LAJMI I FUNDIT:

Hetimet vazhdojnë, edhe dy vjet pas shpërthimit në TC “Kosova A”

Hetimet vazhdojnë, edhe dy vjet pas shpërthimit në TC “Kosova A”

Dy punëtorë kishin mbetur të vdekur dhe rreth 20 të tjerë të lënduar pash shpërthimit të fuqishëm të bombolave me hidrogjen që ndodhën dy vite më parë në Repartin e elektrolizës të Termocentralit “Kosova A”.

E lidhur me këtë, Avni Kurshumliu i cili ka punuar për rreth 40 vjet në KEK, si inxhinier, ka thënë për Telegrafin se deri më tani as organet e ndjekjes e askush tjetër nuk kanë bërë asgjë lidhur me këtë.

“Ata persona që vdiqën dhe të tjerët që janë lënduar janë bërë invalid të punës dhe kjo ka shkuar sikur nuk ka ndodhur asgjë”, ka thënë Kurshumliu.


Ai ka shpjeguar se sa herë që hidrogjeni është prezent nuk je i kujdesshëm ai eksplodon vetvetiu nuk ka nevojë për shkrepës as për asgjë.

“Ai vetvetiu në një marrëdhënie hidrogjen dhe ajër eksplodon vetë, dhe sa herë që do të ndodh kjo ai do të eksplodojë”, ka thënë Kurshumliu, duke treguar më pas se për shpërthimin e ndodhur më 6 qershor 2014 kishte akuzuar drejtpërdrejt menaxhmentin e KEK-ut pasi që sipas tij ai ka dhënë urdhër të punohet me rrjedhje të hidrogjenit dhe ai ka qenë shkaktari.

“Unë jam I bindur se ata punëtorët e kanë ditur çfarë ka ndodhur, kanë alarmuar, por ka qenë dikush që ju ka thënë se ju duhet të punoni siç ju themi ne”, u shpreh Kurshumliu.

Në anën tjetër, drejtori i zyrës për marrëdhënie me publikun në KEK, Skënder Bucolli ka thënë për Telegrafin se zona e avarisë aksidentale është nën kontroll të organeve relevante shtetërore të hetuesisë, të cilat janë ende duke zhvilluar hetimet rreth aksidentit.

“Duke marr parasysh këtë, besojmë se pyetjet tuaja rreth statusit të hetimeve duhet adresuar tek organet kompetente përkatëse. Në lidhje me këtë, KEK ka ofruar përkrahjen e plotë, nga aspekti profesional, ekspertizës, logjistikes dhe ofrimit të dokumentacionit përkatës teknik, që procesi i hetimit të jetë sa më gjithëpërfshirës dhe shkaqet e plota të aksidentit të gjenden sa më parë që të jetë e mundur”, ka thënë Bucolli.

Ai ka theksuar se në zonën ku ka ndodhur aksidenti, janë ende duke u zhvilluar hetimet nga organet relevante shtetërore, me ç’rast tërë perimetri i asaj zone vazhdon të jetë i rrethuar dhe nën kontroll të plotë të Policisë së Kosovës.

“Sido që të jetë, pa u analizuar i gjithë materiali dhe të gjitha provat e mundshme nga vendngjarja nuk ka bazë për identifikimin e shkaktarëve dhe përgjegjësisë individuale”, është shprehur Bucolli, duke shtuar më tej se duke pasur si objektiv zbardhjen sa më parë të së vërtetës, KEK kishte ndërmarr hapa rreth angazhimit të një kompanie me ekspertizë ndërkombëtare që do të mund të kryente hetimet adekuate.

“Sido që të jetë, duke marr parasysh edhe mundësinë e konfliktit potencial të interesit, hapat rreth kësaj iniciative janë duke u koordinuar nga organet relevante shtetërore. Pavarësisht kësaj, në momentin e pranimit të objektit të elektrolizës nga organet shtetërore, KEK nuk përjashton mundësinë e angazhimit të ekspertëve ndërkombëtarë të kësaj fushe, me qëllim inspektimi të pajisjeve dhe masave preventive për të ardhmen. Duke pasur parasysh rëndësinë që ka, si edhe të gjitha repartet vitale të KEK-ut, zona e TCA është objekt i inspektimeve nga palët e jashtme të sigurisë (si KFOR, FSK, Agjensioni i Menaxhimit të Emergjencave)”, ka theksuar Bucolli.

Pas shpërthimit që ndodhi, përpos punëtorëve që humbën jetën dhe dhjetëra të tjerëve që u lënduan, pati edhe dëme materiale ku ishin identifikuar 67 raste të shtëpive me dëme të mëdha dhe të vogla si dhe 57 automjete të cilat kishin qenë të parkuara në parkingun e KEK-ut.

E për vlerësimin e këtyre dëmeve, Komuna e Obiliqit së bashku me KEK-un kishin formuar një komision të përbashkët.

Skënder Bucolli ka thënë se KEK-u me të marr raportin përfundimtar nga ky komision ka kompensuar ne tërësi pronën e te gjithë te dëmtuarve te evidentuar qe kishin dëshmi pronësore.

Ndërkaq sa i përket, familjarëve të dy punëtorëve që kishin humbur jetën në këtë aksident, Bucolli ka thënë se KEK-u është duke vazhduar zotimin se do tu qëndrojë pranë tyre në çdo formë të mundshme.

“Fillimisht, atyre iu është dhëne një ndihmesë për t’u lehtësuar sadopak vështirësitë e tyre në çastet e para të pikëllimit. Më tej, konform procedurave në fuqi, është vazhduar me dhënien e kompensimit mujor të paraparë në këto raste. Për më tepër, duke marr parasysh se të dy viktimat kanë pasur një sigurim shëndetësor të paguar nga KEK-u, familjarët e tyre kanë marr shumat e parapara në këto raste nga kompania e sigurimeve”, ka thënë Bucolli për Telegrafin.

Ai ka bërë të ditur se Korporata Energjetike e Kosovës do të të vazhdoj edhe në të ardhmen përkrahjen familjarëve të viktimave në të gjitha format e mundshme, natyrisht, konform rregulloreve të brendshme dhe ligjeve në fuqi.

Bucolli ka treguar po ashtu se sot me rastin e përvjetorit të dytë të ngjarjes në elektrolizë, Stafi I lartë menaxhues i TC-A kanë vizituar të dy familjet dhe gjithashtu janë bërë homazhe dhe janë vendosur kurora në varrezat e të ndjerëve në dy lokacione, në varrezat në Vushtrri dhe Prishtinë.

Termocentrali Kosova A ku ka ndodhur shpërthimi është njëri nga dy prodhuesit e energjisë elektrike në Kosovë që përdorin qymyrin linjit.

Kosova A është termocentrali më i vjetër dhe një nga ndotësit më te mëdhenj të mjedisit në Kosovë.

Autoritetet vendase e ndërkombëtare kanë planifikuar mbylljen e tij gjatë viteve të ardhshme, krahas planeve për ndërtimin e një termocentrali të ri. /Telegrafi/