LAJMI I FUNDIT:

Të këqijat nuk vijnë nga mësimi për fetë në shkolla

Të këqijat nuk vijnë nga mësimi për fetë në shkolla

Propozimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës – pastaj edhe të zëvendësministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës (MPJ), Petrit Selimi – për futjen e lëndës fetare nëpër shkolla, po e vlerësojnë pozitiv disa njohës të zhvillimeve shoqërore në Kosovë.

Bllogeri dhe studiuesi i shkencave sociale, Arian Xhezairi, shpreson që këto deklarata të jenë të sinqerta, jo vetëm për të fituar poenë politikë te masa e gjerë. Sipas tij, cilësinë e edukimit në vendet e BE-së, nuk e ka dëmtuar aspak përfshirja e mësimit fetar.

“Meqenëse thirremi në vlera evropiane dhe synojmë të ndjekim shembujt e tyre të rregullimit politiko­shoqëror, kjo nuk do të na dëmtonte, por do ta përmirësonte gjendjen e edukimit – në veçanti fillor dhe të mesëm”, ka thënë ai për Telegrafin.


Xhezairi ka shtuar se përparësitë e mësimit të fesë në shkolla janë të shumta, meqë do të shtonte “njohuritë mbi multikulturalizmin”.

“Fetë me vete sjellin edhe kulturë, etikë e moral”, thotë ai. “Ndaj, është qesharak dhe naiv pretendim i atyre që theksojnë se mësimi i fesë në shkollë sjell rrezik dhe se e dëmton sekularizmin në shkollat tona”.

Xhezairi ka theksuar se si aktivist në çështje të luftimit të ekstremizmit të dhunshëm, prej hulumtimeve ka vërejtur tendencën e grupeve terroriste për t’i joshur grupmoshat e reja.

“Jo rrallë të rinjtë që bien pre e një manipulimi të këtillë, kanë pak apo hiq njohuri mbi filozofinë e besimit të cilit i përkasin. Si rrjedhojë, manipulohen e bëhen për të besuar ideologji të dëmshme e shkatërruese që as për afër nuk përkojnë me themelet e besimit”, ka theksuar ai. “Por, vendimi i mundshëm për ta futur mësimin fetar në kurrikulën shkollore, kërkon grupe punuese e ekspertësh që të diskutojnë e të hartojnë propozimet se si do të dukej dhe çfarë do të përmbante një lëndë e tillë – në bashkëpunim të ngushtë me institucionet fetare, përkatësisht BIK-un dhe Ipeshkvinë”.

Sociologu dhe njohësi i sekularizmit, Shkodran Ramadani, mendon se futja e mësim-besimit ka disa dobi, e njëra nga to është se do të largohej monopoli i të mësuarit të fesë vetëm nga klerikët.

“Shpesh thuhet se janë klerikët ata të cilët po edukojnë keq fëmijët tanë dhe se kështu po kontribuojnë në rritjen e ekstremizmit e më pas edhe të terrorizmit. Në rast të futjes së fesë ose mësimeve fetare në shkolla, klerikët do të shfronësoheshin nga monopoli të cilët ata e kanë krijuar në sferën e edukimit fetar. Natyrisht, kjo nuk garanton sukses të plotë në luftimin e ekstremizmit dhe terrorizmit, për shkak që faktorët të cilët mundësojnë krijimin e tyre janë më shumë se një, kurse edukimi i mirë dhe mungesa e tij është vetëm një nga to”, ka thënë Ramadani.

Ai mendon se mësimi i fesë në shkollë do të ishte një armë më shumë në dorën e shtetit, për të kontrolluar dinamikat e fesë në shoqëri.

“Kështu, klerikët do të rivalizoheshin nga një industri sistematike shtetërore që edukon brezat e rinj në harmoni me vlerat demokratike. Shkolla do të kornizonte edukimin e nxënësit dhe nëse kjo do të bëhej në mënyrën e duhur, do të ishte hap jo i vogël në rritjen e mirëkuptimit ndëfetar”, ka theksuar Ramadani.

Sipas tij, në mesin e debatuesve ka argumente të mira pro dhe kundër së futjes së fesë apo mësimeve fetare në shkolla.

“Për shembull, disa thonë se mësimi i kreacionizmit në shkolla do të ishte në kundërshti me teorinë e evolucionit që mësohet në planprogramin e rregullt të shkollave. Ky është problem jo i vogël. Por, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, në vitin 2007 ka futur në fuqi një Rezolutë që ndalon mësimin e kreacionizmit jashtë orëve fetare. Pra, mësimi i tillë në orët fetare është i lejuar, e meqë orët fetare më shumë i përkasin natyrës etike atëherë kjo nuk përbën problem serioz”, ka theksuar ai.

Por, Ramadani shprehet se nëse hartuesit e shohin kreacionizmin si problem serioz, atëherë ata thjesht nuk e përfshijnë mësimin e tij në planprogramin e mësimit fetar, por përqendrohen në sferën etike të tij.

“Kështu është bërë në Britani të Madhe”, ka deklaruar ai.

Në anën tjetër, duke folur për rreziqet që mund të shfaqen në rast të futjes së fesë në shkolla, ai thotë se ky rrezik lidhet me disa faktorë.

“Për shembull, në rast se mungojnë kuadrot cilësorë që do të mund t’ju transmetonin nxënësve dijen e nevojshme dhe të paraparë në planprogram, atëherë futja e mësim-besimit në shkolla do ta riprodhonte injorancën mbi botëkuptimet fetare dhe mesazhet që ato përçojnë – e madje ndoshta edhe do ta përkeqësonte atë”, ka thënë Ramadani. “Pra, nëse duam që njëmend të vjelim dobitë e një sistemi të tillë, duhet të kihet kujdes me përpilimin e planprogramit dhe përgatitjen dhe përzgjedhjen e kuadrove edukues. Gjithashtu, planprogrami duhet të jetë gjithëpërfshirës. Për shembull, shtete të ndryshme evropiane në planprogramet e tyre përfshijnë edhe fetë e imigrantëve. Kjo po bëhet me idenë që në mes të mikpritësve dhe të ardhurve të krijohet një mjedis familjar, ku palët do të kenë mundësi të dinë më shumë për njëri-tjetrin, për zakonet, traditat dhe botëkuptimet fetare të njëri-tjetrit. Kur kjo njohje bëhet në linjë me parimet liberale të pluralizmit, tolerancës e bashkëjetesës, atëherë një kohezion më solid është më lehtë i arritshëm”, ka shtuar ai. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Me inteligjencën artificiale 'jetësohen'  figurat historike shqiptare

Me inteligjencën artificiale 'jetësohen' figurat historike shqiptare

Lajme
Vogel: Për sa kohë BE-ja dhe SHBA-ja e 'ledhatojnë Vuçiqin', Kosova do të jetë në rrezik

Vogel: Për sa kohë BE-ja dhe SHBA-ja e 'ledhatojnë Vuçiqin', Kosova do të jetë në rrezik

Lajme
Sarajeva e para, Prishtina qyteti 15-të me ajrin më të ndotur në botë

Sarajeva e para, Prishtina qyteti 15-të me ajrin më të ndotur në botë

Prishtina
Del duarsh protesta në Tiranë, Adriatik Lapaj përplaset me

Del duarsh protesta në Tiranë, Adriatik Lapaj përplaset me "Lëvizjen Bashkë" të Arlind Qorrit

Lajme
Hoxha skeptik për formimin e qeverisë nga Albin Kurti pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, i duhet koalicioni

Hoxha skeptik për formimin e qeverisë nga Albin Kurti pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, i duhet koalicioni

Lajme
Ekspertët e sigurisë: Shtimi i forcave ndërkombëtare, reagim ndaj destabilizimit të mundshëm nga Serbia

Ekspertët e sigurisë: Shtimi i forcave ndërkombëtare, reagim ndaj destabilizimit të mundshëm nga Serbia

Siguri
Kalo në kategori