LAJMI I FUNDIT:

Ekonomia e Japonisë rritet me 2.2%

Ekonomia e Japonisë rritet me 2.2%

Rritja e ekonomisë së tretë më të madhe në botë i theu lehtë pritshmëritë për tremujorin e tretë, duke u zgjeruar për të tretin radhazi pasi eksportet u rimëkëmbën. Megjithatë, aktiviteti i dobët brenda ka shkaktuar dyshime mbi qëndrueshmërinë e rimëkëmbjes ekonomike. Të dhënat e Qeverisë të publikuara ditën e parë të kësaj jave treguan një rimëkëmbje të varur nga eksportet.

Japonia u rrit me një normë vjetore prej 2.2% në tremujorin e tretë, sipër 0.9%-ëshit që prisnin analistët dhe 0.7%-ëshit që ishte në tremujorin e dytë. Guvernatori i Bankës së Japonisë, Haruhiko Kuroda, mbajti perspektivën optimiste mbi ekonominë duke thënë se është në ritëm për një ekspansion të moderuar, ndërsa eksportet rimëkëmben.

Megjithatë ai pohoi se konsumi privat po humbet vrull dhe po bën që kompanitë të hezitojnë në rritjen e çmimeve për mallrat dhe shërbimet, duke vonuar kështu arritjen e objektivit të inflacionit prej 2%.


“Rreziqet ndaj aktivitetit ekonomik dhe çmimeve vazhdojnë”, tha guvernatori, duke lënë të hapur mundësinë për shtim të stimujve. Të dhënat e ditës së Hënë tregojnë mënyrën e pabarabartë të rimëkëmbjes së ekonomisë japoneze.

Kërkesa e jashtme (eksport-import) i shtoi 0.5% Produktit të Brendshëm Bruto dhe ishte kontributi më i madh që prej tremujorit të dytë 2014. Eksportet u rritën me 2%, norma më e shpejtë në 1 vit, por rritja u nxit nga faktorë që nuk ndodhin shpesh si dërgesat e pjesëve për smartphone.
Konsumi privat, që përbën për 60% të PBB-së, u rrit me vetëm 0.1%, pasi moti i keq i ka penguar konsumatorët për të shpenzuar. Shpenzimet e kapitalit, një

komponent kryesor i GDP, mbeti i pandryshuar pas një rënieje me 0.1% në tremujorin e dytë. Kuroda thotë se negociatat mbi pagat ndërmjet kompanive dhe sindikatave vitin që vjen do të jetë kritike për arritjen e objektivit të inflacionit në 2%, duke i bërë thirrje firmave si Toyota që të fillojnë rritjen e pagave. /Telegrafi/