LAJMI I FUNDIT:

Shkolla e Prishtinës me vetëm dy nxënës

Shkolla e Prishtinës me vetëm dy nxënës

Paraleles së shkollës fillore “Pjetër Bogdani” që gjendet në lagjen “Kolovicë”, vetëm katër kilometra nga Prishtina, i kanë mbetur vetëm dy nxënës – një në klasën e parë e tjetri në të tretën.

Edhe pse ekziston që nga viti 1954, numri i nxënësve ka ardhur duke u pakësuar dhe bashkë me të edhe interesi për të vijuar mësimet në këtë shkollë, shkruan sot Koha Ditore.

Shkolla ka katër dhoma mësimi të pajisura me karrige dhe banka, dhe disa dhoma të tjera për kabinete dhe bibliotekë. Aktualisht aty punojnë tre punëtorë, mësuesja, arsimtarja e gjuhës angleze dhe mirëmbajtësja e shkollës.


Në njërën nga dhomat e shkollës, në hapësirë prej rreth tre metrash katrorë, me mure të mbushura me vizatime të ndryshme, mësojnë dy motrat Tringa dhe Suela Krasniqi, të cilat ndonëse nuk u përkasin moshave të njëjta, vijojnë mësimin në një dhomë dhe me të njëjtën mësuese.

Ato nuk bëjnë jetë të zakonshme shkollore. Ndryshe nga bashkëmoshatarët e tyre, ato nuk mund të organizojë aktivitete dhe as nuk kanë me kë të luajnë.

Derisa Tringa, që vijon mësimet në klasën e tretë, të enjten po zgjidhte detyrat e matematikës në tabelë, për Suelën që sivjet është në klasën e parë, mësuesja Ferdane Krasniqi e kishte një detyrë tjetër: ajo po i mësonte shkronjën Nj dhe pas kësaj mbante diktim.