LAJMI I FUNDIT:

Fluturimet nga Kukësi nisin për shtatë muaj

Fluturimet nga Kukësi nisin për shtatë muaj

Fluturimet ndërkombëtare nga Aeroporti i Kukësit mund të nisin në fund të vitit. Kjo konfirmohet nga ministri, Edmond Haxhinasto, ndërkohë që nga ana tjetër rezulton se Autoriteti i Konkurrencës ka qenë kundër zgjatjes së kontratës për Aeroportin e Rinasit.

Sa i përket procedurës për hapjen e Aeroportit të Kukësit, ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto, thotë gjatë një interviste për “Top Channel”-in se operimi i aeroportit mund të jepet me koncesion ose mund të menaxhohet përmes një kompanie publike.

Ky i fundit është opsioni më i mundshëm, por nevojitet një investim prej rreth tre milionë eurosh. “Ne mendojmë se në një gjendje normale, deri në fund të vitit aeroporti duhet të jetë operacional. Ka dalë një faturë prej tre milionë eurosh për ndërhyrje. Besoj se ka nevojë për një rishikim të kësaj situate e pastaj ka nevojë për ndërhyrje. Ose do të vazhdojmë me investime me para publike”, thotë Edmond Haxhinasto, ministër i Transporteve. Haxhinasto konfirmon se janë dy operatorë “low cost”, “Ryan Air” dhe “Wizz Air”, të cilët kanë shprehur interes konkret, madje kanë bërë dhe inspektimin e pistës së terminalit.


“Veçanërisht kompanitë ‘low cost’, dy prej tyre kanë ardhur, e kanë vizituar dhe inspektuar dhe kanë qenë në pritje të hapjes së heqjes së ekskluzivitetit për t’u përgatitur dhe ata në mënyrë konkrete për mundësinë e përdorimit të këtij aeroporti si një bazë e mundshme. Veçanërisht për kategorinë ‘low cost’”, tha Haxhinasto.

Ndërsa për aeroportet në jug të Shqipërisë qeveria ka porositur një studim fizibiliteti për të zgjedhur vendin se ku do të ndërtohet terminali dhe pista e parë. Nga ana tjetër, Autoriteti i Konkurrencës i kishte rekomanduar Ministrisë së Transporteve dhe asaj të Ekonomisë që të mos zgjatet afati i ekskluzivitetit për fluturimet ndërkombëtare, pavarësisht kushteve të vendosura nga koncesionari për rishikimin e marrëveshjes.

Vendimi i Autoritetit është marrë në dhjetor 2015 dhe u është dërguar në atë kohë palëve të interesuara, që kishin kërkuar mendimin e Autoritetit, por u bë publik vetëm dje, në mënyrë që të mos pengoheshin negociatat. Kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës, Lindita Lati, tha për “Monitor.al se” “Autoriteti ka përshëndetur faktin që drafti është konsultuar me ta, por duke u bazuar edhe në raportin e monitorimit që ka bërë më përpara Autoriteti, koncesionari kishte aftësi financiare të tilla që të mundësonte liberalizimin e Aeroportit të Kukësit, pa kosto shtesë për ekonominë, përsëri duke ruajtur mirëqenien ekonomike të koncesionarit”. /Telegrafi/

Artikull i sponzorizuar