LAJMI I FUNDIT:

Mitrovica i rikthehet heqjes së “Parkut të paqes”

Mitrovica i rikthehet heqjes së “Parkut të paqes”

Pavarësisht zvarritjeve në dukje, puna për revitalizimin e urës kryesore mbi lumin Ibër, i cili ndan veriun dhe jugun e Mitrovicës, do të nis dhe punimet do të përfundojnë brenda afatit të paraparë në marrëveshjen e Brukselit, vlerësojnë zyrtarët e dy komunave të Mitrovicës, të veriut dhe jugut.

Rrethojat që shënojnë vendpunimin në urën kryesore mbi lumin Ibër janë vendosur në mesin e muajit tetor të vitit 2015, por deri më tash aty nuk është bërë asgjë më shumë.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës së jugut, Agim Bahtiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë ka theksuar se arsyeja e moszhvillimit deri më tash të punimeve në urën kryesore mbi lumin Ibër, janë të natyrës teknike dhe burokratike.


Sipas tij, për realizimin e projektit, fillimisht është dashur të ndiqen procedurat e tenderit, si dhe përzgjedhjes së kompanisë e cila do t’i zhvillojë punimet.

“Këtu kanë qenë disa çështje. Tenderimi zgjatë 3 muaj. Më pas ai 45 ditë duhet të jetë i hapur. Pastaj bëhet zgjedhja e kompanisë dhe më pas edhe 1 muaj shkon në rast se ka dikush ankesë. Jën këto procedura, të cilat neve nuk na kanë lënë të ecim më shpejtë”, ka theksuar Bahtiri.

Në anën tjetër, kryetari i Mitrovicës së veriut, Goran Rakiq, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se nuk merret shumë me çështjen e revitalizimit të urës kryesore mbi lumin Ibër, për shkak se sipas tij, këtë obligim e ka marrë Bashkimi Evropian.

“Rreth punimeve në urë, obligimet i ka marrë Bashkimi Evropian, e cila e hapë tenderin dhe zbaton procedurat. Kjo çështje nuk ka të bëjë me neve”, ka thënë Rakiq.

Por, Bahtiri thekson se ka marrë garanci nga udhëheqësi i operacioneve në zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, Christoph Stock, si dhe nga shefi i kësaj Zyre, Samuel Zhbogar, se tashmë është zgjedhë kompania që do ta zbatojë projektin dhe se punimet do të përfundojnë deri në fund të qershorit.

“Tash i lëshohet kontrata dhe po mendoj që ura do të jetë e gatshme në mënyrë teknike, krejtësisht, në atë kohë që është përcaktuar në Bruksel, në fund të qershorit. Kështu më është thënë edhe nga Christoph (Stock) por edhe nga (Samuel) Zhbogar, i cili ma ka dërguar një shkresë, ku ka treguar se kompania është përzgjedhur dhe tani do të fillojë me punën, të cilën e ka kontraktuar”, ka thënë Bahtiri.

Edhe Adrijana Hoxhiq, shefe e Zyrës administrative të Qeverisë së Kosovës në Mitrovicën e veriut, thotë për Radion Evropa e Lirë se aktualisht, konsulentët e angazhuar nga Bashkimi Evropian, po punojnë në fazën që përfshinë anën burokratike për realizimin e projektit të revitalizimit të urës mbi lumin Ibër.

“Unë mendoj që punimet do të nisin shpejt. Nuk e di kur dhe nuk i di detajet. Por, e di që shtëpia për konsulentë e cila është zgjedhur nga Bashkimi Evropian, është në terren, kanë ardhur në komunën tonë për çështjet që kanë të bëjnë me dokumentacionin dhe burokracinë. Unë pres që kjo pjesë e marrëveshjes së Brukselit të zbatohet ashtu siç edhe është arritur marrëveshja”, theksoi Hoxhiq.

Aktualisht mbi urën kryesore mbi lumin Ibër vazhdon të qëndrojë barrikada e ashtuquajtur “Parku i paqes”, e cila ishte vendosur më 18 qershor të vitit 2014, vetëm disa orë pas heqjes së barrikadës së mëparshme me rërë dhe gurë, nga ana e autoriteteve lokale të Mitrovicës së veriut.

Revitalizimi i kësaj ure, nënkupton edhe heqjen e të ashtuquajturit “Parku i paqes”, i cili jo rrallë, ishte bërë shkak i tensioneve ndërmjet shqiptarëve që janë popullatë shumicë në komunën jugore të Mitrovicës dhe serbëve që janë popullatë shumicë në komunën veriore të Mitrovicës. /rel/

Në trend Lajme

Më shumë
Kurti pret me ceremoni shtetërore homologun Mickoski

Kurti pret me ceremoni shtetërore homologun Mickoski

Lajme
Zogaj: LDK dhe Lumir Abdixhiku janë alternativa më e mirë për Kosovën, nuk është demagog por profesional

Zogaj: LDK dhe Lumir Abdixhiku janë alternativa më e mirë për Kosovën, nuk është demagog por profesional

Politikë
Ramadani kërkon të mos lejohet Stoilkoviq në takimin e dy qeverive: Ka agjendë anti-shqiptare, është njëjtë sikur të jetë Vulini aty

Ramadani kërkon të mos lejohet Stoilkoviq në takimin e dy qeverive: Ka agjendë anti-shqiptare, është njëjtë sikur të jetë Vulini aty

Lajme
Pacolli i reagon Pecit: Dikur mbaje bluzën e kompanisë time, sot më quan vrasës

Pacolli i reagon Pecit: Dikur mbaje bluzën e kompanisë time, sot më quan vrasës

Lajme
Gjendet pa shenja jete një grua në Fushë Kosovë, policia nis hetimet

Gjendet pa shenja jete një grua në Fushë Kosovë, policia nis hetimet

Kronika e Zezë
I reagoi për subvencionet, Peci e akuzon rëndë Pacollin: Emri yt figuron në dosje të vrasjes, unë ty të llogaris diçka tjetër

I reagoi për subvencionet, Peci e akuzon rëndë Pacollin: Emri yt figuron në dosje të vrasjes, unë ty të llogaris diçka tjetër

Lajme
Kalo në kategori