LAJMI I FUNDIT:

Vushtrria bëhet me sallë baleti për fëmijë

Vushtrria bëhet me sallë baleti për fëmijë

Në Vushtrri sot u përurua salla e baletit për fëmijë, me c’rast u nënshkrua edhe një marrëveshje bashkëpunimi me Baletin Kombëtar të Kosovës. Kështu bëri të ditur për Telegrafin drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Shpresa Rama.

Sipas saj, kjo do duhej të bëhej edhe më herët duke parë entuziazmin e fëmijëve të këtij qyteti.

“Entuziazmi është parë që në ditët e para kur u dha mundësia e aplikimit. Deri dje i kishim 74 fëmijë të regjistruar, të cilët vazhdimisht pyesnin se kur do të fillonin, dhe sot u vërejt një energji e jashtëzakonshme, një dëshirë e madhe për t’u bërë balerin/a”, tha ajo për Telegrafin.


Rama tha se ideja për sallën e baletit ishte e saj, “por pa përkrahjen e Kryetarit Bajram Mulaku, natyrisht që nuk do të jetësohej. Madje duhet ta falënderoj edhe Drejtorin e Baletit Kombëtar të Kosovës z. Ahmet Brahimaj që iu përgjigj pozitivisht kërkesës tonë për sigurimin e një balerini/e profesionist, që do t’i ushtronte fëmijët në mënyrë profesionale”.

Ajo gjithashtu tha se edhe sot ka vazhduar regjistrimi i disa fëmijëve dhe sipas saj po duket që do të ketë një fluks të madh të fëmijëve.

“E natyrisht unë po ndihem jashtë mase mirë që me këtë iniciativë po bëj të lumtur kaq shumë fëmijë”, tregoi Rama.
Drejtoresha Rama theksoi po ashtu se është i vetmi qytet që do të huazoj balerinë profesionist nga trupa e Baletit Kombëtarë të Kosovës.

“Jemi konsultuar me profesionist dhe e kemi lënë grupmoshën nga 4 deri në 12 vjeç. Balerina e parë e cila është marr nga Baleti Kombëtar i Kosovës është Abetare Hyseni, por në rast të numrit të madh të fëmijëve do të na vijë edhe një balerin/e nga Baleti Kombëtar i Kosovës. Sa i përket mbajtjes së kursit kemi caktuar kritere, në një klasë nuk lejohet të jenë më shumë se 20 fëmijë, është hartuar plan programi dhe do të jetë në mbikëqyrje të vazhdueshme nga Stafi i BKK”, shpjegoi Rama.

E pyetur nga Telegrafi se deri më sot a ka pasur edhe djem të regjistruar për balet, ajo tha: “Për sqarim, baleti është i hapur për të gjithë fëmijët e moshës nga 4 deri në 12 vjeç, vajza dhe djem, deri tani i kemi të regjistruar pesë djem, shpresoj që ky numër të rritet dhe të formohet një trupë e balerinëve të vegjël që në të ardhmen do të jenë emra të njohur të baletit në Kosovë”./Telegrafi/