LAJMI I FUNDIT:

Trajneri me përvojë ndërkombëtare i portierëve: Kosova ka mjaft talentë (Foto)

Trajneri me përvojë ndërkombëtare i portierëve: Kosova ka mjaft talentë (Foto)

Arben Kasolli është i bindur se nëse ndryshohet teknika dhe metodologjia e të stërviturit atëherë edhe portierët nga trojet shqiptare do jenë në nivel evropian. Pas një përvoje të gjatë në Greqi, Holandë dhe Arabi Saudite Kasolli karrierën po e vazhdon në Prishtinë ku aktualisht po punon me gjashtë portierë të talentuar të Kosovës.

Për dy ditë të plota e ka ruajtur fanellën e portierit holandez, Piet Schrijvers, të Ajax Amsterdamit. Ditën e tretë e ndau mendjen dhe e shkëmbeu me bluzën e kombëtares së Gjermanisë Perëndimore. Duke qenë njëri nga çunat që mblidhte topat pas portës atëbotë 13-vjeçari nga Tirana e bëri kapjen e parë serioze. Gjatë ndeshjes së të 16-tës së finales të Kupës së Kampioneve Evropianë mes Dinamos së Tiranës dhe Ajaxit të Amsterdamit, Kasolli pati fatin që ti mblidhte  topat pas portës së Schrijversit. Në fund të lojës arriti ta kapë edhe fanellën e portierit legjendar.

“Piet ma hodhi fanellën pas golit ku po prisja topat gjatë lojës të cilën Dinamo e Tiranës e humbi 2-0 nga Ajaxi”, tregon ish-portieri shqiptar me përvojë evropiane dhe tashmë një nga trajnerët e dalluar të portierëve në Holandë, i cili qe shtatë muaj ndodhet në Kosovë ku po punon me portierë të talentuar. Synim thotë ta ketë jo thjesht identifikimin e portierëve por edhe përgatitjen e tyre për tregun evropian. Teksa kujton të kaluarën Kasolli rrëfen se 20 vjet pas kapjes së fanellës së Schrijversit iu dha mundësia që të punojë së afërmi me këtë portier holandez, gjatë kohës kur të dy ishin pjesë e klubit të futbollit AZ Alkmaar.


“Me Pietin e rikujtuam atë çast duke qeshur shumë. Kemi bashkëpunuar dy vite te klubi AZ Alkmaar”, kujton tiranasi me përvojë profesionale të fituar në Greqi, Holandë dhe Arabi Saudite. Ai tregon se orientimi në pozitën e portierit nisi në moshën 6-7 vjeçare kur filloi ti imitonte portierët gjatë stërvitjeve të hapura të Dinamo Tiranës.

“E imitoja portierin e Dinamos dhe në moshën 10 vjeçare u regjistrova në shkollën tetëvjeçare të futbollit të Dinamos ku trajner të parë e kisha Theodor Gjikurian”, kujton ai teksa e përmend edhe portierin legjendar të Partizanit të Tiranës Bashkim Muhedini. Edukimin formal Kasolli e kombinoi me atë sportiv duke ndjekur shkollën e mesme të mjeshtërisë sportive dhe Institutin e Lartë të Fizkulturës “Vojo Kushi” në Tiranë.

“Pas shkollës sportive luajta në Kategorinë e Parë me Naftëtarin e Qytetit Stalin sot Kuçova, pas një viti shkova ushtar dhe më vonë i përfundova studimet e sportit dhe pas hapjes së kufirit ika për në Greqi”, tregon trajneri i portierëve duke i kujtuar vitet e para të nëntëdhjetave kur filluan ndryshimet e mëdha në Shqipëri.

Aventura jashtë Shqipërisë

Hapja e kufijve të Shqipërisë, Arben Kasollin e çoi drejt Greqisë ku shkoi për prova në ekipin PAS Janina F.C apo siç njihet ndryshe ‘Ajaxi i Epirit’.

“Fillimisht shkova tek Janina ku portier ishte Foto Strakosha, atje bëra prova por nuk luajta shkaku i rregullit të angazhimit të vetëm tre lojtarëve të huaj dhe më pas më dërguan tek Ionikos F.C ku luajta për gjashtë muaj”, kujton ai.

Si 23 vjeçar, Kasolli vendosi të largohej nga Greqia për ta provuar fatin në Holandë tek ekipi më i madh dhe i famshëm – Ajaxi i Amsterdamit. Përvoja në Holandë Kasollit ia ndryshoi konceptin për portierin modern duke bërë që ai të ngrihet në nivel më lartë.

kas1

“Atje isha portier i tretë pas Stanley Menzo dhe Edwin van der Sar ku pata rastin të bashkëpunoj me të madhin Louis van Gaal nga i cili mësova shumë sidomos lojës me këmbë dhe komunikimit në fushë me bashkëlojtarët”, rrëfen Kasolli duke kujtuar se teknikat e dikurshme të Ajaksit tashmë janë bërë standard nëpër klubet dhe akademitë e futbollit në Evropë.

“Gjatë lojës në Ajax flitej shumë, sepse komunikimi në një mënyrë e definonte shpejtësinë e lojës”, thotë ai teksa e aranzhon orarin e stërvitjes me gjashtë portierë kosovarë, të cilët po i përgatit sipas metodave të Frans Hoek – trajnerit të portierëve nga Holanda e që aktualisht është pjesë e Manchester United. Hoek e ka patentuar hedhjen moderne të portierëve përmes bërjes së hapit diagonal si opsion ndaj shkëputjes nga vendi.

“Kur më shihnin mua shqiptar habiteshin me faktin se ka sportist cilësor nga Shqipëria kurse unë me humor ua ktheja duke thënë se kjo është rezultat i ashpërsisë së asaj që njihej si shkolla e Enverit”, tregon ai buzagaz teksa shton se Kosova ka nevojë për portierë që trajnohen sipas stilit holandez dhe jo duke u bazuar në shkollën e vjetër të para Luftës së Dytë Botërore kur portierët më shumë se sa si futbollistë konsideroheshin akrobatë.

Pas Ajaxit, Kasolli u zhvendos në ekipin HFC Haarlem, ku qëndroi gjashtë muaj dhe më pas nënshkroi me klubin AZ Alkmaar.

“Kështu luajta me HFC Haarlem, AZ Alkmaar, Fortuna Sittard, NEC Nijmegen dhe Almere City F.C në fundin e karrierës sime”, tregon ai duke sqaruar se Almere City F.C që dikur njihej si Omniworld është ekip satelit i Ajaxit.

Bashkëpunimi me klubet holandeze

Viti 2004 për Arben Kasolli nishte kthesë në karrierën e tij sportive ku ai vendos që ti kaloj tek të tjerët njohuritë e tija. Thjesht kalimin në trajnimin e të rinjve ai e pa si një hap natyror.

“Në 2004-tën nisa të punoj si trajner portierësh në akademinë e Almere City F.C ku kam qëndruar deri në vitin 2008, brenda vitit të parë, nxora katër portierë moshash, dy te Ajaxi, dy te AZ Alkmaar, një te FC Utrecht dhe në Holandë më doli zëri si trajner i portierëve dhe tek unë vinin nga e gjithë Holanda”, tregon Kasolli. Puna e mirë e Kasollit me portierë ka bërë që ai të përfshihej edhe në Federatën e Futbollit të Holandës (KNVB) ku ai u angazhua në kombëtaren U17 të Holandës, ku gjatë vitit 2005 bashkëpunoi me trajnerin holandez Casimir Westerweld.

den

Pas punës me federatën holandeze hap logjik në karrierën e tij si trajner portierësh ishte akademia e klubit më të madh dhe më të njohur holandez Ajaksit të Amsterdamit.

“Më vonë vazhdova me akademinë e Ajaksit, ku për tre vjet nga 2005 deri në 2008 kam punuar me portierë, kam qenë edhe tek Cruyff Courts ku edhe u zgjodha trajner i vitit në ushtrimin e portierëve”, kujton ai duke shtuar se më pas iu përkushtua punës në akademinë e tij personale Kasolli Goalkeeping Academy.

“Punoja individualisht me mosha të reja dhe portierë senior holandez, pra punoja me amator dhe profesionistë të cilët më pas i dërgoja në klube të ndryshme”, rrëfen Kasolli duke theksuar se për punën e tij u interesua ekipi ADO Den Haag me të cilin klub u angazhua.

“Për dy vite kam punuar me portierë të rinj duke nisur nga zeroja kurse tashmë ata janë portierë të kombëtares së Holandës U15, U16, U17”. Në ADO Den Haag Arben Kasolli pati rastin ta ushtroj edhe portierin aktual të Newcastle dhe të kombëtares së Holandës Tim Krul. “Në ADO Den Haag nuk ishin shumë optimistë për të por unë e kuptova se ishte portier klas dhe punova me të, vullneti i tij i madh e puna me mua e bën të veten dhe Newcastle e bleu, besoj se e keni parë kampionatin e fundit botëror ku ai mbrojti dy penallti kundër Kostarikës”, thotë ai.

Gjatës punës në Holandë, Arben Kasolli po ashtu ka pasur rastin të bashkëpunoj edhe me trajnerin e njohur Martin Jol. “Në kohën që punoja në akademinë e Ajaxit trajner i parë ishte Martin Jol dhe kur ai u largua nga Ajaksi për në Fulham F.C. e mori stafin e tij kurse mua më angazhoi si skaut ndërkombëtar dhe për trajnimin e portierëve me synim për ti bërë pjesë të Fulham F.C, ky bashkëpunim zgjati një vit dhe gjatë kësaj kohe u angazhova që Etrit Berishën ta çoj në Fulham F.C”, pohon Kasolli. Sipas tij transferimi i Berishës në Premiershipin anglez nuk mundi të realizohej për shkak të problemeve me dokumentacion e gardianit shqiptar.

Kalimi në klubet arabe

Viti 2013 Arben Kasollin e çoi larg Evropës tek klubi arab Al Faisaly nga Harmah, i cili garon në ligën e parë arabe, ku ishte trajner kryesor i portierëve. Gjatë qëndrimit në këtë klubin arab ai bashkëpunoi me kryetrajnerin italian Giovanni Solinas.

“Në Arabi shkova që të pasurohem me përvojë ndërkombëtare dhe atje pata rastin të punoj me profesionistë  nga e gjitha bota”, thotë ai .

Në Al-Faisaly ai e ka trajnuar ish-portierin e kombëtares së Arabisë Saudite të cilin e riktheu  në formë duke bërë që ai të grumbullohet përsëri me kombëtaren saudite dhe në moshën 35 vjeçare të kërkohej nga klubet e mëdha si Al Nasr dhe Al Ahli”, thotë Kasolli duke shtuar se viti i dytë në Arabinë Saudite e ka çuar tek  ekipi tjetër arab Hajer F.C, ku u transferuar falë menaxherit shqiptar Ilir Halili.

kas-arab

“Ekipi Hajer FC sapo ishte kthyer në kategorinë e parë saudite të futbollit dhe këtij ekipi i duhej një trajner portierësh për ta mbajtur në kategori”, tregon Kasolli gjersa i kujton ditët e punës me trajnerin malazias Nebojsha Jovoviq kryetrajner i atëhershëm i klubit saudit Hajer FC. “Nebojsha edhe pse nga Mali i Zi punonte sipas sistemit holandez dhe mund të them se kam mësuar shumë gjëra nga ai, madje ai ma besonte ndërrimin e lojtarëve gjatë ndeshjes”, thotë Kasolli i cili gjatë qëndrimit në këtë klub ka punuar me portierin Mustafa Malaika, i cili u shpall portieri i vitit në Arabinë Saudite.

Vendimi për të punuar në Kosovë

Edhe pse i kishte tre vite kontratë Arben Kasolli u largua pas një viti nga Arabia Saudite ngase sapo ishte martuar me Megi Tashollin – një shqiptare  nga Kosova me banim në Holandë.

“Arsyeja fillestare përse e zgjodha Kosovën krahas Shqipërisë apo rikthimit në Holandë ishte fakti se nusja ime është nga Kosova dhe më ka folur shumë për vendlindjen e saj dhe duke qenë se kam apartamentin tim këtu erdha të hulumtoj dhe të punoj me portierë shqiptarë”, thotë ai teksa përmend emrat e Blendit, Leorentit, Bleronit, Miranit, Ylli dhe Lekës, gjashtë portierëve me të cilët po punon për momentin tek fusha sportive Ylli në Prishtinë.

leka

Pesë vjet më parë Kasollit iu ofrua që të punojë me kombëtaren e Kosovës. Albert Bunjaku donte që ta kishte në staf trajnerin e portierëve nga Shqipëria. “Atëherë kisha disa kontrata të cilat nuk i shkëpusja dot kurse të njëjtën ofertë e kam edhe nga Federata Shqiptare e Futbollit, por tani jam më se i gatshëm që të kontribuoj në kombëtaren e Kosovës në futboll”, pohon ai dhe shton se ‘kjo dashuri ndaj Kosovës lidhet edhe me dashurinë ndaj nuses sime kosovare”.

Kasolli pohon se gjatë qëndrimit në Kosovë ka patur ofertë që ti bashkagjitet stafit teknik të një kombëtareje afrikane të futbollit për t’ja përgatitur portierët për eleminatoret Rusi 2018.

Gjashtë portierët që aktualisht i ushtron, Blendin, Leorentin, Bleronin, Yllin, Miranin dhe Lekën 10 vjeçar, Arben Kasolli synon që brenda një deri në dy vitesh t’i aftësojë për ekipe dhe akademi evropiane.

“Duhet treguar se edhe Kosova nuk i ka mangët talentet që do të mund ta bëjnë diferencën  në fushë”, thotë ai duke shtuar se portierin 18 vjeç Blendi Rahimi nga Gjilani e ka prezantuar tek disa klube holandeze. “Blendin në të kaluarën e kanë mashtruar duke e dërguar në Leicester City duke i kërkuar para ndërsa unë pasi erdha në Kosovë e testova dhe tani po punoj që ta përgatis dhe ti gjej një klub të përshtatshëm jashtë vendit”, thotë ai.

Mundësia për të punuar me trajner me renome evropiane për Blend Rahimin, portierin 18 vjeç nga Gjilani është një mundësi që duhet shfrytëzuar maksimalisht. Ai pohon se trajnimet me Arben Kasollin e kanë zhvilluar si portier.

“Me Benin jam shumë i kënaqur dhe me të kam ndryshuar 100 për qind në çdo element timin si portier prej kur kam filluar ti mbaj stërvitjet qe shtatë muaj me të”, tregon Rahimi. Ndërsa 18 vjeçari tjetër Leorent Sylejmani po ashtu nga Gjilani tregon se ndihet krenar që stërvitet në Kasolli Goalkeeping Academy.

“Derisa Arbeni të jetë në Kosovë unë do të ushtroj me të sepse dua të zhvillohem dhe të dal për të luajtur jashtë Kosovës”, thotë Sylejmani i cili aktualisht angazhohet me ekipin U19 të KF Drita nga Gjilani.

Për Bleron Imerin bashkëpunimi me Arben Kasollin po i ndihmon shumë sidomos në lojën me këmbë. “Synim i imi është të përgatitem për angazhim jashtë Kosovës”, thotë ai. Kurse 10-vjeçari Lekë Filipaj nga Prishtina, më i riu në akademinë e Kasollit tregon se dëshiron që një ditë të bëhet si idhulli i tij portieri gjerman Manuel Neuer.

“Kam dëshirë që të bëhem ma i miri dhe trajneri po më stërvit shumë mirë dhe më pëlqen shumë si po mbroj tani”, thotë Leka teksa pret topat gjatë stërvitjes me trajnerin Arben.

ksarben

Që nga shtatori 2015, Arben Kasolli e ka hapur në Prishtinë degën e Kasolli Goalkeeping Academy, e cila funksionon tek fusha sportive “Ylli”. Aktualisht ai i ushtron gjashtë portierë nga 18 deri në 10 vjeç. Sipas tij Kosova ka mjaft talente sportive, sidomos në futboll, por të cilët sipas tij nuk po zhvillohen siç duhet, për shkak të mungesës së kushteve por edhe të mos përfshirjes së metodave të reja në trajnimin e portierëve.

“Kosova ka talente për portierë por në të kaluarën si të them shumë talente kanë humbur, e të cilët kanë mundur të jenë në nivel botëror”, thotë ai i bindur se nëse ndryshohet teknika dhe metoda e të mësuarit të futbollit atëherë edhe shqiptarët nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia do jenë në nivel me futbollistët  shqiptarë të zhvilluar në Evropë.

Sipas Kasollit, ende ka mungesa në trajnimin e portierëve në trojet shqiptare por ai synon që përmes metodave evropiane ta ndryshoj këtë gjendje dhe të kontribuoj në krijimin e portierëve shqiptarë për nivelin e lartë të sportit ndërkombëtar.

Në trend Sport

Më shumë
Ilir Daja largohet nga Ballkani, përshëndetet me lojtarët pas ndeshjes me Malishevën

Ilir Daja largohet nga Ballkani, përshëndetet me lojtarët pas ndeshjes me Malishevën

Superliga
U përball me të dy ekipet, trajneri i Valladolidit tregon dallimin mes Real Madridit dhe Barcelonës

U përball me të dy ekipet, trajneri i Valladolidit tregon dallimin mes Real Madridit dhe Barcelonës

La Liga
Rezultatet dhe renditja në Ligën e Parë: Drenica dhe Vëllaznimi në formë, Prishtina e Re fiton derbin

Rezultatet dhe renditja në Ligën e Parë: Drenica dhe Vëllaznimi në formë, Prishtina e Re fiton derbin

Liga e Parë
Ylli i Real Madridit ‘i shkatërruar’ pasi nuk arriti që të largohej nga klubi këtë verë

Ylli i Real Madridit ‘i shkatërruar’ pasi nuk arriti që të largohej nga klubi këtë verë

La Liga
Notat e lojtarëve, Man Utd 0-3 Liverpool: Salah ndeshje pothuajse perfekte

Notat e lojtarëve, Man Utd 0-3 Liverpool: Salah ndeshje pothuajse perfekte

Premier League
Liverpooli shumë i fortë për Manchester Unitedin - dominim, gola dhe fitore e madhe në ‘Old Trafford’

Liverpooli shumë i fortë për Manchester Unitedin - dominim, gola dhe fitore e madhe në ‘Old Trafford’

Premier League
Kalo në kategori