Akademiku Rexhep Qosja, në një intervistë për Vizion Plus, tregon një panoramë dëshpëruese të situatës politike dhe ligjore në Kosovë.
Ai shpjegon se është gjendja e mungesës së shpresës dhe besimit te drejtësia, më shumë sesa varfëria, që i shtyn shqiptarët këtej dhe andej kufirit të braktisin Atdheun. Por profesor Qosja, pranon se nuk është dorëzuar të besojë te ballafaqimi i shqiptarëve me vetveten dhe ndaj flet e nuk do rresht së foluri kundër së keqes, jo për të nxitur shqiptarët të mendojnë si ai, por për ti mësuar të mendojnë me kokën e tyre dhe nëse kanë gojë të flasin, nëse kanë sy të shikojnë.
Rexhep Qosja nuk e fsheh admirimin për ambasadorin e SHBA në Tiranë, Donald Lu, përshëndet përkushtimin e tij dhe uron që lista e zezë e Amerikës, për gjyqtarët të shtohet me njerëz të politikës dhe të shtrihet edhe në Kosovë.
Më poshtë lexojeni të plotë intervistën e realizuar nga Rudina Xhunga me akdaemikun Rexhep Qosja,
Profesor, çfarë po ndodh në Kosovë, pasi në Shqipëri është treguar por nuk është komentuar, sikur nuk ka të bëjë me ne?
Po ndodh, po ndodh. Do të dëshironim të ndodhte shumëçka, shumë të mira, të pritura, të dëshiruara, por janë reduktuar shumë. Po ndodh një krizë e gjatë politike dhe institucionale, që erdhi që kur u krijua koalicioni PDK-LDK. Kjo krizë shënon jetën e përgjithshme në Kosovë sot dhe përcakton të gjitha kahet e zhvillimet e tjera. Kjo krizë është shumë dëmtuese dhe rënduese për të sotmen, unë them edhe për të ardhmen e Kosovës.
Është koalicioni që e krijoi këtë krizë?
Koalicioni me njerëzit që janë në krye të tij. Njerëz të mençur të Evropës, e cila ka shumë përvojë politike, shtetërore, e kanë thënë para meje, se kaosi ndodh nga bashkimi i atyre që duhet të jenë të ndarë, ose nga ndarja e atyre që duhet të jenë të bashkuar. Te ne, kaosi filloi atëherë kur u bashkuan ata që do të duhej objektivisht të ishin të ndarë. Ky ishte bashkim i atyre që kanë bërë luftën për pavarësinë e Kosovës dhe i atyre që ishin kundër kësaj lufte.
Ju ishit kundër që në nisje të këtij koalicioni. Jeni të kënaqur që shumëkush në Kosovë mendon se keni të drejtë, apo nuk është kjo kënaqësia që prisni të ndjeni?
Është mirë që është rritur numri i njerëzve që e kuptojnë këtë, që e kuptojnë çfarë po ndodh dhe pse po ndodh. Ne kemi jetuar, kemi zbatuar atë paragrafin e njohur biblik; ka gojën e nuk flet, ka sytë dhe nuk sheh, ka veshët dhe nuk dëgjon. Shpesh sillemi kështu dhe s’duhet ta bëjmë. Tani njerëzit po shohin, një numër i madh njerëzish është zgjuar dhe i shohin të këqijat. Ne kemi pasur prirjen, dëshirë që të këqijat t’i mbulojmë dhe të shohim vetëm të mirat. Kjo na është hakmarrë dhe vazhdon të na hakmerret. Tashti, njerëzit po shohin se nga po na vijnë shumë të këqija, shumë të padëshiruara, shumë të rënda dhe shumë prishësi në jetën tonë politike dhe shoqërore.
Prishësi në jetën politike. Si?
Po prishësi. Më vjen keq ta përdor këtë fjalë, ndoshta do të duhej të ishte fjala e fundit në këtë bisedë me ju, por ja e solli puna që ta them që në fillim. Në jetën shqiptare në përgjithësi, edhe këtu edhe në Shqipëri, ka një për shtrirje të prishësisë që e ka prodhuar klasa politike. E ka prodhuar, e mban dhe e vazhdon, se jeton me të, i shërben, është bërë mjet i saj për përfitime.
Dua të ndalojmë në një moment që u pasqyrua fort në Tiranë. Ishte zgjedhja e presidentit Hashim Thaçi, një zgjedhje në kushte të rënda, por që duket sikur mbaroi. Gjithçka është në rregull, ai është president i Kosovës, askush nuk ka protestuar më pas.
Ajo zgjedhje, fatkeqësisht ndodhi në kushte që nuk do të duhej të ndodhte, ajo zgjedhje ndodhi në gjendje të jashtëzakonshme që shpalli Kuvendi, pra në mbledhje të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës. Në botën demokratike, zakonisht, jemi mësuar, kemi parë, kemi lexuar, kemi dëgjuar, zgjedhja e kryetarëve dhe figurave të tjerra politike, shtetërore nuk bëhen në mbledhje të jashtëzakonshme të Kuvendit. Jo vetëm që ishte mbledhje e jashtëzakonshme e Kuvendit, por kishte edhe një shtetrrethim të Kuvendit. Pamë një numër të policisë speciale, një numër më të madh se sa ishte numri i policisë në mars të 1989 kur iu mor autonomia Kosovës, e njohur në vitin 1974. Në të ashtuquajturën demokraci, sot ne përjetojmë një shtetrrethim të Kuvendit më të rëndë se atëherë. Në atë mbledhje të jashtëzakonshme u morën disa masa, u bënë disa veprime që nuk do të duhet të bëhen në mbledhjet në të cilat zgjidhen figurat politike, shtetërore. U përjashtuan 11 deputetë të opozitës, disa prej të cilëve u tërhoqën zvarrë, duke u grushtuar, duke u kapur me dhunë. Ju lutem, ku ndodhin në botë që deputetët të nxirren zvarrë prej Kuvendit, në çfarë vendi demokratik në botë mund të ndodhë kjo?
Deputetët hodhën gaz lotsjellës?
Mund të mos jemi dakord me atë gaz lotsjellës, por ka mënyra të tjera për t’u zgjidhur kjo punë dhe të mos hiqen zvarrë deputetët, të nxirren prej Kuvendit, i përjashtoi, i zhvlerësoi, i fyeve zgjedhësit e tyre që janë një numër i madh i qytetarëve të Kosovës.
Ju si u ndjetë atë ditë duke parë pamjet në ekran?
Shumë rëndë, shumë dëshpërueshëm. A është e mundshme që ne pritëm të ndodhte edhe kjo në Kuvendin e Kosovës? Pamë se si kryetari i njërës parti të koalicionit, pas votimit të parë dhe sidomos atij të dytë, shkoi dhe ju foli deputetëve që dihej se kishin votuar kundër. Në votimin e parë, 31 deputetë nuk votuan për zgjedhjen e kryetarit. Në fund votuan të gjithë pasi ju tha deputetëve të listës serbe. Çfarë përjetuan ata deputetë që ndërruan mendimin, ata që nuk votuan më parë tani votuan? Si është e mundshme? Çfarë ndodhi, çfarë shantazhesh, çfarë kërcënimesh iu bënë atyre, çfarë premtimesh iu dhanë atyre? Qytetarët shtrojnë pyetjen, po e shtroj edhe unë: Çfarë deputetësh janë ata, ç’i duhen ata Kosovës? Deputetë që ndërrojnë aq lehtë mendim, mos do ta ndërronin ata mendimin edhe për çështjet e tjera, edhe për çështje që kanë të bëjnë me fatin e Kosovës? A është e mundshme që edhe deputetë të tillë ka zgjedhur ky popull? Po e lexojnë, po e bëjnë këtë pyetje, po e shkruajnë edhe në portale edhe në gazeta, qytetarët e Kosovës. Ata të gjithë, bëjnë pyetjen, që edhe unë e bëj. A mund të kemi deputetë që e ndërrojnë aq lehtë mendimin? Pra në kushte të tilla u zgjodh kryetari. Nuk është mirë për kryetarin, nuk është mirë për Kuvendin, nuk është mirë për Kosovën, nuk është mirë për qytetarët e Kosovës.
Për kë është mirë?
Mund të jetë mirë për Serbinë sepse po thonë që deputetët serbë votuan kundër. Në qoftë se deputetë serbë do të donin që të mos votohej ky kryetar që fitoi, nuk do të vinin. Mosardhja e tyre do të bënte që të mos zgjidhej kryetari. Por ata erdhën dhe e bën të mundshme zgjedhjen. E gjitha kjo që ndodhi në Kosovë, e gëzon Serbinë. Dua të përmend një fjali që më dëshpëroi shumë. E dëgjova Daçiçin, ministrin e jashtëm të Serbisë kur tha: pozitat e Serbisë në Kosovë janë forcuar shumë. Unë shtroj pyetjet: Si, pse dhe kush i forcoi pozitat e Serbisë në Kosovë sot?
Që do të thotë se në marrëveshjet e ardhshme me Serbinë, palët përfaqësuese të Kosovës mund të venë me detyrime?
Nuk e di, të gjitha varen prej qëndrimit të Bashkimit Evropian. Ato bisedime mes Kosovës dhe Serbisë, në masë të madhe varen prej BE, i cili i ka caktuar figurat që marrin pjesë në këto bisedime, ka caktuar të Serbisë me një jetëshkrim politik tepër problematik, të papranueshëm, Vuçiçi dhe Nikoliçi, bujarët e Sheshelit, shërbëtorët politikë të Sheshelit . Janë veshur me kostume evropiane por asgjë evropiane nuk kanë me vete. BE dhe Gjermani, luajti rol që edhe kryeministri i Kosovës të jetë ky që është, i cili po ashtu ka një jetëshkrim problematik dhe të papranueshëm për demokracinë. Ata bënë që në ato bisedime të nënshkruhen edhe ato dy marrëveshjet, tepër të papranueshme.
Ju jeni me orgjinë nga Shqipëria e Malit i Zi. Njëra prej marrëveshjeve prek vendin ku ju keni lindur. Ju si e gjykoni atë marrëveshje?
Atë rrugë, që kalon nëpër atë kufi e kam kaluar si nxënës i shkollës së mesme dhe si student, prej Peje e deri në vendlindjen time që ka ndoshta më shumë se 60 kilometra, në këmbë, gjatë dimrit dhe verës dhe njoh atë territor. Edhe këtë territorin tani te Kulla e kam kaluar me automjete dhe njoh. Kufiri ka qenë kufiri i bjeshkës, kufiri natyror, i caktuar pas luftërave ballkanike. Malazezët kanë jetuar në atë të majës, kurse shqiptarët, Rugova, në anën tjetër. Sipas marrëveshjes për demarkacionin Kosovë- Mal i Zi, kufiri ka zbritur 5-6 km poshtë në anën e Rugovës. Mal i Zi nuk do të shfrytëzoj pyjet se këtë e ka bërë, por do kontrollojë burimet e lumenjve prej nga merr ujë Peja. Këta që kanë nënshkruar atë marrëveshje janë penduar, ka dalë edhe një libër për ata kufij, e kanë shkruar dhe botuar disa ekspert tanë . Tani thonë se një komision ndërkombëtar do të shikojë atë punë, por kur e nënshkruan nuk e kërkuan atë komision ndërkombëtar, e nënshkruan pa menduar? Përveç të këqijave të tjera, ajo marrëveshje cenon nga pikëpamja gjeostrategjike Kosovën. Mali i Zi ishte larg në atë anë, edhe katundet e Malit të Zi ishin larg në atë anë, ndërsa tani kalon 5-6 km në anën e Kosovës duke marrë pozita gjeostrategjike tepër cenuese për Kosovën. Në atë marrëveshje Kosova i fali Malit të Zi, një pozicion gjeostrategjik cenues, rëndues, kërcënues për veten. Mos harrojmë se Mal i Zi është quajtur prej Serbisë “Sparta serbe”, dhe ajo përparësi që i është dhënë Malit të Zi, nesh mund të jetë përparësi e Serbisë.
Atëherë si u firmosën?
Sigurisht, i kanë firmosur lehtë dhe pa menduar fare. Si mundesh ti të firmosësh të tilla marrëveshje siç është kjo për bashkësinë e komunave serbe dhe ajo për demarkacionin, pa u konsultuar me njeri, pa dëgjuar njeri, pa dëgjuar deputetë të Kuvendit dhe në fund, pa organizuar një referendum? Si mund ta bësh aq lehtë? Problemi është se i nënshkruan pa pyetur askënd. Për këto marrëveshje, përveç opozitës që hyri në marrëveshje të vazhdueshme dhe gjitha veprimeve të tjera që shprehu mospajtimet e veta, u deklarua edhe Gjykata Kushtetuese me një formulim jo se si do të duhej por tha: Këto dy marrëveshje janë në kundërshtim me frymën e Kushtetutës. Ato dy marrëveshje sidomos kjo e bashkësive serbe është në kundërshtim me frymën e Kushtetutës. Dhe këta e pranuan se sipas asaj marrëveshje nuk do të bëhen komunat serbe, por do të bëhet marrëveshje tjetër, do të bëhet statut tjetër po thonë. E pranuan gabimin, e prej këtej del se kanë shkelur Kushtetutën, Ka kjo një përgjegjësi? E nënkupton kjo një kulturë ndëshkueshmërie. Po. Pse nuk e bën atë që do ta bënte çdo kryeministër me ekipin e tij në këtë botë demokratike? Pse nuk jep dorëheqjen? E dyta, pse Kuvendi nuk i shkarkon? Sepse Kuvendi i Kosovës nuk kryen rolin e tij si do të duhej. Në të vërtetë Kuvendi i Kosovës është delegjitimizuar dhe është margjinalizuar prej qeverisë. Prej këtyre protokolleve margjinalizohet ky Kuvend. Pas kryetarit të shtetit vjen menjëherë Kuvendi e pastaj qeveria. Këtu para të gjithëve, edhe para kryetares vjen qeveria. Qeveria e futi Kuvendin e Kosovës në atë riprovimin për Gjykatën e Veçantë. Se unë i them Gjykatë e Veçantë, jo Gjykatë Speciale. Kuvendi si i margjinalizuar dhe delegjitimuar praktikisht nuk mund të kryejë rolin e tij ashtu si duhet e prej këtej edhe zgjedhësit e deputetëve janë të shpërfillur. Këtë e bëri qeveria, por po ndodhe dhe diçka tjetër, po forcohet një sektor tjetër i quajtur sektori i shoqërisë civile, këto të ashtuquajtura organizata joqeveritare dhe media që i shërbejnë qeverisë, të kontrolluara dhe të blera prej saj. Ato bëhen strategjia politike e krijimit të shtyllës së katërt të pushtetit.
Gjithë media kosovare është duke i shërbyer pushtetit?
Absolutisht, e keni parë se çfarë bën RTK, ajo mban këngën e qeverisë me të gjitha të këqijat e saj.
Neve, në Tiranë, na duket normale ngaqë RTSH, këtë e ka bërë gjithmonë.
RTK, këtë po bën tani. Po e bën shumë për kushtueshëm, e bëjnë edhe të tjera televizione. Një përjashtim në disa pikëpamje është KTV, por të tjerët e bëjnë këtë punë, e bëjnë portalet, e bëjnë shumë gazetarë, një numër gazetarësh janë bërë persona me të cilët qeveria përndjek njerëzit, fyejnë njerëzit, përbalt fytyrat e njerëzve pa ngurrim fare. Dhe ngadalë në Kosovë krijohet shtylla e katërt e pushtetit. Sindikatat kurrgjë nuk përfaqësojnë në Kosovë, duhet të mbrojnë në interesat e punëtorëve, asnjë farë roli nuk luajnë ato. Sepse janë këta që i kemi natë e ditë në televizion.
Analistët. Pra ne sollëm sëmundjen këtu?
Ata, gjoja përfaqësojnë shoqërinë civile dhe objektivisht kryejnë punën e qeverisë, e regjimit. Njerëzit e artit e kulturës, e shkencës dhe letërsisë janë shpërfillur plotësisht, janë mënjanuar. Para dy ditësh lexova një pjesë në librin me titull “Intelektualët e fundit”, ky i ashtuquajturi neoliberalizëm do që të prodhojë njerëz konsumues, nuk do të prodhojë koka që mendojnë vet, njerëz që kanë kokë të mendojnë të pavarur, sepse këta janë shpesh disidentë dhe disidentët nuk i do kush. Në botën shqiptare sot përjetojmë një shpërfillje intelektuale të pa mbajtur mend, të atyre që e kanë kokën për të menduar vet. Prej mesjetës, intelektuali quhet koka e popullit. Këtë kokë të popullit sot e kanë hedhur, e kanë braktisur, ata që i frikësohen kësaj koke. Sepse mendojnë se ua sheh të zezat, ua sheh prishësitë që bëjnë. Këta janë zëvendësuar prej këtyre analistëve dhe portaleve.
Kjo ka bërë që shqiptarët të vendosin duke parë botën nga mëhalla?
Duke parë nga sokaku i mëhallës, i cili e ka horizontin shumë të ngushtë, sheh vetëm leverdinë e vet e nuk sheh më tepër. Kështu po shihen leverditë e atyre në pushtet që i kanë bërë partitë firma për leverditë e veta. Aftësia, merita, talenti, dija nuk të ndihmojnë, ekziston droja prej tyre, dhe mblidhen mediokritetet, servilët, mblidhen poltronët.
Kjo është arsyeja që shqiptarët zbrazin atdheun, jo nga varfëria por se nuk kanë besim te vlera dhe mundësia që të jepet kur vlen?
Si tek ju edhe tek ne, por ikin prej atdheut vetëm se nuk kanë perspektivë, nuk kanë shpresë , e shohin se dija, aftësia, talenti nuk i ndihmojnë, prandaj shkojnë për të kërkuar kushte për jetë dhe ekzistencë tjetërkund. Kjo ka për të zgjatur për aq kohë sa të zgjasë kjo klasë politike në pushtet, e cila e ka sjellë këtë gjendje.
Profesor, kjo klasë politike nuk do të rrijë pafundësisht në pushtet, do të ndërrohet me opozitën, një ditë. Por si ju duket qëndrimi i opozitës?
Reagimet e opozitës me një numër të madh qytetarësh krijojnë përshtypjen se do të kemi një lëvizje popullore kundër kësaj prishësie që mbizotëron në jetën shqiptare, e kësaj prishësie që e karakterizojnë shumë të këqija. Kjo opozitë si drejtuese e kësaj lëvizje nuk ka fuqi. Protestën e ardhshme do e organizojë më 26 mars, kur të vijë pranvera. E deri atëherë ftohen e dëshpërohen shpirtrat, kërkohen rrugëdalje të reja, harrohen punët. Mos po dekompozohet kjo opozitë që e filloi organizimin e një lëvizjeje premtuese, që premtonte se ne për herë të parë po ballafaqohemi siç duhet me vetveten, po fillojmë ta shohim si duhet vetveten e po i bëjmë ato pyetje që duhet t’ia bëjmë? Janë pyetje të rëndësishme. Ku shkuan tokat e kooperativave bujqësore? Ku shkuan hotelet dhe restorantet? Ku shkuan disa dyqane? Ku shkuan pronat e tjera shoqërore? Çfarë u bë me Rexhep Lucin, arkitektin që i ka caktuar fizionominë Prishtinës? Çfarë u bë me Dine Hasanin që ishte në agjencinë e privatizimeve? Si u bë privatizimi e si u bënë njerëzit në pak vjet milionerë të shumëfishtë, me pallate e prona të tjera? Në botën kapitaliste duhen 50-100 vjet për të krijuar një pasuri që çmohet me miliona. Ndërsa këtu u deshën 5 deri 10 vjet, si u bë e mundur? Askush nuk i shtron këta pyetje. Kemi një agjenci kundër korrupsionit. I regjistron atje të korruptuarit për 100-200 marka, por jo të korruptuarit që kanë miliona. Dëgjova një zëvendësprokuror, jo ky që është tani, para disa muajsh ku tha se janë të dyshuar disa ministra. Publikisht deklaroi se kryeministri nuk është i dyshuar, deklaratë tipike e kohës së Titos dhe Milosheviçit. Kishte marrë detyrë të shfajësonte kryeministrin dhe të fajësonte disa ministra. Nuk e bën prokurori atë punë në demokraci.
Jo vetëm prokurori, e ka bërë edhe ambasadori. Duket se ka një mbështetje ndërkombëtare për Thaçi-Mustafën, ambasadori amerikan që përfaqëson ShBA, i ka mbrojtur fuqimisht dhe ka sulmuar opozitën. Duhet pranuar kjo apo jo?
Nuk e di. Unë i pashë disa përkrahje që u dhanë dhe u habita. Si është e mundur? E kuptoj, nuk jam për përdorimin e gazi lotsjellës, megjithëse kur me dikë nuk pranon të merresh vesh në asnjë mënyrë , do të detyrohesh të përdorësh ndonjë mjet që nuk është për të përdorur. Policia përdor edhe gaz lotsjellës me protestuesit, përditë dhe nuk e quan armë siç po e quan për opozitën. Nuk e kuptoj, ti po e dënon se hodhën gaz lotsjellës, e nuk po dënon shtetin që nxori zvarrë dhe i nxori prej mbledhjes deputetët në mënyrë të dhunshme. Tani unë bëj një pyetje, dhuna e individit dhe dhuna e shtetit a janë të barabarta? Nuk janë. Ata deputetë që hodhën gazin lotsjellës, janë 1, 2, 3, por janë individë, ndërsa dhuna e shtetit është dhuna e shtetit, shumë e rëndë, nuk mund të barazohen. Ashtu si nuk mund të barazohen dhuna e shtetit me dhunën e partisë. Shteti ka policinë ka ushtrinë, ka sigurimin, ka administratën, ka institucione të tjera me të cilat mund të ushtrojë dhunë, ndërsa këta kanë veten. Ti po dënon individin dhe nuk po sheh dhunën e shtetit? Kjo në demokraci nuk mund të ndodhë. Këta nuk e bëjnë shtetet demokratike, e bëjnë disa individë sipas mendjes dhe dëshirës së vet, por jo shteti.
Por ambasadori amerikan e bëri, dënoi dhunën e opozitës dhe përkrahu fuqimisht Thaçin.
E bëri. Unë di se SHBA janë shembulli i demokracisë në botë dhe unë them se i duhen shumë planetit. Po të mos ishin ShBA, në këtë botë do të kishte kaos të tmerrshëm që do ta shkaktonin çiftet e Millosheviçave, e Sadam Hyseinave e të tjerëve, diktatorëve, tiranëve dhe të këqijave të tjera. SHBA-të luajnë një rol ekuilibrues në këtë planet. Dhe së dyti, ne, Kosova kemi dhe ndiejmë obligime të veçanta ndaj SHBA-ve, për shumë arsye. E ndër të tjera për faktin se pa SHBA, as unë e as shumë shqiptarë të tjerë nuk do të ishim sot këtu. Do të ishim të shpërndarë nëpër botë, pas shpërnguljes së dhunshme që pësuam në vitin 1999.
Atëherë , duhet të mbyllim gojën, kur flasin ambasadorët dhe pse nuk na pëlqen?
Jo, nuk duhet të mbyllim gojën në asnjë mënyrë, duhet t’i themi ato që mendojmë.
Edhe nëse të marrin për antiamerikan, pasi në rastin e Albin Kurtit, ai po akuzohet për antiamerikanizëm?
Unë e dëgjova një ditë një këshilltar në qeveri që tha: Ne sa më shpejtë duhet të qërojmë hesapet me këta antiperëndimorë dhe këtë duhet ta bëjmë sa më parë për një shëndet shtetëror e shoqëror, pavarësisht prej çmimit që duhet të paguhet. Pra tha se do qërojmë hesapet me antiperëndimorët, pavarësisht çmimit që do paguhet, pavarësisht këtyre viktimave që do të shkaktohen. E tha ky djali këshilltar. E kush janë ata antiperëndimorët për të? Albin Kurti, Glauk Konjufca, Visar Ymeri, Shpend Ahmeti, Albulena Haxhiu, Donika Bujupi, të rritur në kushtet e demokracisë dhe jo të komunizmit e Jugosllavisë, disa prej tyre të formuar e shkolluar në perëndim, Angli e Amerikë. A për këtë janë antiperëndimorë dhe ky qenka perëndimor? E lexova në një shkrim që botoi në facebook-un e vet a në gazetë kryeministri dhe përmend për këta të opozitës, të lidhur me Korenë dhe Kubën. E thotë këtë, dikush që ka sunduar në Kosovë me regjimin e Milosheviçit dhe ne bindjen e Milosheviçit. I quan këta djem 100% pro perëndimorë, me formim perëndimor, i quan me ideologji dhe politikë të Koresë dhe të Kubës. Shikoni çfarë çudish ndodhin tek ne, e çfarë bëjnë përfaqësuesit e regjimit sot këtu. Si përpiqen t’ua mbyllin gojën atyre që duan t’i shohin gjërat si janë, që duan t’i shohin të këqijat të këqija dhe që duhet t’i thonë popullit se me këto të këqija nuk duhet të pajtohemi, për të mirën e këtij populli, për të mirën e Kosovës, për të mirën e sotme dhe të mirën e atyre që do tua lëmë Kosovën.
Më bëri përshtypje mënyra përçmuese se si u trajtua në disa media deputetja e opozitës, Albulena Haxhiu, për mënyrën se si e fshehu gazin dhe çfarë bëri, e pastaj mënyra se si iu drejtuan asaj që burrat përdorin gratë.
Skena ndaj saj ishte shumë brutale, reaguan disa juristë, të shquar, të nderuar, me të dhëna konkrete si profesionistë. Thanë se me veprimet ndaj saj janë bërë disa vepra penale dhe ndaj atyre që janë sjellë ashtu me të, të hapet procedurë penale. Ndaj saj u sollën në mënyrë kriminale, ata që urdhëruan që ndaj të sillen ashtu. Albulena Haxhiu, një vajzë e zgjuar, e urtë, e aftë, profesore e matematikës, me sa di unë, mbesa e një të burgosuri shumëvjeçar politik, të burgosur me Adem Demaçin, Një familje që i ka dhuruar Kosovës, jo vetëm përkushtimet e Albulenës por edhe të gjyshit të saj. Sjellja ndaj saj shihet shumë shqetësuese dhe shumë padurueshëm. Shohim që nuk merren kurrfarë masash dhe nuk i kërkohet falje Albulena Haxhiut, edhe ndaj disa të tjerëve ka pasur sjellje të rënda.
Njerëzit që bëjnë këtë, çfarë i bën të jenë të tillë, bindja e një pushteti të gjatë, arroganca që sjell pushteti, që sjellin paratë, çfarë i vë politikanët kaq përballë me ata që i zgjedhin?
Koncepti që kanë për pushtetin është shumë i tejkaluar, është primitiv. Koncepti për shtetin sot nuk është ai që ka ekzistuar dikur. Këta mendojnë se meqë i fituan zgjedhjet, e kanë bërë Kosovën të tyren, pra është bërë pronë e tyre. Kështu them unë se mendojnë shumica e atyre që fitojnë në zgjedhje. Fitova zgjedhjet, fitova Kosovën, kjo është tani pronë e imja. Jo. Ty tu dha besimi prej zgjedhësve, që t’iu shërbesh atyre që të kanë zgjedhur, në përgjithësi qytetarëve të Kosovës. Në filozofinë demokratike, në demokraci dhe në teorinë për demokracinë sot, pushteti quhet servis i qytetarëve. Ti je zgjedhur për t’i shërbyer këtij populli, për të punuar për të, për t’i plotësuar disa nevoja të tij, të komunikimit të tij me administratën etj. Jo rastësisht nuk quhet sundim por qeverisje dhe këta që janë në pushtet nuk quhen sundues, por quhen qeverisës. Por këta nuk e konceptojnë ashtu qeverisjen, e konceptojnë si sundim. Dhe sundim nënkupton një dhunë, e prandaj nuk heqin dorë prej dhunës. Koncepti i tyre është anakronik, skllavopronar. Prandaj edhe demokracia jonë, se kam quajtur unë i pari, jo vetëm te ne por edhe në disa vende ish komuniste, e kanë quajtur demokraci skllavopronare. Ai është pronari dhe të tjerët skllavë me të cilët mund të bëjë çfarë të dojë.
Megjithatë ata janë duke qeverisur, sunduar në çfarëdolloj mënyre Kosovën, por ata janë në pushtet tani, Hashim Thaçi si president dhe Isa Mustafa si kryeministër. Profesor, juve kjo u trishton, por nuk mund të bëni gjë kundër saj.
Unë mund të flas e mund të shkruaj, derisa të jem gjallë do të flas dhe do të shkruaj. Nuk është qëllimi im, që kur flas dhe kur shkruaj t’i bëj njerëzit të mendojnë doemos si unë. Unë dua që kur të shkruaj dhe kur të flas, t’i frymëzoj njerëzit që të mendojnë për ato çështje. Sepse mendoj se qytetarët duhet të kenë më shumë kërkesa, të jenë më kërkues ndaj pushtetit. Ata janë sovrani i Kosovës, ata zgjedhin kë duan, ata vendosin për Kosovën. Ata kryejnë rolin e sovranit të Kosovës, aq do të doja edhe unë të mendojnë, t’i shohin gjërat dhe jo të mendojnë si unë. T’i nxis që t’i shohin gjërat dhe të mendojnë për to, janë mirë apo nuk janë mirë dhe në varësi të tyre të dinë të sillen dhe të veprojnë. Po e përsëris, kanë filluar të shihen gjërat, kemi filluar të qërojmë hesapet me vetveten, t’i shohim të këqijat. Unë do të doja që kjo lëvizje të mos shuhet, të vazhdojë, në qoftë se dëshirojmë që Kosova të bëhet si duhet, një shtet normal, evropian, që respekton këto standarde, këto vlera evropiane. Atëherë do të duhet të ngjallet, të rritet, të shumohet kjo lëvizje. Ne nuk kemi kulturë kritike. Kultura kritike është kultura që e ka çuar përpara njerëzimin. Pa kulturë kritike Evropa nuk do të ishte bërë. Krejt mendimi, krejt jeta, krejt qytetërimi është bërë përmes fërkimit të qytetërimeve. Ne nuk e kemi këtë, ne flasim, glorifikojmë, zmadhojmë. Ajo nuk na sjell fryte. Duhet të dimë t’i shohim të këqijat, t’i shohim fillimisht tek vetja jonë dhe të bëjmë përpjekje për mënjanimin e tyre. Vetëm ashtu i bëjmë më mirë punët dhe Kosovën e bëjmë më mirë në përgjithësi. Po e përsëris, do të doja që ajo lëvizje të vazhdojë.
Ju shikoni tek vetja një gabim me kritikën e tepruar ndaj Isa Mustafës? Ky njeri u bë kryeministër me votat e kosovarëve, keni menduar se e keni kritikuar më shumë se sa duhet?
Jo, nuk e mendoj. Mendoj dhe çuditem pse opozita e cila bëri njëherë një bllok politik me të dhe heshti të kaluarën e tij politike që është shumë problematike. Nuk e përmend këtë, ndonjë nga deputetët ia thotë në mënyrë shumë të përmbledhur. Unë mendoj se ka njerëz që i takojnë një të kaluare, ka marrë fund koha e tyre, në kohë tjetër duhen njerëz të tjerë. Ai njeri nuk është për këtë kohë. Unë po vërej gjykimet e tij politike dhe shoh që bën shumë gabime. Po çuditem se si ai nuk është në gjendje të gjykojë politikisht si duhet. Veç të shihen deklaratat e tij që kur është bërë kryeministër, çfarë kontradiktash, kanë ato dhe mendoj, a është e mundshme që ky ka pasur gjithë ato funksione në kohën e komunizmit? Funksione të larta, dy herë kryetar i qeverisë së Prishtinës në dy mandate, kryetar i Këshillit për planifikim shoqëror, kryetar i rinisë socialiste të Kosovës, dhe kur e shoh diletantizmin e tij politik unë habitem Por mund të ketë qenë komunizmi që ka dashur mediokritetin, njerëz që dëgjojnë që nuk i kanë sytë për të parë, nuk i kanë veshët për të dëgjuar, nuk e kanë gojën për të folur, por për të zbatuar ato që u thonë ata, që kur ka qenë ky në pushtet, kanë urdhërur, Millosheviçi me shokë. Çuditem dhe jam i befasuar se pse ai njeri duhet të jetë në qeveri sot në Kosovë.
Nuk keni drojë se mund të hakmerren ndaj jush, për çfarë thoni?
Mua nuk çfarë të më bëjë, absolutisht. Ka çfarë iu bën familjarëve të mi, mbase, por mua, nuk ka çfarë të më bëjë. Rexhep Qosja është i paprekshëm për të. Ai mund të flasë, e mund të shkruajë kundër Rexhep Qoses siç po bën, mund të lëshojë ndonjë nga ata që i përbaltin të gjithë ata që ai u thotë të më përbaltin. Por mua nuk ka se çfarë të më bëjë. Rexhep Qosja qëndron në një bazë shumë të sigurt, është jeta e tij, është jetëshkrimi i tij, është vepra e tij, është krijimtaria e tij, është veprimtaria e tij. Ai me mua nuk ia del, nuk e kam këtë drojë dhe nuk e kam tepruar. Vetëm kam dashur dhe dua t’i bëj këta njerëz të shohin qartë. Jam i çuditur, ky nuk do të japë dorëheqjen, as ky e as zëvendësi i tij nuk deshën të japin dorëheqjen , edhe pse kanë shkelur kushtetutën. Kuvendi i Kosovës po të ishte në rregull, po të kishte legjitimitetin që ia kanë marrë, po të mos ishte i margjinalizuar siç është do të duhej ta shkarkonte këtë qeveri. Nuk po do ta bëjë Kuvendi, atëherë do të duhet ta shkarkojë populli.
Si do ta bëjë?
Me lëvizje absolutisht, lëvizje paqësore.
Do fillojë nga e para Kosova me lëvizje?
Ne tashmë e kishim një lëvizje, disa analistë e quajtën ballafaqim me vetveten. Njerëz me merita të luftës, njerëz të UÇK-së po qërojnë hesape me veten, e padëshiruar, nuk e dëgjoj lehtë këtë, por aq më e lehtë është që ne të ballafaqohemi me ata që kanë punuar kundër këtij populli dikur. Qeveria me të cilën ka qenë ky njeri, ka urdhëruar të shuajë demonstratat e studentëve në vitin ’89 dhe në fillim të ’90-ës, ku herën e dytë janë vrarë 30studente e 70 të tjerë janë plagosur. Kjo është statistika që kanë dhënë zyrtarët e jo unë, e vërteta mund të jetë shumë më tragjike. Në një shtet historik, me përvojë historike, me tradita shtetërore, njerëz të tillë në kushte të tjera do të nxirreshin në gjyq, për krimin që kanë bërë. Kanë vrarë të rinjtë që kanë protestuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Asnjë prej atyre që kanë qenë në qeveri nuk shihen më. Unë them se aty ka pasur edhe njerëz të mirë, siç thotë populli, i ka zënë taksirati dhe janë skajuar, disa prej tyre kanë shkuar të jetojnë jashtë. Ky vjen tani e na sundon me metoda që po i shohim çfarë janë, me dhunë, me presione që janë politike e psikologjike mbi njerëzit. Ne përjetojmë sot një terror psikologjik, si dikur. Prej një viti e ca ne jetojmë me një krizë politike dhe institucionale, me pasoja të ndryshme ekonomike, shoqërore, etj. Këto pasoja janë të një terrori psikologjik e cila ka filluar me ardhjen e këtij njeriu në pushtet dhe me aleancën që krijoi ky me PDK-në.
Ky është problemi, se duket sikur të gjitha rëndojnë mbi Isa Mustafën, kryeministrin, ndërsa ishte Hashim Thaçi që iu desh kjo aleancë.
Nuk është fajtore vetëm LDK-ja dhe ky që është në krye të saj që e mënjanoi kryetarin e mëparshëm Fatmir Sejdiun me njëfarë puci. Fajtore është edhe partia me udhëheqjen e saj që po ia bën të mundshme këtë me heshtje. Edhe unë po çuditem si është e mundur kjo? Si është e mundur që PDK të ketë degraduar deri këtu, sa ta pranojë aq lehtë jetëshkrimin politik të këtij njeriu dhe të pranojë disa veprime që tani po i bën në aleancë me të. Jam i befasuar, unë njoh shumë djem aty dhe di për ta, për mendimet e tyre, të kaluarën e tyre, e di sa të pakënaqur e sa të papajtueshëm janë megjithatë gojën nuk e çelin, mund të kenë leverditë e veta. Sigurisht që i kanë, pasi partitë janë bërë firma për pasurimin e atyre që i janë me to.
Pavarësisht çfarë ndodh në Kosovë, Gjykata Speciale a mund të krijojë përplasje të reja, probleme të reja që duket sikur ishin fshehur?
Nuk e di se çfarë mund të bëjë Gjykata e Veçantë, unë di një gjë, që për atë Gjykatë të Veçantë, vet shqiptarët, institucionet politike shtetërore nuk duhet të jepnin pajtimin me të. Le ta krijojnë faktorët ndërkombëtarë, ata duan, le ta krijojnë, por jo shqiptarët të japin pajtimin. Sepse kjo të rëndon më tepër, vendimet dhe gjykimet e saj të rëndojnë më tepër se e ke pranuar. Kjo ishte gjykatë kundër Kushtetutës, Nuk parashikon Kushtetuta e Kosovës krijimin e gjykatave të jashtme të huaja në Kosovë, parashikon krijimin e gjykatave në Kosovë. Kjo Gjykatë do të merret me gjykimin e shqiptarëve, por ku ka kështu në botë? Flasin për Kosovën shumetnike dhe duan të krijojnë Gjykatën një etnike. Paradoksale kjo dhe e papajtueshme, një përbërje, një koncept, një Gjykatë e papajtueshme me Kushtetutën dhe logjikën. Ne e pranuam, ndoshta e ndërruan edhe Kushtetutën.
Është prekur Kushtetuta?
Tani po i ndryshojnë Kushtetutat sipas nevojave dhe siç po kërkohet prej tyre. Fizionominë e Ballkanit e kanë ndryshuar shpesh, prej krizës lindore 1975 e këtej. Ia kanë ndërruar Fuqitë e Mëdha që kanë qenë, Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Italia, Rusia. Këto kanë caktuar edhe fatin e shqiptarëve, kanë caktuar kufijtë e tyre duke i ndarë në 4-5 shtete. Edhe tani ia caktojnë fizionominë Ballkanit këto vende, ku për fatin tonë të mirë janë edhe SHBA. Këto kanë edhe EULEX, e duke qenë ai lulëzoi korrupsioni, siç nuk ka lulëzuar kurrë. Kësi korrupsioni nuk kemi pasur nën asnjë pushtues, as si korrupsioni në kohën e Bizantit, as në kohën e Perandorisë Romake, as në kohën e Italisë, as në kohën e Gjermanisë, as në kohën e Serbisë. EULEX thotë se në Kosovë ka korrupsion pandemik siç e quajnë ata, se në Kosovë ka krim të organizuar, në Kosovë ka simbiozë, ngjitje, bashkëpunim të institucioneve shtetërore me krimin. Po mirë a jeni ju këtu? Shtroj pyetjen, se pse dhe si ndodhin kështu, mos ndoshta është më mirë kështu, mos ka dashur EULEX dhe disa shtete evropiane që aq lehtë falën Vuçiçin, Nikoliçin e Isa Mustafën. Mos kanë dashur që disa figura politike të komprometohen në pushtet, të korruptohen dhe të mos ankohet populli? EULEX është fajtor për çfarë ka ndodhur e çfarë po ndodh në Kosovë.
Megjithatë ju nuk jeni dorëzuar profesor?
Jo nuk jam dorëzuar, unë nuk jam bërë shkrimtar për të shkruar libra, unë jam bërë shkrimtar edhe për të thënë mendimin, them mendimin se sa e si e çmoj të drejtën dhe të vërtetën. Mund të mos qëlloj, mund edhe të gaboj, njerëz jemi. Nuk ka njeri të pagabueshëm, por nuk e shes mendimin për kurrfarë kushti, për kurrfarë mendimi. Nuk e shes dinjitetin për kurrfarë çmimi. Prandaj nuk kam heshtur, nuk hesht e nuk do të hesht derisa të jem gjallë.
Ishte propozimi që u përfol për t’u bërë president i Kosovës e ju menjëherë e përgënjeshtruat. Më bëri përshtypje shprehja juaj, e mandateve që ju keni në emër të punës.
U bë një propozim, nuk e di kush e bëri. Mund të kenë qenë këto portalet, a këto organizatat joqeveritare, mediat që janë shtylla e katërt e pushtetit. Kush e kurdisi, nuk di, por u bë e nevojshme që unë të deklarohem se filluan ta tjerrin këtë punë. Unë konsideroj se mandati i një krijuesi, që ka bërë një punë, që e bën seriozisht atë, që e bën me përkushtim, me përgjegjësinë dhe etikën, është më shumë se një kryetar. Kryetari është 4ose5 vjet, është 8 ose 10, mund të jetë edhe 12 ose 15 vjet, të cilat kalojnë. Kurse krijuesi e ka mandatin të përhershëm dhe është i qëndrueshëm, ka lexuesit e djeshëm dhe të sotëm e të ardhshëm, që ky tjetri nuk i ka. Kryetari ka mandat të përkohshëm. Unë nuk i ndërroj, nuk ia fal këtë mandatit të përkohshëm, në asnjë mënyrë nuk e ndërroj me të. Ai sjell privilegje, sjell luks, sjell pasuri, sjell shumë gjëra, por mua më duhet ajo pasuria shpirtërore dhe morale që kam. Shikoni çfarë thonë studiuesit, Greqia antike ka përcaktuar ardhmërinë qytetëruese të Evropës, po kështu edhe Perandoria Romake. Ka pasur shtetarë shumë por e dini çfarë thonë njerëzit, studiuesit? Ne dimë për Greqinë, e mbajmë mend, e çojmë, e adhurojmë Greqinë, duke pasur parasysh Eskilin, Sofokliun, Euripidin, Platonin, Sokratin, Aristotelin, Hipokratin e të tjerë që kanë krijuar kulturën, filozofinë, shkencën greke. Greqia ekziston sepse ekzistojnë veprat e këtyre dhe jo se ekzistojnë politikanët, shtetarët e asaj kohe. Ata janë harruar, por këta janë të përjetshëm, këtë nuk duhet ta harrojmë. Prandaj unë nuk e harroj dhe mandatin tim nuk e zëvendësoj për mandatin e një kryetari. Mandati im është më i rëndësishëm se i atij kryetari. Mendoj se mandati im është më i rëndësishëm se mandati i Nishanit.
Sot që po flasim është 7 mars dhe ngjan se një mësues nuk ka vlerën e një njeriu që ka, qoftë një kioskë të vogël në lagje. Kanë ndryshuar disa gjëra nga koha e Greqisë së lashtë.
Unë përmenda Bujar Nishanin, do doja të përmendja Dritëro Agollin, Ismail Kadarenë, mandatet e tyre janë shumëfish më të rëndësishme se mandati i Nishanit, jo vetëm i këtyre por edhe i krijuesve të tjerë i disa fushave të tjera ne Shqipëri. Nuk është rëndësia e një mësuesi sa rëndësia e një burokrati në një zyrë. Njerëzit i paraqiten për shumë nevoja atij në zyrë, e çmojnë më shumë dhe intrigohen për arsye të ndryshme, u kryen apo jo punët. Nuk do të duhej të ishte ashtu. Thonë se mjeku, mësuesi dhe polici janë tre figura të rëndësishme. Polici jo i politizuar, siç po i politizon sot qeveria, që po i përdorin për nevojat e tyre politike, fatkeqësisht, por polici që kryhen si duhet detyrën pa e politizuar, mjeku dhe mësuesi janë figura të çmuara. Mësuesi të edukon fëmijën, kujdeset për të, e po kështu mjeku kujdeset për shëndetin tënde dhe të popullit, e polici të mbron prej të keqit. Nuk e kemi krijuar ende këtë kulturë, që t’i meritojmë sa e meritojnë, mjekun, mësuesin dhe policin.
Duke u marrë gjatë me Kosovën, këto kohë jeni shkëputur nga Tirana apo i keni ndjekur proceset aty?
Nuk e kam shkëputur natyrisht. Unë shikoj çdo natë në një televizion të Prishtinës “Ditarin”, në shtatë ose shtatë e gjysmë e pastaj vazhdoj me lajmet e Tiranës, e obligueshme për çdo natë.
Kohët e fundit pati një votim për ligjin e dekriminalizimit në Shqipëri. I keni ndjekur proceset mes pozitës dhe opozitës, vezët tona në Kuvend?
I kam ndjekur me shumë habi, çudi, si është e mundshme ashtu. Si është e mundshme që gjyqësori të ketë qenë aq i korruptuar dhe të ketë aq shpërfytyrime, deformime në gjyqësor. Dhe e kam parë e jam bindur prej shembujve që kanë treguar se sa e nevojshme është reforma në sistemin e drejtësisë dhe sa i duhet Shqipërisë. Por jam çuditur se sa dhe se si i bëhet rezistencë nga opozita kësaj reforme të planifikuar. Si është e mundur që nuk mund të pajtohen për të reformë. Vazhdimisht, dikush fut pyka në përpjekje për antireformë. Ajo reformë bëhet për interesin e gjithë shqiptarëve dhe gjithë Shqipërisë. Është reforma më e rëndësishme në Shqipëri, është reforma më e rëndësishme që është bërë dhe mund të bëhet në Shqipëri, reforma e gjyqësorit, sepse në sistemin e drejtësisë ka pasur dhe ka shumë deformime. Pse ndodh kjo? Ku janë arsyet? Unë mund të mendoj se reforma ia cenon interesat dikujt, rezistenca që bëhet prej opozitës, cenon interesat e saj prandaj vazhdimisht fut pyka në këto përpjekje për reformë. Mund të them gjithashtu se kam krijuar një simpati të veçantë për ambasadorin e SHBA-ve në Shqipëri, ambasadorin Donald Lu. Një ambasador i cili bën përpjekje me shumë përkushtim , me shumë nder, me shumë sinqeritet për ta rregulluar gjendjen në Shqipëri, për ta stabilizuar, për ta normalizuar gjendjen sidomos në sistemin e drejtësisë. Mund të them, se e dëgjova me shumë mirëkuptim, me shumë simpati masën e SHBA-ve për të mos iu dhënë viza një numri gjykatësish dhe prokurorësh të korruptuar. Ne nuk e dimë numrin e këtyre gjykatësve dhe prokurorëve, por nuk është vetëm njëri, mund të jenë edhe më shumë. Unë do të doja që në listën e zezë e këtyre emrave që nuk do t’u jepen viza për në SHBA, të ketë një listë edhe për Kosovën, për gjykatës dhe prokurorë në Kosovë. Njëkohësisht do të dëshiroja që në atë listë ku futen emrat e atyre që nuk do t’u jepen viza për në SHBA të ketë jo vetëm gjykatës dhe prokurorë, por të ketë dhe figura politike shtetërore të korruptuar, por të korruptuar me pasuri të mëdha e jo për ata që korruptohen me 200 euro. Po të futen në atë listë të zezë gjykatësit, prokurorët dhe të korruptuarit e të lidhurit me krimin e organizuar, do të ndihmohet shërimi i Shqipërisë dhe Kosovës. Të shpresojmë se reforma e sistemit të drejtësisë në Shqipëri do të bëhet shembull edhe për Kosovën. Do të jetë një kontribut i madh për normalizimin e gjendjes politike, shoqërore shtetëror në Shqipëri dhe Kosovë.
Shikoni bashkëpunim mes nesh për momentin profesor apo ka secili problemet e veta?
Në një kohë u fol shumë për bashkëpunimin, Edi Rama dhe këta të qeverisë së Kosovës, bënë disa marrëveshje, vunë disa nënshkrime e pastaj u hesht për këtë punë. E dëgjova me keqardhje deklaratën e kryeministrit të Kosovës, kur tha se ne nuk na duhen këshillat e Shqipërisë. Na duhen. Edhe Shqipërisë mund t’i duhet ndonjë këshillë e Kosovës në ndonjë rast të veçantë, edhe Kosovës i duhen këshillat e Shqipërisë. Shqipëria është 100 vjet shtet, ka një përvojë më të madhe shtetërore dhe kjo po shihet. Absolutisht, ka një përvojë më të madhe shtetërore. Në fund të fundit jemi një popull, mund të mësojmë duhet të mësojmë dhe kemi çfarë të mësojmë prej njëri-tjetrit. Ky bashkëpunim, jo për shkak të kësaj deklarate të parëndësishme, që mund të ketë efekt momental, deklaratë e pamenduar, banale, mediokre. por për kujdes të përpjekjeve që bashkojnë punët tona, ky bashkëpunim sikur është heshtur. Nuk po dëgjohet se çfarë bashkëpunimi ka, së çfarë po ndodh, a po bëhet ndonjë bashkëpunim, shkëmbim e të tjera, nuk po dëgjohen, është heshtur kjo punë. Si, pse, çfarë ka, ta shohim.
Profesor, folëm gjatë për çfarë ndodh në Kosovë, folëm pak për Shqipërinë. Ndërkaq, këtu mbaroi, kaq ishte? Thaçi është president, do ketë marrëveshje me Serbinë, nuk do të ketë zgjedhje, opozita do të protestojë, dhe njerëzit do të jetojnë, secili në mënyrën e vet.
Krejt kjo krizë politike dhe institucionale, që zgjati një vit, do të duhej të merrte fund, të ketë një zgjidhje. E them, në çdo vend demokratik, zgjidhja do të kishte mbërritur herët. Këta njerëz të qeverisë, kjo qeveri ka cenuar Kushtetutën e Kosovës, ka shkelur Kushtetutën dhe këtë e tha Gjykata e Kosovës. Ka nënshkruar marrëveshje që kanë të bëjnë me shtetin, me tërësinë e tij, me sovranitetin dhe territorin e tij, që janë çmuar jo në pajtim me Kushtetutën. Kjo do të thotë se është shkelur Kushtetuta. Në çdo vend demokratik kjo qeveri do të duhej të tërhiqej, në qoftë se nuk tërhiqej atëherë do të shkarkohej, ka institucion që e shkarkon qeverinë, ka popull, ka sovran që e shkarkon qeverinë. Megjithatë unë nuk shoh zgjidhje të kësaj krize. Pavarësisht se po duket e lodhur opozita këto ditë, unë nuk shoh zgjidhje pa largimin e qeverisë. Në qoftë se nuk do qeveria atëherë është sovrani. Unë dëshiroj që kjo lëvizje e ballafaqimit tonë me vetveten të vazhdojë, për të mirën e Kosovës, për të sotmen dhe të ardhmen e saj. Qërimi i hesapeve me veten tonë, me gjendjen tonë, mospajtimi ynë me këqijat, me padrejtësitë që kanë ndodhur, po ndodhin e do të ndodhin në jetën tonë. Me trajtimin e pabarabartë të njerëzve në jetë në përgjithësi. Probleme si çdo shtet do të kemi. Për këtë arsye unë do të doja që me kushtetutë, me ligje, të parashihet, të sigurohet me ligje kultura e ndëshkueshmërisë, të parashikohen me ligj dorëheqjet, të parashikohen me ligj shkarkimet të cilat nuk bëhen. Ju lutem, ne kemi njerëz, anëtarë të akademisë që janë bërë në bazë të konfliktit të interesit. Konflikti i interesit është antiligjor edhe në Shqipëri edhe në Kosovë. Realizimi i privilegjeve në bazë të konflikteve të interesit është antiligjor. Njerëz që janë në pozita të larta kanë krijuar privilegje tjetërkund, në të tjera institucione e kurrkush nuk merret me ta. Pra duhen bërë të gjitha këto e duhet të zbatohen. Kosova do të sigurojë një gjendje të një shteti bashkëkohor, modern, evropian, vetëm në qoftë se bëhet shtet ligjor, shtet i së drejtës. Shteti ligjor është garanci e funksionimit normal të tij. Uroj që të bëhet çfarë është e mundshme që Kosova të bëhet shtet ligjor.
Dhe përfund një lajm i mirë. Më bëri përshtypje festimi i 80 vjetorit të Adem Demaçit, mendova që gjërat shpesh ndryshojnë, figurat shihen në një dritë tjetër, siç ndodhi që ky vit u quajt viti i tij.
Adem Demaçi është një figurë e veçantë në historinë e Kosovës dhe në historinë e shqiptarëve në përgjithësi. Një njeri që ka bërë 28 vjet burgje, jo burgje të Suedisë, të Norvegjisë, të Danimarkës apo të Francës, por burgje të Serbisë dhe Jugosllavisë. Ai njeri duhet që në shtet normal, në një vend normal, në kushte normale, të gëzojë disa fryte të këtyre burgjeve të tij, siç i ka gëzuar Mandela, që i takojnë. Mandela nuk ishte filozof, nuk bëri 28 vjet si Adem Demaçi dhe Afrika e Jugut e bëri Mandelën figurë botërore, duke i shprehur nderimet, duke ia dhënë ato që i takojnë, duke e bërë kryetar shteti. Ne nuk e lejuam që para luftës, duke filluar me partinë demokratike e pastaj këto partitë e tjera, nuk e lejuan Adem Demaçin që të bëhet as deputet, as ministër, as kryeministër, as kryetar Kuvendi e as Kryetar Shteti. U vunë në krye të këtyre pozicioneve edhe njerëz që nuk janë për këto funksione. Adem Demaçit nuk iu lejua, madje mund të them që Adem Demaçit iu krijua një farë presioni për 10 vjet. Adem Demaçi nuk ka pasur kurrfarë të ardhurash, e ka mbajtur i biri. Si është e mundur kjo? Në vend që të bëjmë një figurë botërore, ne e penguam atë të bëhej edhe figurë lokale. Të tjerët kanë titullin “Senator i përjetshëm”, a nuk mund të bëhej ai deputet i përjetshëm i Kosovës? Duhet vetëm një ligj që të bëhej, por nuk e bëjnë. E diskriminuan, e penguan. Po të lexojmë ata që i janë turrur lavdisë së Adem Demaçit e kundër tij, do të turpërohemi. Do të bëhej një antologji e zezë me shkrime kundër tij. 80 vjetori i tij u shpall viti i Adem Demaçit. Kjo është e rëndësishme për kulturën, politikën dhe shtetin tonë. Por kjo u bë pas një mbledhjeje të shkrimtarëve, në të cilën u theksuan të gjitha padrejtësitë dhe diskriminimet që i janë bërë Adem Demaçit në vazhdimësi, prej burgosjeve në kohën e komunizmit, prej përndjekjeve, e diskriminimeve, pasi ra komunizmi prej partive që janë edhe sot. Me vonesë shumë të madhe. Tani unë shtroj pyetjen: Si u bë kjo tani, këta të politikës tani u kujtuan të shpallin 80 vjetorin e tij si viti i Adem Demaçit? E bënë për Adem Demaçin, apo e bënë për nevojat e veta sepse ju duhet lavdia e Adem Demaçit? Do të dëshiroja shumë që kjo të jetë bërë për Adem Demaçin. I pamë edhe kur e vizituan Adem Demaçin tani, që asnjëherë më parë nuk e kanë bërë. Mjerisht, fatkeqësisht u bë vonë. Megjithatë populli thotë, “më mirë vonë se hiç”./dritare.net/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëParashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje