LAJMI I FUNDIT:

Alket Zeqiri dyshohet se ka djegur veturën e zëvendësministrit Bajram Gecaj

Alket Zeqiri dyshohet se ka djegur veturën e zëvendësministrit Bajram Gecaj

Policia e Kosovës me anë të një komunikate bën të ditur se sot në mëngjes në Fushë Kosovë ka arrestuar 26 vjeçarin A.Z si të dyshuar se ia ka vënë zjarrin një veture.

Sipas Policisë, i dyshuari më 24 shkurt të këtij viti rreth orës 12:00, në rrugën “Sejdi Kryeziu” në Prishtinë, ka djegur një veturë e tipit Hyunday.


Më 24 shkurt në pikë të ditës ishte djegur vetura private e zëvendësministrit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj.

Gjatë bastisjes policia ka sekuestruar për ekzaminim të mëtejmë edhe një laptop dhe një telefon që mendohet se ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të procesit hetimor të këtij rasti.

I dyshuari pas arrestimit është dërguar në njësinë rajonale për hetimin e krimeve ku aktualisht policia po kryen të gjitha veprimet e duhura hetimore dhe po kompleton pjesën procedurale, ndërkohë që po koordinon veprimet e saj me prokurorin e shtetit për procedim të mëtutjeshëm të rastit.

Më herët Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se është arrestuar aktivisti Alket Zeqiri.