LAJMI I FUNDIT:

Nxënësit e Zhegrës s’e duan profesorin e ri të historisë, bojkotojnë mësimin

Nxënësit e Zhegrës s’e duan profesorin e ri të historisë, bojkotojnë mësimin

Nxënësit e Gjimnazit “Xhavit Ahmeti” dhe të atij “Zenel Hajdini” në fshatin Zhegër të Komunës së Gjilanit nuk e duan profesorin e ri të historisë, Ilir Vokshi, prandaj që nga fillimi i gjysmë vjetorit të dytë prej kur edhe është emëruar në këtë Vokshi, nxënësit e kanë bojkotuar këtë lëndë duke mos e mbajtur as edhe një orë.

Fillimisht ata për 3 javë rresht kishin bojkotuar gjithë procesin mësimor. Nxënësit po e përkrahin profesorin e larguar, Halit Rrahmani, i cili është edhe banorë i këtij fshati, raporton KTV.

Rrahmani i cili kishte punuar për 3 vjet me kontratë mbi vepër, thotë se largimi i tij nga puna u bë për arsye politike.


Por drejtori i Arsimit në Komunën e Gjilanit, Nazmi Musa tha se nëse nxënësit nuk pranojnë edhe më tutje t’i plotësojnë orët e humbura, do të përsërisin klasën.

E për akuzat e profesorit të larguar, ai thotë se nëse Rrahmani mendon që ju ka bërë e drejt duhet t’i drejtohet gjykatës.

Drejtori i Gjimnazit “Xhavit Ahmeti”, Bekim Mustafa thotë se nuk ka ndonjë zgjidhje për këtë problem.

Por në Komunë thonë se ky problem është zgjidhur dhe se Inspektorati i Arsimit ka rekomanduar të mbahen disa orë shtesë për nxënësit e klasës së 12-të.