LAJMI I FUNDIT:

Edhe LSI sulmon përgjimet e Tahirit

Edhe LSI sulmon përgjimet e Tahirit

LSI godet Tahirin për pajisjen e përgjimit. Nëse ish-kryeministri Berisha e renditi dje edhe Ilir Metën mes personave të përgjuar në mënyrë klandestine nga policia, sot ka ardhur një reagim i deputetit të LSI-së dhe ish ministrit të rendit Luan Rama. Ai nuk ka mbajtur qëndrimin mohues ose përqeshës të socialistëve lidhur me denoncimet për pajisjen e përgjimit.

“Nëse realisht gjendet një pajisje e tillë e instaluar dhe e paregjistruar, qoftë edhe vetëm për trajnim siç thuhet, jemi përpara një skandali të madh shtetëror. Prokurori i Përgjithshëm, por unë gjykoj që edhe instrumentet e kontrollit parlamentar duhet të investohen maksimalisht, për të zbardhur të vërtetën dhe për të vënë para përgjegjësisë ligjore cilindo person përgjegjës” ka thënë Rama.


Bie në sy se deklaratat e tij janë bërë pas denoncimeve të PD-së që e ka quajtur këtë aferë një skandal të pastër. Por Luan Rama që e ka cilësuar këtë histori “me pasoja jo vetëm për drejtuesit e policisë” nuk ka përdorur si zakonisht gjuhën e drunjtë të shumicës kur bëhet fjala për të tilla skandale. Shikohet qartë se në vend të kujdesit ai ka përdorur një gjuhë të ashpër që le të kuptosh se ai i beson akuzave.

Megjithatë ai ka ruajtur edhe disa nota kujdesi: “dua të besoj që të mos jetë e vërtetë, pasi Policia e Shtetit dhe të gjitha institucionet ligjzbatuese nuk kanë arsye të ndjekin apo zbatojnë praktika antiligjore.

Ndërkaq, drejtuesit e Ministrisë së Brendshme dhe ata të Policisë së Shtetit janë njerëz me integritet dhe të përgjegjshëm për përgjegjësitë që ushtrojnë e nuk do ta lejonin veten të futeshin në aventura të tilla të rrezikshme e me pasoja jo vetëm për ata vetë” ka thënë ai në intervistën për Panorama. /Telegrafi/