LAJMI I FUNDIT:

Bisedimet për targat: Targat ngjitëse të jenë pa pagesë

Bisedimet për targat: Targat ngjitëse të jenë pa pagesë

Me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian është mbajtur takimi trilateral për zbatimin e marrëveshjes së arritur më 14 shtator 2016 e cila parasheh reciprocitet në tabelat e veturave në mes të dy shteteve.

Siç thuhet në një njoftim, në këtë takim delegacioni i Republikës së Kosovës i kryesuar nga ministrja Edita Tahiri, kryenegociatore, prezantoi progresin në përgatitjet për zbatimin e marrëveshjes për reciprocitet në kuadër të lëvizjes së lirë, e cila do të heqë nga përdorimi tabelat ‘prova’ të cilat njëanshëm janë aplikuar nga ana e Serbisë për qytetarët e Kosovës.

“Delegacioni konfirmoi se të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës, si Ministria për Dialog, Ministria e Punëve të Brendshme, Policia e Kosovës, etj janë duke punuar intensivisht për t’i realizuar obligimet zbatuese në raport me këtë marrëveshje. Edhe pala serbe konfirmoi gatishmërinë për zbatimin e marrëveshjes si dhe paraqiti progresin në procesin përgatitor për implementim”, thuhet në njoftim.


Po sipas njoftimit, pas diskutimeve rreth pajisjes së veturave me letër ngjitëse që do të vlejnë për të dyja palët, BE-ja kërkoi që të dyja shtetet të marrin përsipër që pajisja e veturave me letër ngjitëse të bëhet pa pagesë e cila nënkupton se qeveritë e të dyja shteteve duhet t’i marrin përsipër shpenzimet për prodhimin e tyre.

Po ashtu shtohet se u caktuan edhe specifikat e letër ngjitësve dhe modalitetet e zbatimit të këtij dakordimi.

“Në këtë takim po ashtu u fol edhe për zbatimin e heqjes së targave ilegale që ende në disa raste përdoren nga qytetarët në komunat veriore të Kosovës. Të gjithë u pajtuan që kjo të shoqërohet nga një fushatë informuese e cila do të fillojë këtë vit, si dhe për të stimuluar këtë proces do të vazhdohet validiteti i targave KS”, shtohet më tej në njoftim. /Telegrafi/