LAJMI I FUNDIT:

Dritëhijet e vrasjes së 29-vjeçarit shqiptar në komisariatin grek

Dritëhijet e vrasjes së 29-vjeçarit shqiptar në komisariatin grek

Një tjetër emigrant shqiptar u kthye në arkivol nga Greqia. Rast fatkeq i takoi familjes Marnikollaj në fshatin Rrilë të Lezhës.

Pëllumbi 29-vjeçar jetonte prej disa vitesh në Greqi. Ai ishte kapur në një vjedhje, por gjykata e kishte lënë në detyrim paraqitje.

Sipas vëllait të tij, Artanit, ditën e 3 gushtit ai është paraqitur në komisariatin e “Kato Patisia” në Athinë për të kryer procedurën formale të paraqitjes, por nuk ka dalë i gjallë prej aty.


Kallashin në kokë arkëtares – këto janë pamjet e vjedhjes së një banke në Vlorë (Video)
Lexo po ashtu Kallashin në kokë arkëtares – këto janë pamjet e vjedhjes së një banke në Vlorë (Video)

Vetë vëllai tha se ishte duke folur në telefon me të para se të hynte në komisariat duke e ndërprerë bisedën me qëllim që ta vazhdonin pasi të dilte.

Kaluan disa orë dhe ai nuk po bëhej i gjallë. I vëllai nisi kërkimet, por pa rezultat.

Për këtë pajtoi një avokate greke dhe vetëm dy ditë më parë e gjeti trupin e të vëllait në një morg të Athinës gati për tu varrosur si person i paidentifikuar.

Ai akuzon autoritetet greke për këtë ngjarje.

Në një reagim të autoriteteve greke pas kërkesës së bërë nga Ambasada Shqiptare në Athinë thuhet se i riu shqiptar është hedhur nga dritarja e komisariatit të policisë.

“Viktima është hedhur nga dritarja, pasi e kuptoi se do ta arrestonin. Ndaj Pëllumb Marnikollaj kishte urdhra të tjera arresti që duheshin zbatuar. Ngjarja ka ndodhur në 3 gusht, ora 14:30 në rajonin e policisë “Kato Patisia”.

Ambasada shqiptare në Athine thotë se në ditët e ardhshme do të dal raportin përfundimtar.

Të shtunën në mbrëmje trupi i tij mbërriti në Shqipëri. Ai është marrë fillimisht në dorëzim nga autoritetet shqiptare të cilat kanë kërkuar kryerjen e një autopsie në morgun e Tiranës pranë QSUT-së.

Lapsi.al mësoi se kjo procedurë është zhvilluar gjatë ditës së diel dhe rezultatet pritet të dalin në ditët në vijim.

Ndërsa në fshatin Rrilë familja Marnikollaj ka hapur dyert e mortit. Familjarët pretendojnë se i riu është vrarë brenda ambienteve të komisariatit.

Djali i xhaxhait të 29-vjeçarit, Besnik Marnikollaj konfirmoi për Televizionin Klan, se ka qenë vëllai i viktimës Artani, që me ndihmën e një avokateje greke ka arritur të gjejë trupin e Pëllumbit me datën 12 Gusht në varrezat e “Agio Anargioro” në Athinë për të cilin policia greke fillimisht ka mohuar të kishte dijeni.

Familja pretendon se autoritet greke kanë dashur ta varrosin sa me shpejt për të humbur gjurmët në shkelje të hapur të afatit ligjor grek prej 30 ditësh që kufoma duhej të mbahej deri sa të vinin të afërmit.
Sipas tij, policia greke ka refuzuar të bashkëpunojë.

Besnik Marnikollaj rrëfen se në trupin e kushëririt të tij vërehen shenja të shumta dhune që mund ti jenë shkaktuar nga policët grekë.

Varrimi i Pëllumb Marnikollajt do të bëhet të hënën në orën 11:00.