LAJMI I FUNDIT:

Hoxhaj: Dy shtete së shpejti do ta njohin Kosovën

Hoxhaj: Dy shtete së shpejti do ta njohin Kosovën

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj ka paralajmëruar se dy shtete së shpejti do ta njohin Republikën e Kosovës.

Hoxhaj në një intervistë për televizionin 21 ka thënë se bëhet fjalë për një shtet të Afrikës, dhe një tjetër të Amerikës Latine.


“Gjatë këtyre dy ditëve në New York por edhe gjatë tre javëve të fundit si ministër i jashtëm kam arritur të flas me shumë vende që nuk e kanë njohur pavarësinë. Gjatë këtyre takimeve mund të them se janë dy vende në prag të njohjes së Pavarësisë së Kosovës, një vend është afrikan dhe një tjetër është në Amerikën Latine”, tha Hoxhaj.

Ai ka thënë që gjatë vizitës së tij në New York, ka realizuar takime të tjera të rëndësishme në OKB, duke thënë se i ka njoftuar me progresin e arritur të Kosovës, si dhe siç ka thënë ai, domosdoshmërinë e njohjes së Pavarësisë.

“Gjatë këtyre ditëve kam pasur takime shumë të mira në OKB. Kam arritur që të takojë shumë shtete që nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës, është një listë e gjatë e vendeve të cilat i kam takuar dhe i kam informuar për progresin që ka bërë Kosova dhe për domosdoshmërinë e njohjes së Pavarësisë”, tha ministri Hoxhaj.