LAJMI I FUNDIT:

OVL e UÇK-së nuk tregon si u rrit numri i veteranëve (Video)

OVL e UÇK-së nuk tregon si u rrit numri i veteranëve (Video)

Pasi kishte aplikuar i pari për të marrë statusin e veteranit, atë kohë kryeministër, Hashim Thaçi ftoi të gjithë ata që e ndjenin vetën UÇK të aplikonin për statusin e veteranit.

Pas kësaj dite, 66 mijë e 500 aplikacione vërshuan zyrat e veteranëve për të nisur një proces i gjatë pothuajse 4-vjeçar për të seleksionuar dhe filtruar emrat e luftëtarëve të vërtetë.

Shifra të ndryshme e deklarata pompoze do ta përshkruanin të gjithë procesin, duke nisur nga deklarimet e vetë komandantëve se numri referencë prej 24 mijave ishte i fryrë.


Zhvillimet politike dhe nisja e procesit pa pasur ligj ndikuan dhe vonuan procesin.

Por, në marsin e 2014-ës, deputetët miratuan ligjin për veteranët, i cili seleksionoi veteranët në disa kategori.

Në ata me të drejtë pensioni e që ishin veteranët luftëtarë dhe dy kategori të tjera në veteran pjesëmarrës, për ata që për arsye të ndryshme lufta nuk i gjeti të armatosur dhe veteranë pjesëtarë, për ata që kontribuuan financiarisht për luftën.

Por, duket se e gjitha ka mbetur në letër, pasi Kosova zyrtarisht tash ka 46 mijë veteranë luftëtarë.

Më së shumti ushtarë ka dalë të ketë pasur Dukagjini, me 15 mijë e 23 sish, i pasuar nga Zona Operative e Pashtrikut, me 8 mijë e 730. Pas saj vjen Drenica, me 6 mijë e 959, Zona Operative e Llapit, me 4 mijë e 310, e 3 mijë e 100 ushtarë ka dalë të kenë luftuar në Nerodime, në operativën e Shalës 1 mijë e 950, në Karadak, sipas këtij verifikimi, janë 1 mijë e 70 ushtarë.
Derisa Komanda e shtabit të përgjithshëm të UÇK-së ka pasur 31 pjesëtarë, të gjitha njësitë në varësi të tij ishin 5 mijë e 57.

Organizatat e dala nga Lufta nuk kanë dashur të komentojnë numrin përfundimtar të ushtarëve të UÇK-së, por kanë pranuar se numri i të anëtarësuarve në këtë organizatë që nga pas lufta nuk e ka kaluar asnjëherë 24 mijëshin.

Gjatë ditës, i paqasshëm ka qenë edhe kreu i komisionit për Veirfikim, Agim Çeku, i cili vazhdimisht thoshte se numri i veteranëve nuk do të kalonte 24 mijë.

Menjëherë pas luftës, Organizata Ndërkombëtare për Migrim IOM kishte regjistruar në Kosovë ushtarakët e UÇK-së para se të ndodhte demilitarizimi i UÇK-së dhe sipas tyre, atëkohë me uniformë ishin 24 mijë 577 ushtarë.

Kohavisioni kishte kërkuar disa herë këto lista, por OVL-ët patën deklaruar se ato nuk ishin në posedim të tyre.

Sidoqoftë historia e këtij procesi, ajo që është e sigurt është se 22 mijë 700 veteranë janë duke u shpërblyer nga shteti me një pension solid prej 170 eurosh por kjo mund të ndryshojë me ndryshimin e pagës minimale në vend.

Pasi ligji e thotë qartë se pensioni i tyre nuk mund të jetë më i vogël se sa paga minimale në vend.

Ndërsa Qeverisë i mbetet të gjejë paratë për të kompensuar rreth 10 mijë veteranë që u ka mbetur borxh nga 3 deri në 6 pensione.

https://vimeo.com/169120121