LAJMI I FUNDIT:

Fushatë e Misionit të OSBE-së në Kosovë me rastin e 16 ditëve të aktivizmit

Fushatë e Misionit të OSBE-së në Kosovë me rastin e 16 ditëve të aktivizmit

Duke filluar nga sot, Misioni i OSBE-së në Kosovë do të zhvillojë një fushatë në internet për të shënuar 16 ditët e aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore (25 nëntor 2016, dita ndërkombëtare për eliminimin e dhunës ndaj gruas – 10 dhjetor, dita ndërkombëtare e të drejtave të njeriut) për të dërguar porosinë se dhuna në familje është krim dhe duhet të raportohet.

Fushata përfshin një fletëpalosje me informata rreth asaj se çfarë është dhuna në familje, si të identifikohet, si dhe çfarë mbështetje ekziston për viktimat; fotografi dhe mesazhe personale nga figura publike në Kosovë lidhur me këtë temë; si dhe mesazhe konceptuale për ta theksuar rëndësinë e ngritjes së zërit kundër dhunës.

Dhuna në familje është një prej formave më të përhapura të dhunës në botë dhe gjendja në Kosovë nuk është më ndryshe.


“Sipas statistikave të Policisë së Kosovës, vetëm në vitin 2016 janë raportuar mbi 800 raste të dhunës në familje. Këto shifra me shumë gjasë janë edhe më të larta në realitet si pasojë e prirjes për ta fshehur këtë krim. Misioni i OSBE-së në Kosovë, mes tjerash, angazhohet për promovimin e të drejtat të grave dhe fuqizimin e tyre, si dhe në eliminimin e dhunës në baza gjinore dhe dhunës në familje. Në këto përpjekje, Misioni angazhon edhe burra për të avokuar dhe promovuar barazinë gjinore”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/