LAJMI I FUNDIT:

Rreziku nga kolonizimi i veriut

Rreziku nga kolonizimi i veriut

E rrethuar me toka të banorëve shqiptarë, “Lugina e Diellit”, vendi ku Qeveria e Serbisë ka filluar ndërtimin e 300 shtëpive për kthimin e 1500 banorëve serbë, po cilësohet si një projekt që ka për qëllim kolonizimin e Kosovës.

Jetësimi i këtij projekti që është financuar nga Beogradi ka për qëllim që të sjellë refugjatë nga shteti serb, të cilët janë nga të gjitha vendet e ish-Jugosllavisë, e që të njëjtit asnjëherë nuk kanë qenë banorë të Kosovës.

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka thënë se Kosova nuk mund ta marrë barrën e asaj çfarë ka ndodhur në ish-jugosllavi.


Ai thotë se është i papranueshëm fakti që këtu të vijnë refugjatë serbë të cilët nuk kanë qenë asnjëherë shtetas të Kosovës.

“Ne së pari duhet të funksionojmë si shtet. Unë nuk jam për rikthimin e çdo njeriu i cili ka qenë apo mendon të jetojë në Kosovë, sepse, ne duhet të jemi një shoqëri e lirë për të gjithë, por jo vetëm për një nacionalitet dhe nacionalitet tjetër të mos ketë dhe këto ndarje janë duke u bërë jashtëzakonisht të këqija”, është shprehur Bahtiri.

Ai ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që t’i marrë të gjitha masat që t’u japë mundësi të gjithë qytetarëve, pavarësisht se të cilit nacionalitet janë, të kthehen aty ku kanë jetuar më parë, shkruan Zëri.