LAJMI I FUNDIT:

De Biasi merr Italinë pas Evropianit? Ja çfarë thotë Lippi

De Biasi merr Italinë pas Evropianit? Ja çfarë thotë Lippi

Bankina e Kombëtares italiane të futbollit ende nuk ka një zëvendësues pas largimit të pritshëm të Antonio Contes i cili pritet të vazhdojë te Chelsea, në përfundim të Euro 2016.

Mediat italiane kanë publikuar ditët e fundit refuzimet që disa prej trajnerëve të njohur i kanë bërë kombëtares italiane, apo pamundësisë që ata kanë për ta marrë këtë funksion, për shkak të impenjimeve apo kontratave që kanë me klube të ndryshme.

I fundit që tha jo ishte Fabio Capello, ndërsa Claudio Ranieri nuk mund të larë Lecesterin e tij në kohën kur po arrin një sukses të dukshëm në Ligën Premier.


Një ndër emrat e përfolur në mediat italiane është edhe trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit, Gianni de Biasi. Ky i fundit vlerësohet për rezultatet e arritura në Shqipëri, me kualifikimin historik të kuqezinjve në Evropian.

Por si e ka komentuar listën e kandidatëve të mundshëm ish-trajneri i Kombëtares italiane dhe i skuadrës së Juventusit, Marcello Lippi.

“Emrat që fliten për Kombëtaren italiane janë gjithmonë të rëndësishëm. Të gjithë ata që janë përfolur kanë kredencialet e duhura për të qenë drejtues të Kombëtares italiane. Federata do të zgjedhë emrin e duhur”, ka deklaruar Lippi për Sport Mediaset.

Ndërsa gazeta më e madhe sportive në Itali, La Gazzetta dello Sport, ka shkruar se De Biasi është njëri prej kandidatëve të mundshëm bashkë me Gasperinin, Guidolin e Mazzarin.