LAJMI I FUNDIT:

Imeri: Nuk lejoj që partitë politike të futen në ATK (Video)

Imeri: Nuk lejoj që partitë politike të futen në ATK (Video)

Sakip Imeri, Drejtor i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, duke folur për Ligjin në fuqi për punëtorët, ka thënë se ka mangësi pasi që, sipas tij, ende lejohet paga mes punëdhënësit dhe punëmarrësit me para të gatshme, dhe kjo mund të shkaktojë gjithmonë ikje nga tatimi.

Më tej, Drejtori i ATK-së, ka thënë se struktura e re nuk e ka rritur numrin e menaxherëve.

“Tash janë vetëm 4 zëvendësdrejtorë. Pra nuk e kam rritur numrin e drejtorëve për reformat. Shumë drejtorëve u janë ndërruar vendet e punës, por jo për shkak të përkatësisë së tyre politike, por për shkak punës, edhe pse ata kanë dal në media e kanë deklaruar se kjo është bërë me qëllim për t’i larguar anëtarët e PDK-së”, ka thënë Imeri, duke theksuar se “nëse kanë qenë nga PDK dhe SHIK-u, atëherë mirë kam bërë, sepse nuk lejoj që partitë politike të futen në ATK”.


Në pyetjen për largimin e ish-menaxherit Shaqir Totaj, i cili u largua nga puna pas deklarimeve të tija në emisionin “Puls”, Sakip Imeri tha se Totaj është larguar nga puna pikërisht për shkak se ka dal në emision.

“Por, dua t’ju bëj publike një lajm të këndshëm. Z.Shaqir Totaj është ankuar në komisionin e ankesave dhe ky komision ka vlerësuar se vendimi për largimin e tij është masë e rëndë, dhe e kthen në punë në administratën tatimore”, ka thënë Imeri në emisionin “Puls” të KTV.

Drejtori i ATK-së, tha se agjencia të cilën ai e drejton këtë vit duhet t’i mbledh 388 milionë euro.

Sa i përket korrupsionit, Imeri tha se ATK po mundohet ta zvogëlojë këtë dukuri.

“Ka shumë kallëzime penale, ka edhe me individë aktakuza, ku disa i kemi suspenduar e disa janë në pritje”, potencoi ai.

Kreu i ATK-së, Sakip Imeri, tha gjithashtu se disa drejtorë kanë refuzuar të lëshojnë zyrën, por më në fund e kanë kuptuar se s’kanë zgjidhje tjetër.