LAJMI I FUNDIT:

APKE do t’i monitorojë zgjedhjet në Maqedoni

APKE do t’i monitorojë zgjedhjet në Maqedoni

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (APKE) do t’i monitorojë zgjedhjet në Maqedoni, të caktuara më 11 dhjetor 2016, ku Zyra e APKE-së ka zgjedhur komisionin ad-hoc, në të cilin janë të paraqitura grupet politike në Asamblenë Panevropiane, raporton korrespondenti i MIA-s nga Strasburgu, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Në delegacion do të jenë gjithsej 20 deputetë dhe 12 zëvendës të tyre, si dhe përfaqësues të sekretariatit të APKE-së.

Delegacionit, sipas të gjitha gjasave, do t’i prijë Stephan Schenah (socialist nga Austria), i cili ka vizituar tashmë Maqedoninë më 26 dhe 27 prill në misionin parazgjedhor, kur u bë vlerësimi për klimën politike mbi zgjedhjet e parakohshme parlamentare të caktuara për më 5 qershor, datë e cila u zhvendos më pas për në 11 dhjetor.


Në delegacionin e APKE-së, e cila do t’i ndjekë zgjedhjet gjenden edhe dy raportues për Maqedoninë në komisionin për ndjekje të obligimeve të vendit tonë të ndërmarra me anëtarësimin në Këshillin e Evropës. /Telegrafi/