LAJMI I FUNDIT:

ITSHKSH nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me akademinë shqiptare të shkencave

ITSHKSH nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me akademinë shqiptare të shkencave

Agjenca Anadolu bën të ditur se në selinë e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup (ITSHKSH) u nënshkrua marrëveshje bashkëpunimi mes institucionit në fjalë dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, me synim zhvillimin e shkencës së albanologjisë, historisë dhe shkëmbimeve të ndryshme kulturore shqiptare mes dy vendeve, transmeton Telegrafi Maqedoni.

Drejtori i ITSHKSH-së, Skender Asani tha se marrëveshja e këtillë është një kulminim i punës së mëtejshme të institutit, sepse siç tha ai, për t’i arritur projektet e parapara, nevojitetet një përkrahje edhe nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë, e cila disponon të gjitha sferat e shkencave albanologjike.

Akademiku i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Muzafer Korkuti konsideron se një marrëveshje e këtillë përforcon dhe bashkon shqiptarët e Maqedonisë, Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe kontribuon në saktësimin e programit shkencor të institutit dhe në përgatitjen e kuadrove.


Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes ishte i pranishëm edhe ministri i Arsimit dhe Shkencës së Maqedonisë, Pishtar Lutfiu, i cili tha se shqiptarët e Maqedonisë kanë më tepër nevojë për ndihmë konkrete nga Shqipëria në institucionet e mirëfillta arsimore dhe shkencore në vend./Telegrafi.