LAJMI I FUNDIT:

Ish-kandidatët mund të rikonkurrojnë për rektor

Ish-kandidatët mund të rikonkurrojnë për rektor

Ish-kandidatëve për rektor të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” nuk iu ndalohet me ligj që të konkurrojnë sërish për postin e të parit të këtij Universiteti. Ndonëse zyrtarë të Rektoratit kanë njoftuar ditë më parë se sipas praktikave të këtij Universiteti ish-kandidatët nuk do të kenë mundësi të konkurrojnë dhe një herë, anëtarët e Këshillit Drejtues (KD) deklarohen ndryshe.

Në konkursin e hapur nga Rektorati kandidatët që duan të paraqesin aplikimin e tyre për rektor do ta kenë këtë mundësi prej 14 deri më 28 mars 2016.

Kryetari i KD-së, Ismet Salihu, ka thënë për “Zërin” se ligji nuk ia ndalon askujt që plotëson kriteret e parapara me statut të konkurrojë për rektor. “Ligji nuk ua ndalon konkurrimin as ish-kandidatëve për rektor që u paraqiten në konkursin e kaluar”, ka pohuar Salihu.


Ai ka thënë se KD-ja nuk ka diskutuar për këtë çështje, pasi, sipas tij, nuk mund të bjerë ndesh me ligjin. Salihu ka thënë se në një mbledhje të këshillit është diskutuar kjo, por në atë mbledhje është thënë nga sekretari se “deri tash është praktikuar që ata të cilët kanë konkurruar një herë për një pozitë të mos garojnë në ripërsëritjen e konkursit”. Por, kjo për profesor Salihun nuk ka asnjë bazë. /Zëri/