LAJMI I FUNDIT:

Kur gëzimi i fëmijëve, varet nga lodrat dhe rrobat që babai i gjen në bërllok (Video)

Kur gëzimi i fëmijëve, varet nga lodrat dhe rrobat që babai i gjen në bërllok (Video)

Eltoni shtatëvjeçar, fëmija i tretë i familjes Zuka nga Prishtina, gëzohet tej mase kur babai i tij, Skënderi (41), i sjell lodra të cilat i gjen në kontejnerët e mbeturinave në Prishtinë.

“Eltoni nuk e di se nga vijnë lodrat, madje vazhdimisht kërkon që të “blejë” prapë të llojeve tjera”, tregon babai i tij.

Familja pesë-anëtarëshe Zuka jeton me asistencë sociale prej 90 eurosh në muaj, jo larg qendrës së Prishtinës. Që nga viti 2000, kjo familje jeton në një shtëpi të huaj, shumë të vjetër, e cila posedon vetëm një dhomë.


Kryefamiljari Skënderi është i papunë dhe për çdo ditë del nëpër qytet që të mbledhë hekurishte për t’i shitur pastaj, në mënyrë që të sigurojë ushqim për familjen e tij. Ai e ndien veten shumë keq përballë kërkesave të fëmijëve të moshave 7, 12 dhe 14-vjeçare.

Gjatë vizitës që i ekipi i Radios Evropa e Lirë i bëri kësaj familjeje, fëmijët ngurruan të qëndrojnë aty. Ata ngurrojnë dhe druajnë nga publikimi i fytyrave, ngaqë nuk duan që shokët e tyre ta marrin vesh se ku dhe në çfarë kushtesh jetojnë.

“Sot nuk kam gjetur asgjë. Duhet të dal prapë. Në bërllok gjej edhe rroba dhe lodra për fëmijë. Ata gëzohen kur i sjell, sepse nuk e dinë ku i marr”, tregon Skënderi.

Zonja e shtëpisë, Remzia, e cila pastronte enët në oborr në një tavolinë të improvizuar, tregon për vështirësitë e një nëne me tre fëmijë në kushte të mjerueshme. Ajo tregon se dhoma e vjetër ku përgatit ushqimin, shërben edhe si dhomë gjumi .

Reshjet e shiut dhe borës, po ashtu paraqesin problem për këtë familje, ngaqë lagështia depërton në dhomën e vetme të tyre. Por, me gjithë vështirësitë tjera, problemi kryesor është kur ajo fillon të përgatisë ushqim, pasi përballet me mungesën produkteve më elementare.

“Jeta është më e vështirë, sidomos kur fëmijët kërkojnë gjësende që kanë shokët e tyre në shkollë. Ata kërkojnë teknologji si shokët e vet, e unë nuk kam as ushqim për t’u përgatitur” shprehet Remzia.

Nuk është vetëm familja Zuka ajo që jeton me ndihma sociale. Në bazë të të dhënave të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, në këto skema janë të përfshira afër 26 mijë familje me mbi 107 mijë anëtarë. Rreth 29 për qind e familjeve të përfshira në asistencë sociale, thuhet se jetojnë në varfëri, kurse rreth 12 për qind jetojnë në varfëri ekstreme që jetojnë me më pak se 1.50 euro në ditë.

Shqetësimin për nivelin e varfërisë e shprehin ekspertë për çështje ekonomike dhe sociologë. Profesori i menaxhmentit në Universitetin e Prishtinës, Isa Tahiri, konsideron se 18 për qind e popullatës jeton me mungesë të produkteve elementare për ushqim. Kurse, e se 30 për qind e popullatës jetojnë në varfëri të moderuar.

“E, Qeveria e Kosovës paraqitet e verbër dhe e shurdhër para këtij realiteti”, thotë ai.

Qeveria dhe Presidenca e Kosovës ishin zotuar se në vitin 2015 do të përmbushnin Objektivat për Zhvillim të Mijëvjeçarit, që kanë për qëllim ta ulin dukshëm varfërinë, e ta rrisin nivelin e edukimit, barazinë gjinore dhe shëndetësinë. Por , për ta zvogëluar papunësinë dhe varfërinë, ekonomistë të Bankës Botërore në Kosovë kanë thënë se vendit i duhet rritje ekonomike mbi tetë për qind për një periudhë 10-vjeçare. /REL/

Mjerimi i familjes Zuka nga Prishtina: Kur gëzimi i fëmijëve varet nga lodrat që babai i tyre i gjen në bërllok

Posted by Telegrafi.com on Saturday, March 12, 2016