LAJMI I FUNDIT:

Gentritit i duhen 12 mijë euro ta shpëtojë syrin

Gentritit i duhen 12 mijë euro ta shpëtojë syrin

Gentriti, djali i vetëm i familjes Gashi nga Sllovija e Lipjanit, po përballen me probleme në sy. Mungesa e kushteve më elementare e prindërve, kanë ndikuar që ata të mos kenë mundësi ta dërgojnë atë jashtë vendi. 15-vjeçari po ia thyen shpirtin dy prindërve çdo ditë.

Sipas kryefamiljarit Ismetit, djali i vetëm i tij ka probleme shëndetësore me një sy ku edhe gati e ka të humbur gjithë shikimin. Ismeti thotë se në një ditë famëkeqe, ai ka lënduar syrin, ndërsa tani trajtimi i tij brenda vendit është i pamundshëm. E, halli i tij është se nga t’i siguroj mjetet, ku e gjithë familja janë të varur nga një ndihmë sociale në shumë prej 80 eurosh, kurse shuma e trajtimit mjekë- sor është 12 mijë euro, thotë Gashi.

“Jeta na është mërzitur e kemi të vetmin djalë, kurse ne si të papunë që jemi nuk po arrijmë të ja bëjmë të mundshme shërimin jashtë vendi”, tha ai gati duke ia plasur vajit.


auto_genti1470550161

“Mjekët në Qendrën Klinike Universitare na kanë rekomanduar trajtim jashtë vendi. Ne nuk kemi mundësi t’i mbulojmë shpenzimet. Nga t’i mbulojmë shpenzimet ku për një muaj i kemi vetëm 80 euro në dispozicion”, ka nënvizuar ai.

Ai ka shtuar më tej se do të jepte çdo gjë nga vetja sikur djali i vetëm Gentriti të gjente shërim.

“Nuk kam mundësi vetë të bëj zgjidhje, kurse kam friken se nga mungesa e trajtimit me kohë djali do ta humbë shikimin”, theksoi i brengosur ky baba për fatin e djalit të vetëm.

Por, hallet e Ismetit nuk mbarojnë këtu, ai thotë se edhe vetë ka një gjendje të keqe shëndetësore, dhe se i është dashur ti nënshtrohet edhe një intervenimi kirurgjik. Nuk arrin të punojë punë të renda dhe nuk është edhe i punësuar as ai e as bashkëshortja e tij. Në anën tjetër shtëpia e vjetër dhe pa kushte ishin një histori më vete. Një vështrim rreth e rrotull këtij ambienti të bënte menjëherë të kuptosh se edhe kjo familje po i nënshtrohet çdo ditë një skamje të vërtetë, ne Kosovën e pas luftës.

Për më shumë për një përditshmëri të një zonje, e cila kryen punët e shtëpisë dhe bën përgatitjen e ushqimit, na rrëfeu vetë Zymrie Gashi, nëna e Gentritit. Ajo u shpreh mjaft e mllefosur me realitetin në të cilën po jeton. Zymria ka kërkuar ndihmë për djalin e vetëm te saj, duke pohuar se jeta i është shkatërruar që kur djali ka probleme me syrin.

“Nuk ka më të vështirë për një nënë se kur sheh të birin në atë gjendje. Është gjëja më e rëndë që po përjetojmë. Ai po na dhimbset, sepse ne nuk po kemi mundësi vetes t’i dalim në ndihmë”, është shprehur ndër të tjera ajo.

“Si zonjë e shtëpisë e kam mjaft të vështirë t’ju përgatis diçka për të ngrenë, djalit dhe bashkëshortit kur në shtëpinë tone shumë shpeshmungojnë edhe gjërat më elementare e deri tek veshmbathja dhe kushtet tjera brenda shtëpisë”, ka pohuar Zymrija, duke shtuar se në këtë gjendje ndodhet jo rrallëherë, por se problemi shëndetë- sor me djalin është shumë i vështirë.

Sëmundja e djalit, vështirë për t’u përballuar Zymria njofton gjithashtu se këtë problem do ta tejkalonte më lehtë, sikurse djali i saj i vetëm të mos e kishte problemin shëndetësor. “Ndoshta do ta kisha më lehtë sikurse djali të ishte mirë, por kur jam në mes të dyjave vështirë se ja dal”, ka thënë kjo zonjë e katandisur keq nga jeta.

Ndërkohë,edhe ajo ka njoftuar gjithashtu se nëse nuk i gjendet ndonjë mundësi që djali sa më parë të shkoj jashtë vendi ka mundësi që në syrin e lënduar të humbet i gjithë shikimi. “Po nuk na ndihmoi dikush sigurisht se djalit do t’i humbet i gjithë shikimi. Çka të bëjmë ne vetëm po na dhemb shpirti dhe nuk po arrijmë ti dalim në ndihmë. E kemi djalin e vetëm dhe ky rast na ka tronditur “, është shprehur ajo me lot në sy, shkruan Gazeta Kosova Sot.