LAJMI I FUNDIT:

Policia jep informacionin e parë zyrtar për grabitjen në aeroportin e Rinasit

Policia jep informacionin e parë zyrtar për grabitjen në aeroportin e Rinasit

Policia e Tiranës është njoftuar se rreth orës 14:45 në sheshin e brendshëm të fluturimeve të aeroportit “Nënë Tereza” ka ndodhur një grabitje me armë.

Menjëherë janë angazhuar shërbimet policore në aeroport dhe forca shtesë nga Drejtoria Vendore e Kufirit.

Nisur nga informacioni paraprak, raportohet se është grabitur nje sasi monetare, qe po transferoheshin me mjetet e SHPSF “Nazeri 2000”, nga terminali drejt avionit.


Dyshohet se autorë të grabitjes janë të paktën 3 persona.

Ata hynë në rrethimin e brendshëm të aeroportit, pasi prenë menteshat e portës së jashtme që ndodhet nga krahu i rrugës Rinas – Fushë Krujë.

Rrethimi i jashtëm sigurohet nga sherbimi i sigurise se kompanise private qe menaxhon aeroportin.

Pasi kanë marrë sasinë e valutës, autorët janë larguar me shpejtësi.

Gjatë ndjekies së autorëve policia ka gjetur të djegur mjetin tip “Benz”, që dyshohet se u përdor nga autorët.

Policia e Shtetit po vijon ndjekjen e tyre, me forca të shumta dhe nga ajri me helikopter.

Forcat RENEA po ushtrojnë kontrolle në akset rrugore dhe zonat ku dyshohet se strehohen autorët.

Vazhdojnë intensivisht kërkimet dhe hetimet për zbulimin dhe kapjen e autorëve dhe zbardhjen e plote të ngjarjes.