LAJMI I FUNDIT:

Cameronit i kërkohet dorëheqja

Cameronit i kërkohet dorëheqja

Kryeministri britanik, David Cameron, ndërmori sot hapin e pazakontë të publikimit të deklaratave të tij të taksave për gjashtë vitet e fundit, me shpresën për të qetësuar polemikat rreth llogarive të babait të tij në parajsat fiskale. Megjithatë, dhurata të shtrenjta të dhëna nga e ëma e tij tërhoqën menjëherë vëmendje.

Në përmbledhjen prej tre faqesh rezulton se Mary Cameron i ka bërë atij dy dhurata me vlerë prej 320 mijë dollarë në vitin 2011, pas vdekjes së të atit, Ian Cameron.

Ditën e djeshme, opozita dhe protestuesit në Britani i bënë thirrje kryeministrit David Cameron të japë dorëheqjen pasi u zbulua aktiviteti financiar i familjes së tij në skandalin e “Dokumentave të Panamasë”.


Turma e mbledhur dje përpara rezidencës së kryeministrit në Londër thërriste për largimin e zotit Cameron.

Protestues ishin mbledhur edhe përpara godinës ku mbahej një takim i Partisë Konservatore, ku po merrnin pjesë edhe Cameron dhe kryebashkiaku i Londrës, Boris Johnson. Policia u detyrua të bllokonte shkallët e hyrjes për të mos lejuar turmën e zemëruar.

Dokumentet e dalë nga firma ligjore panameze Mossack-Fonseca treguan se babai i tij, Ian Cameron, ishte bashkëpronar i kompanisë “Blairmore Holdings”, në Bahamas, ku edhe kryeministri rezulton me pjesën e tij.

“Kam blerë aksione më se të zakonshme në një shoqëri, për të cilat kam paguar taksat. Realisht i kam shitur të gjitha aksionet, kur u bëra Kryeministër. Do të bëj publike të dhënat në formularët e mi të taksave për vite të tëra që kanë kaluar, pasi dua të jem transparent”, tha Cameron.

Skandali i Dosjes Panama u shfaq në një periudhë të vështirë për zotin Cameron, i cili është duke bërë fushatë për qëndrimin e Britanisë brenda Bashkimit Evropian, ndërsa britanikët po shkojnë drejt referendumit për këtë çështje, më datë 23 qershor. Cameron është shprehur se përgjegjësia është vetëm e tij, për mënyrën e reagimit kur filloi publikimi i të dhënave dhe premtoi se do të nxjerrë mësime. Nuk është e qartë nëse kjo lloj pendese do të shuajë thirrjet për dorëheqjen e tij.