LAJMI I FUNDIT:

Meta: Tragjedia në Itali tronditi popullin shqiptar

Meta: Tragjedia në Itali tronditi popullin shqiptar

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, u ka nisur sot dy telegrame ngushëllimi Kryetares së Dhomës së Deputetëve Laura Boldrini dhe Kryetarit të Senatit italian Pietro Grasso për tragjedinë e shkaktuar nga tërmeti i rëndë i datës 24 gusht 2016 në Itali.

“Në emër të Kuvendit të Shqipërisë dhe në emrin tim personal dëshiroj t’ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta për ju dhe popullit italian për viktimat dhe dëmet e shkaktuara nga tërmeti i ditës së sotme. Kjo tragjedi ka tronditur thellë popullin shqiptar, i cili në këto çaste të vështira edhe për të, ndodhet pranë popullit mik italian, pranë familjeve të viktimave dhe të dashurve të tyre”, shkruan Meta në telegramin e tij për Laura Boldrini, kryetare e Dhomës së Deputetëve.

“Të gjithë anëtarët e Kuvendit të Shqipërisë dhe unë personalisht qëndrojmë pranë Jush dhe popullit mik italian në përballimin e dhembjes së përbashkët njerëzore dhe të pasojave katastrofike e dëmeve njerëzore, morale dhe materiale si pasojë e këtij tërmeti të tmerrshëm”, shkruan Meta në telegramin për kryetarin e Senatit italian zotin Grasso.


Sipas njoftimi për media, kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta ju konfirmoi edhe njëherë dy politikanëve të lartë italianë mbështetjen e fortë për popullin italian në këto ditë të vështira dhe dramatike dhe uroi shërim sa më të shpejtë për të lënduarit e kësaj katastrofe të rëndë natyrore.