LAJMI I FUNDIT:

Meha në histori me Konyasporin

Meha në histori me Konyasporin

Alban Meha kishte bërë histori me Paderbornin në Gjermani. Paderborni llogaritej skuadër e vogël për Bundesliga 2, por edicionin e kaluar ia doli të luajë në Bundesliga 1. Meha tani po bën histori me një skuadër tjetër të vogël, me Konyasporin në Superligën e Turqisë.

Për Superligën turke, Konyaspori llogaritet skuadër e vogël. Por kjo skuadër të shtunën ia doli të shënojë një fitore të madhe. E mposhti 2:1 Fenerbahçen që po lufton për titull, shkruan sot Koha Ditore.

Fenerbahçe mbeti tri pikë prapa Beshiktashit që prinë, ndërsa Konyaspori u përforcua në pozitën e tretë, që në fund dërgon në raundin e tretë kualifikues për Ligën e Evropës. Pas 28 xhirove Konyaspori ka 53 pikë. Skuadra ku luan Meha nuk ka humbur në 18 ndeshjet e fundit.


“Kjo fitore ishte shumë e madhe për ne. Tashmë thuajse e kemi siguruar pozitën e tretë që na dërgon në Ligën e Evropës. Seria po vazhdon, kemi 18 ndeshje pa humbje”, ka thënë Meha të dielën për gazetën. Ai ndaj Fenerbahçes luajti deri në minutën e 78-të.

Ndeshja u luajt në një atmosferë të zjarrtë të krijuar nga tifozët e Konyasporit.

Meha këtë edicion është paraqitur në 23 ndeshje dhe ka katër gola e gjashtë asistime. Në pesë ndeshje për Kupë ka shënuar një gol. Konyaspori është në gjysmëfinale të Kupës ku do të përballet në dy ndeshje pikërisht me Fenerbahçen.