LAJMI I FUNDIT:

Zogaj: Nuk ka rrezik për radikalizim në burgjet e Kosovës

Zogaj: Nuk ka rrezik për radikalizim në burgjet e Kosovës

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Sokol Zogaj, në Info Magazine të Klan Kosovës, ka folur lidhur me deklaratën e ministrit të Punëve të Brendshme, Skender Hyseni që thoshte se ka rrezik për radikalizim në burgje të Kosovës.

Sipas Zogajt, kjo nuk qëndron dhe gjendja e sigurisë në burgje është e mirë.


“Lirisht mund të them se gjendja e sigurisë në burgje është e mirë. Ne kemi ndërrmarrë masa për ngritjen e nivelit të sigurisë, për të gjithë të burgosurit, e kemi si rutinë. Mund të them se nuk ka rrezik që të radikalizohet situata në burgje”, tha ai.

Madje Zogaj ka bërë të ditur se lidhur me këtë çështje ka pasur edhe takim me kryeimamin e Kosovës, Sabri Bajgora.

“Kam pas një bisede më kryeimamin e Kosovës, kemi biseduar gjatë për punën dhe bashkëpunimin me Bashkësinë Islame, rreth vizitave nëpër burgje, për bibliotieken, literaturën dhe për vizitat e imamëve nëpër burgjet e Kosovës”, tha ai.

“Jemi dakorduar që do të bëjmë një marrëveshje mirëkuptimi që do të punojmë për risocializimin e të burgosurve dhe futjen e një fryme të re te islamit në jetën e tyre brenda burgut”.

Sipas tij, në burgjet e Kosovës ka pasur dhe ka hapësirë të mjaftueshme që të praktikojnë fenë e tyre.

Zogaj ka thënë se në bibliotekat e burgjeve të Kosovës janë eliminuar librat që janë parë se mund të ndikojnë negativisht te të burgosurit.

Ai është shprehur se ka pasur rënie rapide të numrit të të burgosurve, e kjo sipas tij ka ndodhur pas shtimit të dënimeve alternative.