluarën “e dyshimtë” të presidentit amerikan George W. Bush. Në një moment ajo thotë: “Dhe, i luten Zotit që e vërteta të humbet në tollovi”. Por, në fakt, karriera e saj merr fund, sepse nuk e ndoqi parimin bazë që shprehet te filmi “Truth” (bazuar në veprën e saj: “E vërteta dhe detyra: Shtypi, presidenti dhe privilegji i pushtetit): për të shtruar më shumë pyetje!

Me pyetje, në kërkim të fakteve për temën e diplomës në regji të filmit, Agnieszka e “Njeriut të mermertë” (filmit të vitit 1977 të regjisorit Andrzej Wajda), zbërtheu jetën e heroit të harruar të klasës punëtore – mitet dhe propagandën e sistemit komunist! Përmes pyetjeve, Jerry Thompson tentonte të gjente kuptimin e fjalës “Rosebud” (Gonxhe trëndafili), që në prag të vdekjes e tha Charles Foester Kane.

Kane, kryepersonazhi i kryeveprës kinematografike “Citizen Kane” (Qytetari Kejn, 1941), ishte njeriu që trashëgoi minierat më të pasura të arit në SHBA, e që jetën e lidhi me gazetën që ishte në prag të falimentimit – “The New York Inquirer”. Falë pasurisë arrin ta shpëtojë dhe ta shndërrojë atë në ditoren më të lexuar në SHBA. Në numrin e parë të udhëhequr nga ai, boton “Deklaratën e Principeve” përmes së cilës betohet se lexuesve do t’ua thotë vetëm të vërtetën.

Orson Welles, regjisori dhe aktori që luan rolin e “Qytetarit…”, për këtë film frymëzohet nga jeta e magnatit medial, William Randolph Hearst. Me përkrahjen e nënës, Hearst më 1895 blen ditoren e dështuar “New York Morning Journal”. Duke u bazuar në logjikën e “mësuesit” të tij, Joseph Pulitzer, ul çmimin e gazetës, ndërsa politikën redaktuese e drejton në lajmin sensacional. Kështu, brenda pak vitesh arrin të ketë në pronësi 28 gazetat më të mëdha amerikane.

Kane, njëjtë si ai, ishte i obsesuar pas lajmit – fatkeqësisht, sipas versionit të tij. “Ma siguro foton, unë ta siguroj luftën”, kishte thënë më herët Hearst për konfliktin spanjollo-amerikan për Kubën. Sipas kësaj logjike vepronte edhe “Qytetari…” që krijoi bindjen se ai duhet t’u thotë të tjerëve çfarë të mendojnë, se vetëm ai e zotëron lajmin e të vërtetën. Në këtë mënyrë devijon nga principet, shkatërron jetë, përfundon në vetmi…

Susan Alexander Kane ishte e dashura dhe gruaja e dytë e “Qytetarit…”. Me të bisedon gazetari Thompson, i cili nuk e zbërthen kuptimin e fjalës “Rosebud”. Kjo fjalë ishte shkruar në sajën që Kanet dikur ia kishte dhënë nëna. Për kritikët e filmit, kjo simbolizonte sigurinë dhe pafajësinë e fëmijës. Por, në fakt, Susan mendohet të jetë personifikimi i aktores Marion Davies, të dashurës së William Hearstit. Në vitin 1989, shkrimtari Gore Vidal thotë se “Rosebud” ishte “nofka” me të cilën Hearst e quante klitorin e të dashurës së tij, Davies.

Në nivel të tillë perversioni ka rënë sot fjala, lajmi dhe shoqëria. Në “bordel intelektual”! “Profeti” Brian, ndjekësve të tij – që ngjajnë me perceptimin e Hornerit për lexuesit “që nuk ndalen së ndjekuri gjithfarësoj lajmesh” – u thoshte: “Mos lejoni askënd t’ju tregojë se çfarë duhet bërë”! Ndërkaq, atyre që konkludonin dhe insistonin me çdo kusht për ta bindur se po e identifikojnë botën “hyjnore”, më herët u kishte thënë: “Qijuni”!