LAJMI I FUNDIT:

Alarm për sëmundjen e lopëve, kërkohet ndalimi i importit nga Serbia, Bullgaria e Maqedonia (Video)

Alarm për sëmundjen e lopëve, kërkohet ndalimi i importit nga Serbia, Bullgaria e Maqedonia (Video)

Përhapja e një sëmundjeje në rajon që prek gjedhët, ka alarmuar jo pa arsye edhe institucionet dhe fermerët në vend, raporton KTV.

E shfaqur së fundi në Bullgari, Maqedoni dhe Serbi, Sëmundja Gungore e Lëkurës që prek lopët dhe buallicat, mund të dëmtojë lëkurën e kafshëve, të ulë prodhimin e qumështit dhe të ulë fertilitetin.


Me të marrë raportet, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka nxjerrë masën e ndalesës së importit të kafshëve nga vendet ku tashmë janë regjistruar raste të kësaj sëmundjeje.

Zëdhënësi i kësaj agjencie, Lamir Thaçi, tregon për karakteristikat e kësaj sëmundjeje.

Fermeri Luan Bala, nga fshati Llugë i Podujevës, thotë që ndalesa e importit nga Serbia dhe Bullgaria është vërejtur menjëherë, nga rritja e çmimit të gjedhit në treg.

Por, ai thotë se është pikërisht kjo situatë që shton mundësinë e importit ilegal të gjedhit.

Mirëpo, sipas Thaçit, AUV-i është e gatshme të ndërmarrë masat e duhura parandaluese për menaxhimin e situatës dhe se tash për tash nuk ka arsye për të bërë panik.

Megjithëse Sëmundja Gungore e Lëkurës nuk paraqet ndonjë rrezik për shëndetin e njerëzve, fakti që gjatë Ramazanit dhe stinës së verës rritet kërkesa për mish, kërkon kujdes të shtuar si nga fermerët dhe mishtoret, ashtu edhe konsumatorët e mishit.

Kontrabandimi i mishit nga Serbia është ngritur disa herë si shqetësim në Raportin e Progresit të BE-së për Kosovën.