LAJMI I FUNDIT:

Si u gjet përgjuesi USB në zyrën e Tahirit

Si u gjet përgjuesi USB në zyrën e Tahirit

Ministri i Brendshëm ka gjetur në zyrën e tij një pajisje përgjuese në formë USB-je, e cila dyshohet se ka regjistruar të gjitha bisedat e bëra në zyrën e Tahirit. Ministria e Brendshme referoi çështjen në prokurori, e cila regjistroi procedimin penal për akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe referoi çështjen për hetime të mëtejshme pranë Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave.

Një histori në përmasat e skandalit, ka ndodhur në zyrën e Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

Ky institucion ka denoncuar në prokurori një përgjues të gjetur në zyrën e Ministrit Tahiri, i cili dyshohet se ka regjistruar të gjitha bisedat e bëra nga zyrtari i lartë dhe personat që kanë vizituar zyrën e tij.


Kallëzimi është bërë në prokurorinë e Tiranës nga Ministria e Brendshme, e cila jep disa detaje për pajisjen përgjuese dhe vendin ku është gjetur ajo, por pa mundur të përcaktojë kohën apo personin që e ka vendosur.

Sipas burimeve pranë Ministrisë së Brendshme, mësohet se pajisja e përgjimit ka kryer regjistrime audio dhe video dhe ka qenë e pozicionuar në kënd të tillë që mund të fokusonte jo vetëm ministrin, por edhe personat që uleshin përballë tij në zyrë.

Përgjuesi është në formën e USB dhe është gjetur nga stafi i ministrisë brenda zyrës së ministrit Tahiri, pranë grirëses së letrave.

Mësohet se pajisja përgjuese është gjetur në datën 18 maj, në të njëjtën ditë kur krerët e shtetit raportonin në Komisionin Parlamentar të Sigurisë për një tjetër rast përgjimi, që dyshohet se është kryer në Shqipëri.

Pajisja përgjuese e sjellë nga misioni Interforcë për qëllime trajnuese u kthye në objekt debate aq sa Komisioni i Sigurisë vendosi të thërrasë ne seancë dëgjimore ministrin e Brendshëm, prokurorin e Përgjithshëm, kreun e Shërbimit Informativ Shtetëror dhe drejtorin e Përgjithshëm të Policisë.

Sapo ka përfunduar raportimin në Komision, ministri i Brendshëm ka shkuar në zyrën e tij, kur në rrethana ende të panjohura ka gjetur mjetin regjistruar, i cili sipas përshkrimit të bërë regjistron audio dhe video.

Mbetet ende për t’u sqaruar nëse pajisja transmetonte në kohë reale regjistrimet që kryente, por kjo gjë do të përcaktohet pas kryerjes së ekspertimit.

Sipas burimeve, mësohet se dy ditë më pas, pra më 20 maj, Ministria e Brendshme ka depozituar një kallëzim në prokurori, e cila ka regjistruar procedimin penal për akuzën e shpërdorimit të detyrës, por pa autor.

Më pas, materiali referues i është përcjellë Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave në Ministrinë e Brendshme për hetime të mëtejshme, duke i lënë dhe detyrat përkatëse.

Ndërsa pajisja përgjuese, e cila rezulton të jetë një USB, i është dërguar për ekspertim Laboratorit të Kriminalistikës, që pritet të zbardhë nëse kjo pajisje ka transmetuar të dhënat e regjistruara, si dhe kohën kur ka nisur të përgjojë.

Prokuroria nuk ka preferuar të japë detaje rreth këtij hetimit, por burime pranë këtij institucioni pohuan se veprimet konkrete po ndiqen nga oficerët e Shërbimit të Brendshëm, sipas detyrave të lëna nga prokurori.

Me përfundimin e akt-ekspertimit mbi pajisjen përgjuese, prokuroria pritet të hartojë dhe një listë personash, të cilët do të merren në pyetje në kuadër të hetimit.

Aktualisht po shihen kamerat e sigurisë së ministrisë, për të identifikuar personat që kanë qenë pranë vendit ku është gjetur pajisja përgjuese. Pak orë përpara se kjo çështje të referohej në prokurori, reagoi edhe ish-kryeministri Sali Berisha, i cili ngriti disa skenarë për përgjuesin e gjetur në zyrën e ministrit të Brendshëm.

“Të dashur miq, parmbrëmë, në zyrën e Saje qorrit, konkretisht në anën e pasme të grirëses së letrave, gjendet një goxha çimkë! Kjo e ka tmerruar Saje qorrin, i cili ka dyshim kryesor: 1. zëvendësministrin e LSI; dhe 2. njërin nga asistentet e tij. Por njerëzit afër tij flasin edhe për dy burime të tjera më të mundshme, njëri i huaj, kurse burimi tjetër është intim!”, shkruan ish-kryeministri Berisha në profilin e tij në Facebook, më datë 20 maj.

Berisha: Tahiri fshiu videot e regjistruara nga çimka

Pas publikimit të lajmit se Ministria e Brendshme kishte denoncuar në prokurori gjetjen e një pajisje përgjuese në zyrën e ministrit Tahiri, ka reaguar dhe ish-kryeministri Sali Berisha.

Me anë të një postimi në profilin e tij në Facebook, Berisha i referohet një informacioni të ardhur sipas tij nga Oficeri digjital.

Sipas këtij postimi, ministri i Brendshëm ka fshirë për një javë rresht të gjitha videot që gjendeshin në pajisjen përgjuese dhe më pas e ka dorëzuar atë në prokurori.

“Saje qorri dërgoi sot në prokurori pasi për 1 javë rresht fshiu dhe manipuloi të gjitha videot e regjistruara në ‘Çimkën’ që i kishin vendosur në zyrë”, shkruan Berisha.

Ai i bën thirrje Prokurorit të Përgjithshëm, të kontraktojë për ekspertizë kompaninë më të fuqishme të fushës për të rikuperuar të gjithë pamjet e regjistruara në zyrën e ministrit të Brendshëm.

“Këto pamje do t’iu provojnë shqiptarëve serinë e skandaleve në zyrën e tij, disa prej të cilave sipas oficerit digjital janë aq të fëlliqura, saqë Xhelili i bashkisë duket lule në krahasim me histerikun e ministrisë!”, shkruan ish-kryeministri Berisha.

Nishani: Nga informacionet që kam, të gjithë jemi përgjuar

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka komentuar për herë të parë skandalin e përgjimeve përmes një aparature të future në mënyrë të paligjshme në Shqipëri.

Në një intervistë për emisioni “Fakt” të Çim Pekës në Syri.net, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, tha se sipas informacioneve që ai dispononte, pajisja e përgjimit është përdorur në mënyrë të paligjshme.

“Unë ende nuk mund të them se është një skandal, por informacionet konfirmojnë futjen e një pajisjeje, që ka të gjithë parametrat për të kryer përgjime të sofistikuara. Deklarata e Tahirit për përgjimin është tentativë për të shmangur thelbin e debatit”.

Kreu i shtetit deklaroi më tej se “pajisja siç është shprehur Shefi i SHISH, përbën cenim të sigurisë kombëtare. Ajo pajisje duhet të hyjë në Shqipëri vetëm sipas procedurave. Ajo aparaturë është futur pa u deklaruar, pa u marrë leje dhe pa u përcaktuar. Për çfarëdo që është përdorur ajo, duhet të dorëzohet në Prokurori por kjo nuk po ndodh”.

Presidenti Nishani tha më tej se “ne e kemi të konfirmuar ligjërisht që ajo aparaturë është përdorur në mënyrë të paligjshme. Unë, si Komandant i Forcave të Armatosura, pres që prokuroria të nxjerrë fajtorët për shkeljen e ligjit”.

Gjatë intervistës, kreu i shtetit ka komentuar edhe denoncimin e ministrit të Brendshëm në prokurori, për një pajisje përgjuese në zyrën e tij. Nishani deri diku është shprehur skeptik mbi mundësinë e përgjimit, ndërsa thotë se nuk tringëllon fortë e kuptueshme që ministrit të Brendshëm t’i ndodhë diçka e tillë.

“Nuk është se tingëllon fort e kuptueshme se si ministrit të Brendshëm, që komandon të gjithë mekanizmin e hetimit të policisë dhe të hetimit, t’i ndodhë një gjë e tillë. Kjo është një çështje që i takon Prokurorisë. Nëse është e vërtetë kjo që thuhet, atëherë duhen pritur hetimet”, tha Presidenti i Republikës, Bujar Nishani.

Në trend Lajme

Më shumë
“Serbia nuk luan dot me Kosovën”, deputeti gjerman: Bisedime të reja pas zgjedhjeve

“Serbia nuk luan dot me Kosovën”, deputeti gjerman: Bisedime të reja pas zgjedhjeve

Lajme
Tragjedi në Prizren: I bie profili i metalit në kokë, punëtori humb jetën gjatë renovimit të një ndërtese

Tragjedi në Prizren: I bie profili i metalit në kokë, punëtori humb jetën gjatë renovimit të një ndërtese

Kronika e Zezë
Rama në Londër flet për vrasjen e Martin Canit: Pa u varrosur ende 14-vjeçari, dalin djajtë nga shishet e ia marrin valles

Rama në Londër flet për vrasjen e Martin Canit: Pa u varrosur ende 14-vjeçari, dalin djajtë nga shishet e ia marrin valles

Lajme
Ura që lidh Ulqinin me Velipojën do të ndërtohet edhe me qeverinë e re malazeze

Ura që lidh Ulqinin me Velipojën do të ndërtohet edhe me qeverinë e re malazeze

Lajme
Serwer: Kthimi i Grenellit, mund të çojë në ndarje të territoreve në Ballkan

Serwer: Kthimi i Grenellit, mund të çojë në ndarje të territoreve në Ballkan

Lajme
Mbi 27 mijë vetura, gati 364 milionë euro nga importi i veturave në Kosovë

Mbi 27 mijë vetura, gati 364 milionë euro nga importi i veturave në Kosovë

Lajme
Kalo në kategori